Këngëtarja kolumbiane, Shakira, ka ndarë një paraprirje të këngës së re zyrtare për Kupën e Botës 2026 në rrjetet sociale.
Video e shkurtër është filmuar në stadiumin Maracanã në Rio de Janeiro, ku artistja performoi së fundmi para mbi dy milionë njerëzve.
Kënga, e titulluar “Dai Dai”, interpretohet nga Shakira në bashkëpunim me këngëtarin nigerian dhe yllin e Afrobeats, Burna Boy, dhe do të publikohet zyrtarisht më 14 maj.
Kjo shënon herën e katërt që artistes së lindur në Barranquilla i kërkohet të këndojë një këngë për Kupën e Botës, pas “Hips Don’t Lie (Bamboo) në Gjermani 2006, “Waka Waka” në Afrikën e Jugut 2010 dhe Dare (La La La) në Brazil 2014.
Në një postim në rrjetet sociale nga Maracanã, Shakira shkroi: “Nga stadiumi Maracanã, ja ku është ‘Dai Dai’, kënga zyrtare e Kupës së Botës FIFA 2026.”
Turneu i FIFA-s do të nisë më 11 qershor me ndeshjen hapëse midis Meksikës dhe Afrikës së Jugut në stadiumin Azteca në Mexico City, ndërsa finalja është planifikuar për 19 korrik në stadiumin MetLife në New Jersey.









































