Një stinë koncertore me muzikë të bukur është përgatitur për Fakultetin e Muzikës, që këtë vit mbush 60 vjet nga dita e krijimit. Kjo stinë koncertore është me pjesëmarrjen e studentëve, pedagogëve dhe shumë të ftuarve. Universiteti i Arteve ka publikuar dhe kalendarin e stinës koncertore për 60- vjetorin e Fakultetit të Muzikës. Koncertet nisin këtë mbrëmje dhe do të vijojnë deri në muajin qershor. Profesor Haig Zacharian vlerëson stinën koncertore, që është përgatitur për këtë përvjetor. Sipas tij, është hera e parë që ka një sezon të larmishëm artistik. “Ky është një përvjetor shumë i rëndësishëm për fakultetin, sepse janë 60 vjet. Rëndësi ka që kemi mundësinë ta festojmë. Është bërë një program i madh muzikor, pasi ka aktivitete deri në muajin qershor. Një program i tillë nuk është bërë vite më parë kur kemi pasur përvjetorë, por janë bërë vetëm një apo dy koncerte, ndërsa tani është bërë një sezon koncertesh me program të pasur muzikor, ku dalin të gjitha klasat”, thotë ai. Në koncertin e parë për këtë përvjetor do të luhet dhe vepra “Andante”, të cilin kompozitori dhe profesori i arteve Haig Zacharian tregon se e ka shkruar disa vite më parë. “E kam shkruar që nga vitet ‘90. Në përgjithësi repertori muzikor është i luajtur nga orkestra, por janë dhe dy vepra të reja muzikore”, thotë profesor Zacharian, i cili ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës, që janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe jashtë: Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë.
Programi i koncertit të parë
Këtë mbrëmje koncerti i parë zhvillohet në hollin e Universitetit të Arteve në orën 19:00. Koncerti i Orkestrës Simfonike të Fakultetit të Muzikës është me dirigjent Petrika Afezollin dhe përmban një program, ku janë vepra nga pesë autorë shqiptarë. Koncerti përmban “Valsi i trëndafilave” nga Aleksandër Peçi; Romancë Solist nga Albert Paparisto, Bashkim Barbullushi klarinetë; “Andante” nga Haig Zacharian; Simfoni për orkestër harqesh, koha e II-Feim Ibrahimi, solist Orges Malaj fagot; “Scherzo” nga Edmond Buharaja, por pjesë e programit muzikor është dhe Simfonia no. 5 nga Ludwing van Beethoven. Fillimet e Fakultetit të Muzikës datojnë më 15 janar të vitit 1962, me çeljen e Konservatorit Shtetëror të Tiranës. Katër vite më vonë, më 4. 5.1966, me bashkimin e tre shkollave të larta artistike të pavarura, shkolla e Dramës “Aleksandër Moisiu”, shkolla e Arteve Pamore dhe Konservatori, u themelua Instituti i Lartë i Arteve. Ashtu si edhe të dy degët e tjera, Dega e Muzikës në Institutin e Lartë të Arteve veproi që prej asaj kohe si një degë e pavarur. Më 1989, të tri degët e Institutit të Lartë të Arteve u shndërruan në fakultete dhe për rrjedhojë, dega ekzistuese e muzikës u transformua në Fakultetin e Muzikës, duke e ruajtur këtë cilësi edhe pas vitit 1991 kur Instituti i Lartë i Arteve mori emrin Akademia e Arteve, e me pas në vitin 2011 Universiteti i Arteve.






































