Raporti i UNESCO-s kritika autoriteteve shqiptare: Krijimi i një fondacioni nuk përmbush menaxhimin e integruar të Butrintit

0
85

Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS paraqet kritika të forta për autoritetet shqiptare për Butrintin. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO thotë në një raport për parkun e Butrintit, se vetëm themelimi i fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimin e integruar të Butrintit dhe u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj. Raporti i UNESCO-s është përgatitur në tetor të vitit të kaluar, ku Zëri i Amerikës e siguroi raportin pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në bazë të ligjit për të drejtën e informimit. Raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit. Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, dërguar tek autoritetet shqiptare tetorin e vitit 2023 paraqet kritika të forta për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCO-n dhe për mossigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit, siç kanë kërkuar misionet e mëparshme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin. Misioni i UNESCO-s thotë në raport se “përveç krijimit të Fondacionit të ri të Menaxhimit të Butrintit, asnjë propozim tjetër për sigurimin e zbatimit të Planit të Menaxhimit nuk u prezantua gjatë misionit nga autoritetet shqiptare”. “Vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butrintit, thuhet në raport. Një marrëveshje mes ministrisë shqiptare të Kulturës dhe fondacionit shqiptaro-amerikan të zhvillimit (AADF) për krijimin e një fondacioni për menaxhimin e Butrintit përfshin vetëm njërën zonë të parkut të Butrintit të njohur si zona A3, ku ndodhet pjesa më e madhe e qytetit antik, duke lënë jashtë tre zona të tjera pjesë e parkut kombëtar të Butrintit.  Misioni thotë në raport se konfirmoi heqjen së fundi nga Parku Kombëtar i Butrintit të rreth 600 hektarëve nga zona B afër Ksamil, ku aktualisht është në ndërtim e sipër një kompleks turistik rezidencial. Sipas misionit “heqja e 600 hektarëve nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe përfaqëson një ndryshim në regjimin mbrojtës të një pjese të ndjeshme të zonës tampon dhe ndoshta edhe të një pjese të vogël të pronës së Trashëgimisë Botërore që tani shtrihet jashtë kufijve të Parkut Kombëtar”. Misioni u ka kërkuar autoriteteve shqiptare si çështje urgjente, që t`i sqarojnë Qendrës së Trashëgimisë Botërore se cilat janë masat e mbrojtjes aktualisht për të gjithë pronën e Trashëgimisë Botërore që përfshihet në Parkun e Butrintit dhe zonën e saj tampon brenda kufijve të parkut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here