Prokuroria zbret në terren, urdhër policisë dhe bashkive të ndalin shembjet e paautorizuara, sekuestrohen dosjet për pallatet e 10 viteve të fundit

0
344

Prokuroria e Tiranës dhe e Durrësit kanë nisur punën e tyre, pas shembjeve në masë të ndërtesave si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Një ditë pas tërmetit tragjik, që mori 52 jetë njerëzish, Prokuroria e Tiranës regjistroi procedim penal për nisjen e hetimeve për ndërtimet abuzive. Ndërsa vetëm dy ditë më parë, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar bashkisë së kryeqytetit dhe policisë që para çdo shembje ndërtese të lajmërojnë organin e akuzës. Lista e kërkesave vijon me listën e banesave të dëmtuara, gjithashtu ka kërkuar dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëme nga tërmeti. “Në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është regjistruar procedim penal për veprat penale të parashikuara. Për nevojat e kryerjes së veprimeve hetimore në funksionim të procedimit penal kërkojmë nga ana juaj të informohemi duke na vënë në dispozicion: listën e plotë të ndërtimeve të evidentuara nga ana juaj si të prekura nga tërmeti dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime; për çfarë lloj situate në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit, të njoftohet paraprakisht prokuroria e cila vë në dispozicion grupin hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve; dokumentacionin e plotë tekniko- ligjor të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti”, shkruhet në kërkesën e firmosur nga prokurorja e përgjithshme, Elisabeta Imeraj, drejtuar Bashkisë dhe Policisë së Tiranës. Përpos kërkesave, Prokuroria e Tiranës i ka vendosur afat bashkisë dhe policisë deri më datën 5 dhjetor, që t’i dorëzojë këto informacione.

Prokuroria e Durrësit

Prokuroria e Durrësit, në kuadër të hetimeve të hapura për godinat e shembura, ka sekuestruar dokumentet e lejeve të ndërtimit në Zyrën Urbanistike të 10 viteve të fundit për qindra pallate e godina, që u shkatërruan nga tërmeti i 26 nëntorit. Prokuroria e Durrësit bëri të ditur se pasi studioi dosjen penale për veprat penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, ka konstatuar se dëmtimet e ndërtesave në Durrës kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve pa leje, si dhe ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat në fushën e ndërtimeve. “Dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në vdekje të njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i ndërtimeve pa leje, si dhe ndërtimeve të kryera pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimeve. Po kështu dyshime ka se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, si dhe nga moskryerja e detyrës nga nëpunësit shtetërorë dhe publikë të ngarkuar me kontrollin e mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve”, shkruhet në vendimin e Prokurorisë së Durrësit. Në këtë vendim, organi i akuzës bën të ditur se ka vendosur sekuestrimin e legalizimit të objekteve, lejet e ndërtimin, inspektimet e ndërtimit, pranë Bashkisë së Durrësit, Kadastrës së Durrësit, I.M.T-së në Durrës dhe I.K.M.T në Tiranë, Degës Rajonale Tatimore Durrës. Ndërkohë që vetëm një ditë më parë, 10 prokurorë, nga ku 6 janë pjesë e Prokurorisë së Durrësit dhe 4 të Tiranës, kanë shkuar në zyrën e Kadastrës në Durrës, në kuadër të sekuestrimit të provave që po bëhen për hetimet në lidhje me pallatet dhe ndërtesat që ka pasur abuzime me ndërtimin. Në terren prej ditësh, organi i akuzës ka marrë në terren mostrat e nevojshme, të cilat do të analizohen në laboratorë, ku dhe do të përcaktohet fortësia e tyre. 

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here