Komedia muzikore “Broadway Night” ndërthurur me këngët më të njohura të repertorit botëror musical

0
133

Komedia muzikore “Broadway Night” do të shoqërohet me situata komike dhe romantike. Për dy mbrëmje me radhë në Tiranë për publikun vjen “Broadway Night”, që është një shfaqje teatrale muzikore me skenar të shkruar në shqip. Kjo shfaqje vjen për publikun shqiptar si një komedi romantike, e cila lidh të gjithë këngët e programit në një shfaqje të mirëfilltë musical. Përmbajtja teatrale e skenarit, i cili është shkruar enkas për këtë program, tregon momentin, kur një familje emigrantësh shqiptarë në USA, krenohen me suksesin artistik të vajzës së tyre, e cila këndon në një shfaqje musical në Broadway Theater në New York. Vajza, për habinë e prindërve, është dashuruar me një djalë artist shqiptar dhe të dy sëbashku kanë vendosur të largohen nga USA dhe të kthehen në Shqipëri.  Shfaqja do të jetë në mbrëmjet e datave 15 dhe 16 shkurt ora 19:00 te Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse -Tiranë dhe shoqërohet me situata komike dhe romantike, duke përcjellë njëra pas tjetrës këngë të ndryshme nga repertori më i njohur musical siç janë: The Wicked, Chicago, Mamma Mia, Cats, Sweeney Todd, The greatest Showman, Grease, Highschool Musical, We will rock you, etj, këngë këto që do të performohen krejtësisht live nga protagonistët dhe bandi i shfaqjes.

Komedia muzikore në skenë

“Broadway Night”-“Kthehemi në shtëpi” që vjen në skenë nga regjisori Donald Shehu ka bërë bashkë dhe të tjerë artistë të njohur. Orkestrues Jusiald Xhani, koreograf Sedmir Memia dhe si udhëheqëse artistike është sopranoja e njohur Linda Kazani. Duke përcjellë mesazhe njerëzore dhe esenciale të shoqërisë shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë, publikut shqiptar do t’i ofrohen dy mbrëmje me muzikë të zgjedhur musical në një spektakël të cilësisë së lartë. Pas projekteve të mëparshme të organizuar nga qendra “Eventus” siç ishin: “Broadway Nights 2022”, “Jesus Christ Superstar”, “Highschool Musical” dhe “Mamma Mia”, kjo vënie në skenë e “Broadway Night” show do të jetë projekti vijues në këtë nismë me të ardhme premtuese për skenën e Teatrit Musical në Shqipëri, të cilën qendra “Eventus” e ka vënë në një nga planet e saj afatgjata, në formimin dhe punësimin e muzikantëve, balerinëve, aktorëve dhe këngëtarëve të rinj në Shqipëri. Në rolet kryesore në “Broadway Night”-“Kthehemi në shtëpi” janë Ina Morinaj, Donald Shehu, Gerta Mahmutaj, Endri Kaçaçi, Amri Hasanlliu. Bandi- Live: Erald Simixhiu, Denis Hima, Emil Zaharia, Mateos Gjipi, Gert Hima, Aiola Laska violinë. Back-vocals: Maria Ademaj, Egzona Bogdani, Oresti Hoxhallari dhe Aldrin Biba. Sopranoja e njohur Linda Kazani është një prej artisteve, që karrierën e vet e ka ndërtuar jashtë Shqipërisë dhe prej vitesh jeton në Austri. Sopranoja Linda Kazani vjen sërish si udhëheqëse artistike në një projekt të tillë. Por siç ka shprehur dhe më parë musical është një performancë shumë e ndërlikuar në vetvete, pasi artistët performues duhet të jenë njëkohësisht aktorë, balerinë dhe këngëtarë që këndojnë live. Sipas saj në të tilla projekte të artistët po bëjnë një punë të admirueshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here