Zgjerohet harta e dëmeve nga tërmeti, 1.183 shtëpi të shembura dhe 588 pallate të pabanueshëm, ja situata në Durrës, Lezhë dhe Tiranë

0
311

Thellohet bilanci i dëmeve që la pas tërmeti shkatërrimtar i datës 26 nëntor. 1.183 shtëpi janë shembur deri tani, ndërsa 588 pallate janë shpallur të pabanueshëm. Sakaq harta e qyteteve që kanë pësuar dëmtime është shtuar, duke prekur kështu Durrësin, Tiranën, Lezhën, Dibrën, Kukësin, Fierin, Elbasanin dhe Beratin. Në një deklaratë për mediat, zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda, tha se nga të dhënat e grumbulluara deri në orën 12 të ditës së djeshme, 3 dhjetor 2019, në total ka 1183 shtëpi të shembura, 5497 të dëmtuara rëndë dhe 3520 shtëpi të dëmtuara lehtë dhe janë kryer mbi 8000 inpsektime. Dëme janë evidentuar dhe në biznese, ku vetëm në Tiranë janë identifikuar 146. Gjithashtu dëmtime ka pasur edhe në infrastrukturën publike, me 28 shkolla të dëmtuara, 2 qendra shëndetësore dhe 15 kabina elektrike. Ndërkohë qarqet që janë më të dëmtuara, janë Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Ndërsa qarqet e tjera ku ka më pak dëmtime, janë Dibër, Kukës, Fier, Elbasan, Berat. Në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër, deri më tani, ka 1183 shtëpi të shembura, ku 1050 janë në Durrës, 131 në Tiranë dhe 2 janë në Dibër. Ndërsa shtëpi të dëmtuara janë 5497, ku 1311 janë në Durrës, 168 në Lezhë, 150 Kukës,13 në Dibër dhe 34 në Elbasan. Ndërkohë shtëpi të dëmtuara lehtë janë 3520, ku në Tiranë janë 3199, në Dibër 73, dhe në Elbasan 248. Sakaq ka 558 pallate të dëmtuara rëndë, ku 35 janë në Durrës, 461 në Tiranë, 56 në Lezhë, 4 në Kukës, 1 në Dibër dhe 1 në Elbasan. Ndërsa pallate të dëmtuara lehtë janë 335, ku në Tiranë janë 328 dhe në Elbasan 7. Siç u përmend edhe më sipër, dëmtime ka pasur edhe në institucione publike, ku ka 28 shkolla të dëmtuara, 11 në Tiranë, 5 në Lezhë, 3 në Kukës dhe 9 në Elbasan. Po ashtu ka 15 kabina elektrike të dëmtuara, të gjitha janë në Tiranë. Ndërsa ka edhe 146 biznese të dëmtuara, po ashtu në Tiranë. Ndërsa, qendra shëndetësore janë vetëm 2, në Tiranë dhe në Kukës. Në Shijak janë 45 objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, 30 pallate të dëmtuara rëndë. Në Durrës 610 objekte të inspektuara, nga ku 237 janë  të pabanueshme.

Objektet e shembura

Dje ka vijuar shembja e objekteve të dëmtuara nga tërmeti. Në qarkun Durrës për periudhën 29 Nëntor-2 dhjetor janë shembur nga rreth 17 objekte, prej të cilave 12 objekte janë shembur në Durrës ndërsa 8 objekte janë shembur në Thumanë. Në Thumanë është shembur një pallat i rrezikshëm për tu banuar. Ndërkohë kampi që ishte ngritur në Thumanë është çmontuar, ndërsa banorët janë strehuar në hotele kryesisht në Shëngjin dhe zonat përreth. Sakaq është shembur dje në mënyrë të kontrolluar me lëndë plasëse pallati 6 katësh në zonën e Plazhit në Durrës, që ishte bërë i pabanueshëm nga tërmeti tragjik. Dy orë para shpërthimit u bë evakuimi i banorëve të dy pallateve ngjitur, ndërsa në momentet e fundit u bllokua edhe qarkullimi i mjeteve për disa minuta. Shembja u realizua pa asnjë incident dhe shkoi sipas parashikimit të ekspertëve që vendosën eksplozivin që godina të binte nga krahu i rrugës sipër plazhit nga ana lindore, në mënyrë që të mos dëmtonte dy pallatet e tjera që ishin ngjitur. Në këtë ndërtesë dy katet e para ishin biznes, ndërsa katër të tjerat për banim, por jetonin vetëm 4 familje, pasi pronari, që nuk banonte aty, e shfrytëzonte për qira në sezonin e verës. Pallati ishte ndërtuar 6 vite më parë. Por pronari i 6 katëshit që u shemb me eksploziv kishte në plan të vijonte shtesën e kateve, pasi kishte lënë fijet e hekurit. Ndërkohë që shembjet pritet që të vijojnë.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here