Një skandal i ri po trazon rrjetin ku dhjetëra qytetarë akuzojnë platformën financiare JetBank për mashtrim publik, papërgjegjshmëri dhe vonesa të pashpjegueshme në shpërndarjen e bonuseve të premtuara me rastin e hapjes së llogarive të reja.Nga bisedat e zbardhura dhe denoncimet e bëra publike në rrjetet sociale, klientët shprehin indinjatën e tyre ndaj shërbimit të mbështetjes së JetBank, duke i akuzuar se po përdorin skema me afate rreme për të tërhequr përdorues.
Sipas premtimeve zyrtare të platformës, çdo bonus për hapjen e llogarisë duhej të kalonte brenda 48 orësh, por shumë prej tyre raportojnë se kanë kaluar ditë me radhë, në disa raste deri në 5 ditë, pa marrë asnjë zgjidhje konkrete.”Jepni përgjigje me tekst të kopjuar, s’ju besojmë më!”. Në mesazhet e publikuara shihet qartë irritimi i qytetarëve, të cilët përballen me përgjigje automatike dhe arsyetime të përsëritura ditë pas dite nga stafi i JetBank.
Klientët i drejtohen suportit të JetBank me fjalët: “Nga 48 orë u bënë 72 e deri në 5 ditë vetëm gënjeshtra. Pse mashtroni? Se ju që për një bonus të vogël nuk jeni korrekte si kompani, jo më t’ju besojmë për gjëra të tjera!”. Por përballë përgjigjeve klishe të llojit “prisni deri nesër” apo “kërkesa juaj është marre në konsideratë”, qytetarët pretendojnë se situata prek me dhjetëra persona të tjerë që kanë rënë pre e të njëjtit premtim.
Kërkohet mbyllja urgjente e llogarive në JetBank
Ndërkohë situata ka degraduar deri në pikën ku klientët po refuzojnë çdo lloj tentative për sqarime telefonike nga ana e përfaqësuesve të JetBank, duke kërkuar vetëm një gjë: mbylljen e menjëhershme të llogarive të tyre financiare.”Nuk dua asnjë gjë. Me mbyllni llogarinë tani!
Thjesht bëra atë që të tjerët mos të bien pre e mashtrimeve tuaja,” shkruan një nga denoncuesit në komunikimin me JetBank, ndërkohë që banka vazhdon të kërkojë kohë për shqyrtim nga departamentet përkatëse.Rasti po bën xhiron e rrjetit duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë, korrektësinë dhe transparencën e JetBank dhe platformave të ngjashme që premtojnë shpërblime të shpejta për të tërhequr përdorues të rinj.
Kush është “JetBank”?
Ndërkohë kujtojmë se JetBank është banka më e re në Shqipëri, e cila ka hyrë në tregun financiar me pretendimin për të sjellë një revolucion tërësisht digjital. Për të tërhequr një numër të madh klientësh në kohë rekord, kjo bankë po përdor strategji agresive marketingu, duke ofruar komisione zero për transfertat dhe norma mjaft joshëse interesi për depozitat.
Qasja e saj pa degë fizike dhe hapja e llogarive brenda få minutave nga telefoni ka tërhequr veçanërisht moshën e re dhe sipërmarrësit digjitalë. Megjithatë, hyrja e saj me ritme të tilla në tregun shqiptar ka nxitur menjëherë debate të nxehta në ambientin politik.Opozita ka hedhur akuza të forta, duke e lidhur bankën me eksponentë të mazhorancës dhe duke ngritur dyshime për burimin e kapitalit të saj.
Sipas denoncimeve opozitare, banka po përdoret si një instrument për pastrimin e parave dhe për monopolizimin e transaksioneve digjitale në vend.Po ashtu, kritikët politikë pretendojnë se Banka e Shqipërisë ka treguar favoritizëm gjatë procesit të licencimit të saj, duke shmangur kontrollet e rrepta financiare. Opozita paralajmëron se kjo skemë rrezikon stabilitetin e sistemit bankar dhe cenon sigurinë e të dhënave të qytetarëve.
Nga ana tjetër, mbështetësit e projektit e shohin këtë sulm si një përpjekje politike për të bllokuar modernizimin e financave. Kështu, JetBank është kthyer nga një risi teknologjike në një fushëbetejë të re përplasjesh mes opozitës dhe pushtetit.







































