Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të presë sot për herë të dytë kryeprokuroren e Durrësit Anita Jella, njëkohësisht edhe kandidate për SPAK. Seancën e 4 tetorit të këtij viti, Komisioni e shtyu pasi ONM-ja solli disa gjetje të reja për subjektin e rivlerësimit. Për Jellën hetimi ka përfunduar për të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, prokurorja Anita Jella nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003. Ndërsa, në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 9.9 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej rreth 713 mijë lekësh. Pasuria e patundshme e prokurres përbën pjesën kryesore të aseteve me vlerë 9.3 milionë lekë. Prokurorja gjithashtu ka deklaruar kursime në cash prej 450 mijë lekësh dhe një automjet me vlerë 150 mijë lekë. Ajo ka deklaruar të ardhurat familjare 25.7 milionë lekë, ku rreth 57 për qind e të ardhurave burojnë nga paga për shkak të funksionit të prokurorit, ndërsa rreth 40 për qind kanë si burim pagën e bashkëshortit. Raporti gjithashtu ka pasqyruar dhe kontrollin aritmetik të subjektit, ku në 14 deklarata të bëra nga subjekti, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme. Pas analizës cilësore të deklaratave të pasurisë, problem u has në hapjen e llogarive bankare në vitin 2010 nga subjekti dhe bashkëshorti i saj me qëllim aplikimin për vizë. Shumat e depozituara janë përkatësisht 400 mijë dhe 500 mijë lekë, me burim nga llogaria rrjedhëse e nënës së bashkëshortit. Për vitin 2016, prokurorja e Durrësit Anita Jella ka deklaruar një apartament banimi me sipërfaqe 113 m2 dhe vlerë 67 900 euro, e përfituar nga ana e bashkëshortit të subjektit në këmbim të heqjes dorë nga një apartament i mëparshëm i blerë në vitin 2011 në të njëjtën godinë. Në fund të vitit 2017, detyrimi ndaj firmës ndërtuese për këtë apartament është 12 900 euro. Kandidatja për SPAK Anita Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Karrierën e ka filluar si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007. Më tej, Anita Jella u emëruar prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua përkohësisht drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.