Google search engine
Home Kulture “Fundi i Golemëve” nga Nikolla Zoraqi premierë botërore në TKOB

“Fundi i Golemëve” nga Nikolla Zoraqi premierë botërore në TKOB

0
32

Nga Julia Vrapi

Opera “Fundi i Golemëve” një vepër e Nikolla Zoraqit, premierë botërore në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një vepër monumentale shqiptare, që vjen pas më shumë se gjashtë dekadash nga krijimi, duke sjellë në skenë luftën, dashurinë, tradhtinë dhe fatin tragjik të familjes Golemi. Me libret nga Kolë Jakova, nën dirigjimin e maestros Zhani Ciko “Mjeshtër i Madh” dhe me konceptin regjisorial të Nikolin Gurakuqit “Mjeshtër i madh” vepra u shfaq mbrëmë në skenën e TKOB-së. Maestro Zhani Ciko e cilësoi realizimin e kësaj vepre, si një moment të rëndësishëm artistik dhe kulturor. “Do ta quaja një lapidar i krijimtarisë sonë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar, që të shpalosë një vepër të re të pabotuar asnjëherë.

Në muzikë zbulimi për publikun i një vepre pas 63 vitesh tregon shumë gjëra”, u shpreh maestro Zhani Ciko. Mjeshtri Zhani Ciko thekson se vepra trajton një temë të veçantë në artin shqiptar, duke u përqendruar te ditët e fundit të jetës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Sipas tij, opera pasqyron edhe vazhdimësinë e qëndresës së shqiptarëve për mbrojtjen e pavarësisë pas vdekjes së heroit kombëtar. “Kjo vepër ka lindur mbi bazën e një tregimi shumë të njohur të letërsisë shqiptare të shkrimtarit  Dhimitër Shuteriqi “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit”, të cilin dramaturgu legjendar  i dramës shqiptare Kolë Jakova e hodhi në vargje dhe e bëri një libret të përshtatshëm për opera, që ia besoi kompozitorit Nikolla Zoraqi. Ju do të keni rast të shijoni të muzikuar fjalën shqipe. Këtë tregim të mrekullueshëm letrar, që vjen i interpretuar në muzikë. Opera trajton një subjekt që është i veçantë dhe i patrajtuar në dramaturgjinë teatrore dhe operistike shqiptare, periudhën e fundit të jetës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti dhe gjithashtu  vijimin luftës për 25 vjet të tjera nga shqiptarët që ditën të mbrojnë pavarësinë”, shprehet maestro Ciko.

Vepra në skenë

“Fundi i Golemëve” është një vepër që dëshmon vlerat e muzikës sonë kombëtare. Solistët, kori dhe orkestra simfonike e TKOB-së në këtë vepër, që shënon edhe një moment të rëndësishëm këtë sezon artistik. Me muzikë të Nikolla Zoraqit, orkestruar nga Jozef. F. Pjetri dhe me libret të Kolë Jakovës, bazuar në një nga tregimet më të njohura të letërsisë shqipe, tregimin e shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit”, në skenën e TKOB një vepër që sjell në skenë dramën, tradhtinë, dashurinë dhe fatin e një familjeje shqiptare në prag të rënies së epokës së Skënderbeut, duke rikthyer fuqishëm historinë dhe identitetin tonë kombëtar përmes muzikës operistike shqiptare.  “Fundi i Golemëve” vijon dhe këtë mbrëmje, si dhe në datën 31 maj në TKOB. Kompozimet e kompozitorit Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit” janë luajtur nga formacione të rëndësishme të muzikës shqiptare, nga Orkestra e TKOB-së, Orkestra e RTSH-së, Orkestra e Akademisë së Arteve, Orkestra e Liceut Artistik dhe nga trupa të ndryshme korale dhe instrumentale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here