Myrto Uzuni e ka nisur kampionatin në MLS amerikane duke shënuar 4 gola e duke dhënë 4 asiste në 10 takimet e para të kampionatit. Në një intervistë të dhënë për FSHF TV, Uzuni foli për aventurën amerikane teksa u ndal edhe te Kombëtarja dhe merkatoja e janarit ku zbuloi prapaskena. “Është e vërtetë që e kam nisur shumë mirë. Vitin e shkuar nuk isha në nivelin ku shoh veten time.
Jam me 4 gola dhe 4 asiste në 10 ndeshjet e para dhe jam shumë i lumtur për këtë paraqitje. Unë këtu në SHBA vija nga Liga e dytë si Granada dhe La Liga. Isha në një ekip që më përshtatej dhe shënoja gola. Erdha në një ekip si Austin, me mentalitet tjetër dhe jam i lumtur që kam gjetur veten time.
Kombëtarja dhe ëndrra për të luajtur si kuqezi
Uzuni foli edhe për paraqitjet e Kombëtares kuqezi. “Kombëtarja ka bërë arritje. Të shkosh në “play-off” nuk është e lehtë. Kemi bërë maksimumin dhe ndeshje të mira me Serbinë si në Tiranë, ashtu edhe atje. Nuk ishte e lehtë dhe ishte pengu ynë. Normalisht jam i lumtur sepse për një futbollist është arritja më e madhe të përfaqësosh Kombin dhe mendoj është arritja më e madhe të luash për Shqipërinë. Jam munduar gjithmonë të jap maksimumin sepse ne sulmuesit kemi egon për të shënuar, ndërsa te Kombëtarja kam dhënë 120% edhe kur s’kam shënuar.
Realisht siç e thashë, të luash me Shqipërinë është arritja më e madhe dhe një ëndërr. Për mua personalisht, më bëhet mishi kokërr kur e vesh atë fanellë dhe kjo është e rëndësishme. Europiani është objektiv por kam luajtur në nivele të larta duke u përballur me Mesin e Ronaldon. Dua të jem në atë ekip që më bën njeriun më të lumtur. Atmosfera është shumë e mirë, grupi shumë i mirë dhe kualiteti është aty. Gjithmonë ka mundësi për t’u përmirësuar dhe ne duhet të shtyjmë veten tonë në limitet tona. Të luash për Kombëtaren është ëndërr”, u shpreh Uzuni.
Lëvizja në merkato
Uzuni tregoi nj rast kur ai mund të kishte qenë pjesë e Trabzonsporit turk. “Është e vërtetë që kisha ofertë shumë të mirë nga Trabzonspori me Ernest Muçin aty dhe mund të luaja me të sepse e kisha në Ferencvarosh. Ishte i mbyllur si transferim dhe është prishur për çështje 10 minutash. Trajneri më donte shumë dhe kam folur me ta. Kam folur me klubin tim, me presidentin dhe oferta ishte shumë e lartë, thuajse aq sa Austin më bleu te Granada.
Në futboll nuk i dihet kurrë. Sot je këtu dhe nesër nuk dihet se ku je. Tani jam shumë i lumtur në Austin dhe njerëzit kanë filluar të më mbështesin shumë. Është e vështirë të kesh mbështetje. Në Amerikë është vështirë. Kur vjen si “star”, njerëzit presin shumë dhe presin të bësh Mesin ose Ronaldon por aty bie besimi dhe duhen shumë lojtarë si yje. Ishte moment i vështirë por tani e kam gjetur veten”, theksoi ai.
Rivaliteti mesi-Ronaldo, Uzuni tregon kë ka idhull
“Kam luajtur ndaj Mesit e Ronaldos dhe kam qenë ndër më të mirët në fushë në të dyja ndeshjet. Isha unë, Morata dhe Ronaldo lojtarët e ndeshjes. Edhe këtë ndeshje isha një nga 3 më të mirët. Është motivim tjetër të luash ndaj atyre që i ke parë në TV duke ngritur trofe e Kupa. Ka qenë pas Kombëtares, arritja më e madhe për mua në nivel klubi. Të them të drejtën jam fans i Ronaldos dhe nuk kam komunikuar me Mesin. Jam fans tradicional i Ronaldos. Nuk i kam kërkuar fanellën”, nënvizoi Uzuni.








































