Aktorja Adriana Tolka në skenat teatrore ka spikatur me aktivitetin e saj artistik. E diplomuar për aktrim në Akademinë e Arteve ajo ka sjellë para publikut personazhe nga më të ndryshmit. Këto kohë ajo erdhi në teatër me “Hamamin e grave”, dhe tregon se është një shfaqje emancipuese, ka humor e dramacitet. Aktore që ka spikatur në teatër, Adriana Tolka shprehet dhe për problemet në jetën artistike. Sipas saj, është një mjedis mbytës, sidomos për artistët me vlera të vërteta, ndërkohë lulëzojnë mediokrit. Me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës, aktorja thotë se ka treguar se nuk respekton ligjet. Problem në jetën artistike Tolka shikon dhe mungesën e statusit të artistit apo dhe buxhetet e pakta, që jepen për teatrin. Sipas saj, arti në tërësi dhe teatri në veçanti sa vjen dhe bjerren nga ana cilësore. Aktorja thotë se ka artistë shumë të mirë, por shpeshherë drejtohen gabim, luajnë pjesë të vëna keq, pa vizion dhe janë thjesht vënie në skenë.
-Ministria e Kulturës këtë vit në projektet e pavarura për 2022, prioritet të tretë kishte promovimin e artit dhe kulturës përmes aktiviteteve. Si e shikoni këtë?
Unë çuditem se si arti dhe kultura është renditur si një prioritet në planin vjetor të Ministrisë së Kulturës. Prej kohësh personalisht e konsideroj Ministrinë e Kulturës si një njerkë të keqe, e cila luajti rol vendimtar në shembjen e Teatrit Kombëtar, gjithashtu vazhdon të luajë një rol vendimtar për njerëzit që mbështet, me qëllim shkatërrimin e kulturës, duke çuar ujë në mullirin e misionit të qeverisë, e cila një ndër synimet ka shkombëtarizimin e vendit. Një nga pikat për shkombëtarizimin është edhe denigrimi i kulturës, shtypja e artistëve në përgjithësi, dekurajimi i tyre. Edhe në institucionet shtetërore ku punojnë (midis tyre jam edhe unë), ata jo rrallë trajtohen nga eprorët në mënyrë diskriminuese. Duke dekurajuar njeriun, i cili është elementi kryesor i të bërit art, rrjedhimisht ke denigruar kulturën, sepse një popull pa kulturë, një popull i shkombëtarizuar reagon vakët dhe është më i lehtë për t’u nënshtruar.
-Ju pohoni probleme, por nga ana tjetër ministrja e Kulturës herë pas here ka treguar për investimet në fushën e artit, në institucione të ndryshme…
T’ju them të drejtën, nuk e ndjek fare ministren Elva Margariti. U vu ministre e Kulturës pa asnjë kontribut në kulturën shqiptare. Kontributi i saj për këtë vend ka qenë nul dhe erdhi thjesht si ministre kukull. Ministrja aty thjesht zbaton politikat e caktuara nga kreu i qeverisë. Një vegël për të realizuar planet e synimet dhe jo vetëm nuk kemi parë çudira në kuptimin e mirë të fjalës, por kemi parë të kundërtën e skajshme. Arti në tërësi dhe teatri në veçanti sa vjen dhe bjerren nga ana cilësore. Them se ata stimulojnë vënien në skenë të veprave mediokre. Mendoj që ka artistë shumë të mirë, por shpeshherë drejtohen gabim, luajnë pjesë të vëna keq, pa vizion dhe janë thjesht vënie në skenë. Në rastin akoma më të keq, shumë artistë cilësorë janë ndër artistët që punojnë më pak. Artistët cilësorë zakonisht janë edhe më rebelët, jo pak emra janë ata, që i janë kundërvënë qeverisë. Këtë e tregoi edhe konflikti i teatrit. Janë këta njerëz, që nuk përkrahen dhe mbijetojnë duke punuar edhe në projekte me të huajt. Është një mjedis mbytës, sidomos për artistët me vlera të vërteta, ndërkohë lulëzojnë mediokrit. Mendoj që artisti në thelb të tij ka rebelizmin. Nëse nuk je rebel, nuk je artist. Rebel në kuptimin për të ndryshuar të keqen. Në skenën e teatrit rrallë shohim pjesë vërtet të mira.
-Ju pohoni rrallë shohim pjesë vërtetë të mira, sipas jush nga vjen kjo?
Mendoj që ka aktorë shumë të mirë. Por ndonjëherë edhe pjesët kombëtare që vihen, zgjidhen me qëllim ato të dobëtat, pjesë të parealizuara që në shkrim. Që në lëndë të parë janë të dobëta, me qëllim që publiku të largohet nga teatri. Megjithëse një pjesë teatrore, sado e dobët, gjithsesi përçon mesazhe, nëse nuk është e realizuar nga ana artistike, ato mesazhe nuk kanë vlerë domethënëse, po nuk u gjet mënyra si t’i ngulitësh. Kjo detyrimisht largon publikun dhe e çon drejt formave të tjera të argëtimit. Po flas për fushën e komunikimit, të fjalës dhe publiku mbetet pastaj te spektaklet televizive – ushqim i lehtë, që nuk sjellin asgjë. Ato po stimulohen, ato thithin reklamat, etj. Teatri po shkëmbehet me këto, sepse aktorët gjithnjë e më pak po luajnë teatër, në kuptimin e mirëfilltë. Pjesën më të madhe të të ardhurave aktorët e sigurojnë nga spektaklet dhe serialet e dobëta, apo programet e përjavshme humoristike me humor limonadë.
-Në institucionet e artit kemi titullarë me mandat të përfunduar, por dhe institucione që nuk kanë drejtorë. Sipas artistëve, ministria duhet të hapë konkurset sipas ligjit të artit. Ju çfarë mund të na thoni?
Nuk është çudi, sepse Ministria e Kulturës ka treguar që nuk respekton ligjet. Ata sillen si në pronë të babait të tyre. Rrihet në detyrë për sa kohë e ke mirë me ministrinë; po pate krahët e ngrohta nga pushteti, të zgjatet mandati sa të duash. Këtu nuk kërkon njeri llogari, nuk kemi një komunitet artistik, që të jetë si një trup i vetëm dhe të ndjekë gjërat. Kemi një komunitet artistësh pa ndërgjegje sociale, secili i strukur në skutën e vet. Artistët janë shumë individualistë dhe shohin vetëm sa para fusin në xhep nga rroga, apo nga ndonjë projekt, që për ta fituar duhet patjetër të japin ryshfet. Artistët preferojnë më mirë të bëjnë thashetheme dhe të flasin për titullarët nëpër tavolina, sesa të reagojnë direkt, sepse e kanë më të lehtë të fjalosen, se sa të veprojnë.
-Si aktore, ju e dini që artistët nuk kanë një status të artistit, një kërkesë që është bërë prej vitesh e vitesh në Ministri të Kulturës. Çfarë sjell kjo?
Për mua jemi ende në një stad primitiv. Jetojmë në shekullin me zhvillim kaq të madh të artit në botë dhe me një rol të madh të sindikatave kudo, ato që funksionojnë tamam dhe kanë ndikim vendimtar edhe në ndryshimin e politikave shtetërore në lidhjen me artin. Ndërsa këtu, edhe një sindikatë që mund të jetë e Teatrit Kombëtar, nuk ka forcë, sepse anëtarët e saj nuk mendoj që përpiqen realisht për t’u bërë bashkë. Mungesa e statusit ka sjellë pasoja për artistët në institucione. Në mungesë të statusit të artistit, pa marrë aspak parasysh sa specifik është profesioni ynë, duan të na trajtojnë me statusin e një zyrtari të zakonshëm. Ministria e Kulturës deri tani ka treguar që nuk i ka pasur në vëmendjen e saj si duhet artistët, problemet dhe shqetësimet e tyre. Ministrja Margariti del e flet me fjalime klishe në raste evenimentesh. As nuk cekin problemet e artistëve, sepse Ministria e Kulturës është një nga faktorët kryesorë, që kanë shkaktuar dhe ruajtur si të tilla problemet në art e kulturë.
-Keni vite në jetën artistike dhe që në 1999 keni qenë në skenën teatrore. Kur e mendoni rrugën tuaj artistike ndër vite, si ka qenë ajo?
Kam luajtur në Teatrin Kombëtar ende pa u diplomuar, në 1999 me shfaqjen “Ëndrra e një nate dimri” jashtë, në pishinën e teatrit. Ndërsa si aktore profesioniste, kam nisur që nga viti 2000 me shfaqjen “Stjuardesat” (“Boeing Boeing”) me regji nga Gëzim Kame, me aktorë të njohur, si RolandTrebicka, Mehdi Malka, etj. Ka qenë një rrugë e vështirë dhe jam krenare për çfarë kam bërë. Por mendoj se kam bërë shumë pak në lidhje me atë, që jam në gjendje të bëj.
-Pse e thoni këtë?
Më vjen keq që për role, që ndoshta duhet t’i merrja, nuk më kanë konsideruar. Është e kuptueshme, që çdo regjisor ka anën e vet subjektive. Unë nuk mund t’i gjykoj për këtë, por mendoj se po të kisha marrë ndonjë prej atyre roleve, do të kishte një veçanti tjetër jo të vogël shfaqja e tyre dhe këtë e them pa modesti. Kam potenciale, që njerëzit ende nuk i kanë zbuluar tek unë. Zoti më ka pajisur me shumë talente, kohët e fundit po krijoj edhe muzikë. Pavarësisht se nga këto kam regjistruar vetëm himnin “Teatri jemi ne”. Që e vogël kam kënduar në festivale dhe doja të bëja karrierë si këngëtare, por më pas iu kushtova një forme më komplekse, teatrit, i cili është maja dhe i përmbledh të gjitha llojet e arteve; këtu e gjej veten mirë. Kam punuar mirë me të gjithë. E kam filluar me brezin shumë më të vjetër se unë dhe vitet e fundit kam punuar edhe me aktorë shumë më të rinj se unë. Si duket, kam marrë atë që do të lakmonte çdo artist: kur je i ri, kërkon përvojën dhe kur shkon në moshë të mesme, ke nevojë për energjinë e të rinjve. Një nga arsyet që unë kujdesem shumë për veten, është se luaj në skenë me 20 vjeçarët. (qesh)
-Si është pritur “Hamami i grave” i Teatrit Shëtitës, shfaqja e fundit që ju jeni në skenë?
Regjisori Kiço Londo ka teatrin e vet privat dhe është dashamirës ndaj një game të gjerë aktorësh. Ende kemi shfaqje të tjera për të dhënë. Kemi qenë në disa qytete. Në Tiranë ende nuk kemi gjetur sallë, por shpresojmë që ende pa u mbyllur sezoni, të jemi edhe në Tiranë. “Hamami i grave” është një shfaqje shumë emancipuese, ka humor, dramacitet, jemi 6 aktore në skenë. Thyhet edhe ndonjë tabu. Është një nga ato shfaqje, që e vënë spektatorin në siklet, nuk e lënë rehat. Uroj që njerëzit, që kanë parë këtë shfaqje dhe ata që do të vijnë, të thyejnë paragjykimet e tyre ose të menduarit gabim.
-Ju folët për problemet në art, kritika për Ministrinë e Kulturës, por sa janë shqetësim dhe buxhetet që jep ministria për teatrot në aktivitetin artistik?
Mungesa e likujditeteve dhe shpërblimeve të arsyeshme për teatrin në Shqipëri është problemi kryesor. Shumë nga ne aktorët shqiptarë nuk na njohin jashtë vendit, as në Kosovë. Në 7 vite si aktore me veprimtari intensive në TKEKS, mezi kemi shkuar në 2 festivale modeste të teatrit të trojeve tona. Na janë anulluar disa shfaqje jashtë shtetit, shfaqje shumë të mira me regjisorë të huaj. Gjithçka se TKEKS, me rekord shfaqjesh në të gjithë republikën, ka qenë i keqfinancuar.
-Sa e vështirë është të jesh artist?
Jeta është e vështirë për këdo. Në këmbim të të mirave materiale dhe të qenit i konsideruar nga shoqëria, shumë njerëzve u duhet të bëjnë ndoshta sakrifica, që të tjerët i quajnë skandaloze vetëm t’i mendojnë. Të jesh artist është edhe më e vështirë. Të jesh artist me dinjitet është sfida e sfidave.










































