Peshëngritja shqiptare ndodhet në një moment të ndërrimit të brezave. Sportistët e gardës së vjetër, të cilët ende dominojnë skenën e shtangës me rezultatet e tyre, konsiderohen tashmë të vjetër dhe duket se federata e peshëngritjes është e fokusuar për të dhënë ndihmë tek të rinjtë. Por si kudo në sportin tonë, edhe në peshëngritje nuk ka sasi e për pasojë e vështirë të seleksionohet cilësia. Kjo përplasje mes të vjetrës dhe të resë, sikurse pretendohet në rrugën zyrtare të FSHP-së, nuk është në thelb problemi i vërtetë i peshëngritjes shqiptare, por raportet e tensionuara së fundmi mes njërit prej ikonave të shtangës shqiptare, Erkand Qerimajt, dhe kreut të federatës Elez Gjozaj.
Mes tyre ndër vite ka pasur “fërkime”, ku secila palë bën be se është në të drejtën e vet, por herën e fundit përplasja doli sheshit kur Qerimaj akuzoi federatën se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të mbrojtur rezultatin e tij në Europianin e Batumit në Gjeorgji, rezultat që e kishte dhënë “ok” gjyqtaria”, por e anuloi juria. Në të vërtetë, specialistë të ndryshëm janë shprehur se prova e realizuar nga Qerimaj është korrekte. Kaq është dashur dhe shpërthimi i Qerimajt të nxjerrë në pah edhe disa probleme të tjera të shtangës.
Presidenti Gjozaj në një prononcim në gazetën “SOT” ditë më parë tha se sportisti po i bënte presion, se ishte një gjobaxhi, duke shtuar se çështja do të kalojë në gjykatë. Qerimaj nga ana tjetër, me publikimet e tij ka kërkuar që të ketë transparencë në zhvillimet që shqetësojnë komunitetin e peshëngritjes, si fizioterapisti dhe doktori në Kombëtare, auditimi financiar dhe pakësimi i sportistëve, pa lënë mënjanë edhe rolin negativ të federatës në garën e tij në Gjeorgji, ku atij i iku nga duart medalja e bronztë dhe një shpërblim financiar prej afro 30 mln lekësh të vjetra që rridhte nga ky sukses. Gazeta “SOT” po sjell në këtë numër një intervistë më të zgjeruar me shtangistin e njohur Erkand Qerimaj.
– Keni prej disa ditësh që akuzoni Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe kreun e saj Elez Gjozaj se nuk ju mbështetën në garën që bëtë në Europianin e zhvilluar në Gjeorgji, ku prova juaj u quajt faull. Ju keni mbajtur qëndrimin tuaj për këtë çështje, duke shkuar deri në një përplasje akuzash e kundërakuzash me kreun e federatës. Por, përtej kësaj, a mendoni ta vazhdoni këtë betejë edhe më tej?
– Përplasjet e mia me zyrtarë e drejtues të federatës së peshëngritjes nuk kanë qenë vetëm për problemin tim, sikurse është rasti i garës në Batumi të Gjeorgjisë. Unë jam një zë i ngritur në mbështetje dhe në përkrahje të komunitetit të shtangës. Mua edhe në të shkuarën më ka ndodhur të vihem para gjyqtarisë, sikurse në Lojërat Mesdhetare në Algjeri. Atje më hoqën provën, por federata dhe KOKSH reaguan. Këtë herë unë u ndjeva i papërfaqësuar.
– Më fal, t’ju ndërpres, por kreu i federatës Gjozaj ka thënë se kanë apeluar vendimin për ju, por nuk ishin në gjendje të ndikonin te gjyqtaria, ndërhyrja te komisioni atje është e pakonceptueshme….
– Jo, jo, ai nuk u interesua fare. Ai aty ishte por nuk e bëri. Shkurt muhabetit, unë nuk jam ndjerë i përfaqësuar dhe i mbështetur nga federata ime dhe shteti im. Këtij mosinteresimi unë i kam bashkëngjitur në deklaratat që kam dhënë edhe shqetësimin tim për mungesën e fizioterapistit dhe të doktorit, apo mungesë uniformash, një problem që të dhëmb shumë.
Si mund të shkoj një skuadër kombëtare në një aktivitet kaq të rëndësishëm pa këta elementë? Federata nuk bëri atë që duhet të bënte çdo federatë tjetër, që të organizonte trajnerët në mënyrë të tillë që të sillte dobi për ekipin përfaqësues. Këtu nuk është fjala për Erkandin si sportist por për ekipin përfaqësues. Çdo vend që merr pjesë në veprimtari të tilla përfaqësohet si ekip, pavarësisht se gara është individuale. Ai i dërgoi trajnerët në tribunë. Ne duhet të ishim kompakt në këtë aktivitet. Mos harroni se vendet e tjera bëjnë maksimumin që të dalin sa më mirë si ekipe. Ti pse nuk e bën këtë, çfarë të pengon?
– Ai ju akuzon se keni ushtruar presion, se e keni kërcënuar e sulmuar. Për këtë thotë se do të ketë padi dhe proces gjyqësor…
– Këto qëndrime dhe presione të tij nuk më bëjnë përshtypje mua. Këto janë metoda të tij për të më bërë mua të mbyll gojën, por kjo nuk do të ndodhë. Unë jam mësuar me këto gjëra, ata më kanë kallëzuar edhe më parë, dua të them se unë jam mësuar me gjykatat.
Por, ndërkohë që ai merret me padi e kallëzime unë do të bëj detyrën time. Unë çështjen time do ta ndjek. Nuk jam njeri që krijoj probleme në sport, përkundrazi kam reaguar në të mirë të sportit. Unë jam sportist por jam edhe njeri me dy fakultete. Mua më takon të ngre zërin kur ka padrejtësi. Unë edhe në qëndrimet e dhëna gjatë ditëve të fundit kam ngritur disa shqetësime, që nuk janë shqetësime vetëm të miat, por janë problematika që shqetësojnë komunitetin e peshëngritjes. Në vend që të më bëjë mua presion me kallëzime e padi, duhet të japë sqarime për problematikat që unë kam ngritur.
– Të flasim për garën tuaj. Ju ishit në zonën e medaljeve nëse prova konsiderohej e rregullt. Sa jeni dëmtuar nga kjo dhe çfarë planifikoni në vazhdim?
– Unë në atë garë tentova edhe rekord europian me 157 kg. Me 184 kg në shtytje unë synoja një medalje bronzi në dygarësh. Por mua ma hoqën këtë me juri. Heqja e provës më privon nga shpërblimi, pasi me atë medalje unë përfitoja sipas ligjit një shpërblim afro 30 milionë lekë. Ndërkohë, unë vazhdoj ta ushtroj këtë sport, e do të vazhdoj për aq kohë sa i kam rezultatet e larta. Përpara kemi Lojërat Mesdhetare në shtator dhe do të përgatitem të marr pjesë. Në këtë vend peshëngritja bëhet me dy sportistë veteranë, unë e Briken Calja. I referohem këtu garës së fundit në Gjeorgji. Vetëm ne të dy kemi rezultate të nivelit europian.
– Ai ka dhënë një sqarim publik, ku thotë se ju jeni dashakeqës, se nuk i shihni sukseset e federatës dhe se pretendimet që ngrini janë pjesë e një plani që ju të kandidoni për president të federatës së peshëngritjes. Sa qëndrojnë këto dhe a do të kandidoni ju për president i FSHP-së?
– Ju po flisni për dy çështje krejt të ndryshme. Megjithatë, mund të them se momentalisht nuk e kam një përgjigje për këtë, pra nuk e kam si ide për të kandiduar për president federate, por unë nuk mund ta ndal atë të shprehë mendimet e veta. Nga ana tjetër, unë jam në të drejtën time të shpreh mendimet e mia. Unë i kam radhitur disa problematika që shqetësojnë sot peshëngritjen shqiptare dhe përgjigja e tij është se unë që ngre këto problematika paskam në plan të kandidoj për president federate.
Më fal, a ka ndonjë përgjigje për çështjet që kam ngritur, se zgjedhjet në federatë janë një çështje tjetër jashtë temës për të cilën po flasim. A e dini ju se po marrim sportistë nga jashtë pasi nuk kemi sportistë. Në kategorinë e të rinjve ka dalë kampion kombëtar një ekip me 2-3 sportistë, ndërkohë që një ekip duhet të ketë 8 sportistë minimumi që të përfaqësohet në çdo peshë.
Në kategorinë e të rinjve nuk ka asnjë ekip me 8 vetë. Ky po që është shqetësim, a ka përgjigje ai për këtë? Ai i jep titullin kujt dëshiron vetë. Ka arritur deri atje sa të pranojë gara online, diçka e padëgjuar as në kohën e pandemisë. Pasi, siç e dini, sporti i peshëngritjes nuk është sport me kontakt fizik dhe ka mundur të bëjë gara të rregullta edhe në pandemi. Po si mund të zhvillohen kampionate online, pa gjyqtari, pa peshim, pa kontroll?
– Ju në qëndrimet tuaja të fundit keni radhitur shumë problematika në peshëngritje. Pse tani?
– Shqetësimet që unë kam ngritur nuk janë të kohës së fundit, unë në vijimësi kam patur reagime të tilla përgjatë karrierës 25 vjeçare në peshëngritje. Siç e thashë, unë jam njeri me dy universitete dhe gjykoj se intelektualët duhet ta ngrenë zërin për gjëra që shqetësojnë komunitetin. Edhe unë këtë gjë kam bërë. Kam kërkuar auditim nga ministria e sportit për federatën e peshëngritjes. Pse nuk është bërë? Ky auditim duhet bërë pa e ngritur unë fare shqetësimin, pasi është detyrë e institucionit. Unë po pyes: Ku janë pasqyrat financiare? Në vend që të më kërcënojë mua me padi dhe të aludojë për kandidimin ose jo timin për president të FSHP-së, le të na bëjë publike pasqyrën financiare të federatës.
Ne nuk jemi në diktaturë, jetojmë në demokraci ku mund të shprehim mendimet tona dhe njëherësh të kërkojmë llogari për problemet që shqetësojnë sportin. Ne nuk jemi në diktaturë ku ky mund të kërkojë të na mbyllë gojën. Ne jemi një vend që kemi nxjerrë Greqinë kampione bote me sportistë të mëdhenj. Edhe vetë ne kemi qenë me shumë sportistë në garat e mëdha, përfshi me 5 sportistë në Lojërat Olimpike në Londër 2012, si maksimumi ynë olimpik. Herën e fundit në Paris 2024 ne nuk patëm asnjë sportist të peshëngritjes.
A ka ndonjë fjalë për të thënë ky president për këtë rënie drastike? Dy dekada më parë peshëngritja shqiptare ishte nga më të mirat në kontinent, me një plejadë të rinjsh të talentuar. Kishim shumë sportistë dhe radhiteshim ndër më të mirët në Europë. Ky president ç’mund të na thotë sot për këtë pakësim ekstrem të shtangës, aq sa e ka çuar në vdekje klinike? Këto probleme që unë kam ngritur nuk janë shqetësime vetëm të miat, janë shqetësime të komunitetit, por këto duhen diskutuar në mbledhje të hapura, gjë që presidenti i federatës nuk e ka bërë.
Që t’i kthehem pyetjes tuaj: Unë këto probleme i kam ngritur edhe më parë, i ngre më me forcë tani pasi peshëngritja po shuhet. Ndërkohë që duhet të merret me këto probleme, ai merakoset a do të kandidoj unë apo jo për president. Pra hidhet nga një degë në tjetrën, duke mos u marrë me problemet reale që shqetësojnë sot peshëngritjen shqiptare.

– E megjithatë, ai thotë se me Erkand Qerimajn do të shihemi në gjyq, pasi “më ka kërcënuar”…
– Nuk është aspak e vërtetë. As e kam kërcënuar e as e kam qëlluar, por ai vijon të ngrejë akuza, por s’ka prova. Ai gënjen tërë ditën, ai bën teatër. Po pse e bën ai këtë? Ai e bën këtë për të më ulur figurën, për të më njollosur. Por ai nuk do të mund ta ulë figurën e Erkand Qerimajt, arritjet e tij me djersë e mundim të madh, me shpifje të ulëta. Unë i kam radhitur disa probleme, si auditimin financiar, pakësimin e numrit të sportistëve, mungesën e uniformave, fizioterapistit e doktorit, garat dhe titujt online që janë skandal i padëgjuar dhe mungesën e pasqyrës financiare, pra mungesën e transparencës.
Ndërkohë që unë i ngre këto shqetësime, ai thotë Qerimaj do të kandidojë për president. Për çfarë flasim ne, e ku i rreh atij! Ndërkohë që ne ngremë shqetësime për komunitetin ai e sheh federatën si pronë private, si një monarki ku ai duhet të jetë mbret absolut. Por federata s’mund të jetë monarki e presidentit, ajo duhet të jetë një institucion që bën transparencë, e ka detyrim me ligj këtë gjë.
Intervistoi: Adriatik BALLA






































