Arkivi, gjashtë filma nevojë urgjente për restaurim, mungon laboratori

0
795

Ishin vitet ‘50 kur në Shqipëri filluan të prodhoheshin filma nga Kinostudioja “Shqipëria e re”. Pikërisht këto prodhime filmike do të bëheshin baza, ku më vonë do të ngrihej puna e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Me koleksion të krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, sot, Arkivi Shtetëror i Filmit numëron mbi 6000 tituj filmash, prej të cilëve më shumë se 4000 tituj filmash shqiptarë.

Tabela me të dhënat për nr e filmave

Këta filma përbëjnë një dokumentacion historik të vlerës së veçantë, që me kalimin e kohës merr edhe më tepër vlera, por edhe mund të bjerret. Një nga arsyet e bjerrjes së këtyre vlerave lidhet me mënyrën e ruajtjes së këtyre materialeve ndër vite, apo mungesën e restaurimit të atyre filmave që kanë nevojë për diçka të tillë.  Në Arkivin Shtetëror të Filmit janë disa filma që i janë nënshtruar procesit të restaurimit këto vitet e fundit.

Lista me filmat e restauruar

“Nëntori i II” – filmi i parë që u zgjodh për tu restauruar, jo për nga nevojat që kishte, por si film me motive të forta kombëtare. Ky restaurim u bë në sajë të “Albanian Cinema Project” (ACP), një organizatë jofitimprurëse, e cila u krijua për të ndihmuar kinematografinë shqiptare. ACP në bashkëpunim me “Library of Congress” në Ëashington morën përsipër restaurimin e këtij filmi.

“Përrallë nga e kaluara”

“Përjetësi”

“Tomka dhe shokët e tij”

Ndërkohë, nevojë urgjente për restaurim kanë edhe të tjerë filma, të cilët qëndrojnë në pritje të këtij procesi, pa ditur se kur mund të restaurohen, për shkak të mungesës të investimeve të duhura.

Filmat që kanë nevojë për restaurim

Filmi Artistik

“Mësonjëtorja”

“Ballë për ballë”

“Liri a vdekje”

“Në shtëpinë tonë”

“Vajzat me kordele të kuqe”

“Koncert në vitin 1936”

Filmi Dokumentar

“Kukësi i ri”

“Ushtri e popullit ushtar”

“Mirë se erdhe midis nesh”

“Kongresi i 8 i B.G.SH”

“Kremtimet e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit”

“Shoku Enver Hoxha takohet me zgjedhësit”

“Këngët tona për ty parti”

“Demokracia proletare, demokraci e vërtetë”

“Koncertet e Majit”

“Lumja ti moj Shqipëri”

“Perimet”

“Ne jemi lulet e partisë”

“Ansambli ynë në Itali”

“Këndon Atdheu ynë”

 “35 vjetori i kongresit të Përmetit”

“Kongresi i 5 i Frontit Demokratik”

“Me forcat tona me hov revolucionar”

“Suksesi i ri i Ansamblit”

“Jeta dhe vepra e Hysni Kapos”

“Nënë Shqipëri”

“Traditat tona në lundrim”

“Jeta e një tribune”

“Para shfaqjes”

Të gjithë këta tituj filmash, siç bëjnë me dije specialistët e Arkivit të Filmit dhe drejtuesja e tij, Iris Elezi, janë prodhime të viteve 1978-1983, gjatë kohës kur Kinostudio kishte probleme në furnizimin me lëndë të parë për laboratorin. Për Shqipërinë ishin vite izolimi dhe solucionet kimike merreshin nga vende të ndryshme, duke “sajuar” kështu kombinimin që duhej për larjen e filmave në laborator. Dekolorimi i ngjyrave të filmave u vu re menjëherë pas një viti, kështu që për disa tituj filmash, (kryesisht artistikë) u bënë kopje bardhë e zi. Por Negativi qëndron të jetë me ngjyra dhe në fazë dekolorimi të vazhdueshëm.

Drejtoresha Iris Elezi ngre problemin e mungesës së një skaneri, i cili po të gjendej në Arkivin tonë do të bënte që filmat të restauroheshin në Shqipëri, në mënyrë profesionale dhe më shpejt.

Por, si përzgjidhen filmat që i nënshtrohen restaurimit?!

RESTAURIMI DHE PROCESI I DIXHITALIZIMIT

Nëse iu referohemi filmave të restauruar deri më tani, specialistët e Arkivit bëjnë me dije se qëllimi i zgjedhjes së tyre është bërë pikërisht për tërheqjen e vëmendjes së publikut për kinemanë shqiptare, jo sepse këta tituj kishin emergjencë në gjendjen fizike të tyre, por sepse  tërheqja e vëmendjes sjell dhe tërheqje fondesh nga të huajt. Ndërsa drejtoresha e Arkivit, Elezi thekson se restaurimi dhe vlerësimi i filmave duhet të bëhet mbi të tjera baza.

Edhe inxhinierja kimiste pohon rëndësinë e ruajtjes së shiritave filmikë, pavarësisht titujve të filmave, pasi nëse ata kanë dëmtime mund të bëhen shkak për të dëmtuar edhe të tjerë filma.

Troqe tregon se si ruhen filmat në arkiv dhe mënyrën se si më pas punohet me ta. Ajo shpjegon se në Arkivin e Filmit bëhet vetëm restaurimi fizik i filmit, si dhe hedhja e informacionit të filmit në format dixhital. Rezolucioni i imazhit përcaktohet nga nevoja që ka kërkesa, pra, nëse është për nevojë personale ose nëse duhet për prodhime derivate.

TABELE

Procesi i restaurimit dhe procesi i digjitalizimit janë hallka të një procesi. Procesi, që është standart në laboratoret e huaja, por jo në Shqipëri, quhet procesi i dixhitalizimit dhe është i ndërtuar nga 5 hallka:

 1.        kontrolli fizik i filmit

2.         përgatitja/skanimi në format dixhital

3.         procesi i korrigjimit të ngjyrave/zëri/stabilizimi

4.         ruajtja në format dixhital (e cila varet nga kërkesa që vjen (HD, 2K, 4K)

5.         printimi në 35 mm (për ruajtje arkivale)

Ndërsa, procesi i dixhitalizimit është një punë e vazhdueshme, sepse, siç vëren Troqe, teknologjia ndryshon. Ajo thekson, ashtu si dhe drejtoresha Elezi, se nëse merret një skaner atëherë çdo gjë do të fillojë të dixhitalizohet nga fillimi, sepse rezolucioni do të jetë maksimal.

Për çdo dalje të filmit nga magazina ka një kartelë teknike, e cila është si kartela mjekësore e njerëzve.

KRIZA E ARKIVAVE ME MATERIALE 35 MM

Kohët e fundit prodhimi i filmave nuk bëhet më në formatin 35 mm, por në formate dixhitale, ndaj sipas specialistëve të Arkivit të Filmit, për të bërë kopje të filmit është shumë e shtrenjtë.

Troqe ngre gjithashtu problemin e mungesës së një laboratori filmi dhe mungesën e fondeve.

Troqe shpjegon se kostoja e restaurimit të një filmi varion në bazë të gjendjes së tij dhe nuk ka asnjëherë kuota fikse. Sipas saj, ajo që e bën më të shtrenjtë këtë proces është korigjimi i ngjyrave dhe sjellja e zërit origjinal. Përcaktimin e kostos të filmit e bën testi që çohet për të parë gjendjen dhe kryesisht, kjo kosto varion nga 18 mijë dollarë në 50 ose 60 mijë dollar, në varësi nga dëmet që ka filmi.

RESTAURIMI I FILMIT TË VITIT 1913, MATERIALI MË I HERSHËM NË ARKIV

Por, ndërkohë që gjashtë filmat artistikë që kanë nevojë urgjente për restuarim dhe që parashikohet të kenë një kosto shumë të madhe janë lënë në pritje për mungesë fondi, shumë shpejt, restaurimit në Arkivin Shtetëror të Filmit do t’i nënshtrohet një film i vitit 1913 që tregon për dorëzimin e Shkodrës malazezëve nga Esad Pashë Toptani. I gjetur në kinotekën e Malit të Zi, ky film, pas restaurimit do t’i shtohet pasurisë së Arkivit tonë, duke u bërë edhe materiali më i hershëm i tij.

PËRZGJEDHJA E FILMAVE, RESTAURIMI DHE SHFAQJA

Elezi thekson edhe njëherë që restaurimi i filmave duhet të shkojë përtej emrave të regjisorëve apo titujve të filmave.

Ndërsa e pyetur për idenë e ndalimit të filmave të komunizimit për shkak të ideologjisë së indoktrinuar të tyre, apo shfaqjen e tyre përmes një filtri pastrues, Elezi vëren se sipas saj ky debat nuk bëhet në mënyrën e duhur.

Si përgjigje për mënyrën se si duhet të shfaqen filmat e para ’90-ës, në mënyrë që të kuptohen siç duhet në kontekstin e kohës, Elezi sjell shembullin e aktivitetit që Arkivi i Filmit ka realizuar në Tiranë që prej nëntorit të 2017-ës, Shfaqje e kinematografisë së viteve ‘90.

Ajo vëren se synimi i saj dhe punonjësve të Arkivit është që ky i fundit të bëhet një ndër vendet që vizitohet më shumë në Tiranë.

Elezi vëren se rëndësia e Arkivit të Filmit shkon përtj ruajtjes së trashëgimisë filmike, pasi në të ruhet çdo gjë që lidhet me krijimin kinematografik.

Ajo tërheq vëmendjen që kjo pasuri duhet të ruhet në dy ndërtesa, ashtu siç ndodh kudo në botë.

Për të përfunduar, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit është një nga arkivat më të rëndëishëm të vendit tonë në fondin e të cilit ruhen materiale arkivale të grumbulluara nga privatizimi i të gjithë filmave artistikë, dokumentarë dhe kronika të prodhimit të huaj, që nga shfaqjet e para luftës deri në përfundim të luftës së dytë botërore, të konsideruara plaçkë lufte.

Koleksione të artë

Fondi i artë shqiptar me veprat më të mira kinematografike të regjisorëve shqiptarë më të njohur, si: Hakani, Erebara, Dhamo, Anagnosti, Gjika, Milkani, Keko, Fejzo, Hoshafi, Kumbaro, Ljarja, Muça, Mitro, Mysliu, Pecani, Prifti, Çashku, Topallaj, Zhabjaku, Dafa, Tane, Ibro, Xhuvani, Minarolli, Koçi, Bisha, Ruka, Minga, Shanaj, etj.

Koleksioni klasik i kinematografisë botërore me vepra të Eisenstein, Cukor, Engels, Camerini, Blasetti, Mastrocinque, Castellani, Ballerini, Bragaglia, Damiani, De Sica, Lizzani, Rosselini, De Santis, Visconti, Zeffireli, Dreville, Pagnol, Tourneur, Hitchcock, Goldëyn, McDonald, Baky, Froehlich, Sellers, Kazan, etj.

Koleksioni LUCE: AQSHF ka në fondin e vet një pjesë të konsiderueshme të prodhimit italian arkival historik të Institutit Luce, i cili përbën 10 % të fondit.

Materialet filmike të depozituara sipas ligjit të depozitës legale të ushtruar që në vitin 1945, kur sipas marrëveshjeve të reja shtetërore rifillojnë xhirimet e kineastëve të huaj. Këto materiale përbëjnë një pasuri të veçantë për të cilën duhet treguar më tepër kujdes në mënyrën se si ruhen dhe vendruajtjen e tyre, duke qenë se kjo e fundit dhe mungesa e një laboratori janë sipas punonjësve të fushës dy problematikat më të mëdha të këtij arkivi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here