Pamjet me dron tregojnë përmasat e dëmeve të shkaktuara nga zjarri që “përpiu” mbrëmjen e kaluar zonën e Himarës.
Siç shihet edhe nga pamjet, banesa, ullishte dhe sipërfaqe të tëra pyjore janë përfshirë nga flakët, duke lënë pas një panoramë të shkrumbuar. Flakët dogjën gjashtë shtëpi, tre prej tyre të banuara, ndërsa 36 persona u evakuuan nga zona e rrezikut.
Gjatë kaosit, banorët tentuan të mbronin pronat e tyre duke lagur oborret me ujë dhe më pas janë larguar për shkak të rrezikut të madh.
Në rrezik u ndjenë edhe turistët që kishin zgjedhur Himarën për pushime, të cilët u detyruan të merrnin valixhet dhe të iknin. Pas shumë orësh në “luftë” me flakët, sot, situata paraqitet më e qetë, pasi është ndërhyrë nga ajri që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm.







































