Nga Julia Vrapi
Muzika kamertale dhe perspektivat e zhvillimit të saj në nivel evropian ishin në fokus të një takimi ndërkombëtar të zhvilluar në Cremona të Italisë, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit mes institucioneve kulturore, mbështetja për artistët dhe qëndrueshmëria e sektorit muzikor. Pjesëmarrës në këtë aktivitet, kitaristi shqiptar Denis Bizhga themelues dhe drejtor artistik i festivalit “Albania International Guitar Festival”, e vlerëson atë si një mundësi për shkëmbim përvojash dhe krijimin e partneriteteve të reja në fushën e muzikës. Aktiviteti ndërkombëtar “Dialogue for a Sustainable European Music Ecosystem” u organizua nga Le Dimore del Quartetto, në kuadër të platformës evropiane MERITA, në bashkëpunim me Fondazione Stauffer dhe Museo del Violino të Cremonës.
Duke u ndalur te zhvillimi i aktivitetit, kitaristi Bizhga vë në dukje rëndësinë e pranisë së përfaqësuesve nga fusha e kulturës dhe muzikës, si dhe temat e trajtuara gjatë diskutimeve. “Ky takim mblodhi së bashku përfaqësues të organizatave kulturore, festivaleve, institucioneve, rrjeteve evropiane dhe profesionistë të muzikës nga vende të ndryshme të Evropës, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për dialog, shkëmbim përvojash dhe ndërtimin e partneriteteve të reja. Diskutimet u përqendruan në sfidat dhe perspektivat e ekosistemit evropian të muzikës, bashkëpunimin ndërkombëtar, rritjen e mundësive për artistët e rinj, qarkullimin e muzikantëve dhe projekteve artistike, si dhe në modelet e reja të zhvillimit të qëndrueshëm të muzikës kamertale”, shprehet Bizhga në reagimin e tij.
Programi dyditor i aktivitetit përfshiu edhe një workshop profesional kushtuar së ardhmes së muzikës së dhomës. Gjatë tij u diskutuan mundësitë që ofrojnë platformat digjitale evropiane, bashkëpunimi mes aktorëve të sektorit kulturor, si dhe lidhja e muzikës me trashëgiminë kulturore dhe audiencat e reja. Koncerti dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të Le Dimore del Quartetto, e cila këtë vit shënon 10-vjetorin e themelimit, ishte gjithashtu një nga pikat e veçanta të programit, duke shënuar një dekadë kontributi në promovimin e muzikës kamertale dhe krijimin e rrjeteve ndërkombëtare.
“Albania International Guitar Festival”, pjesë e bashkëpunimeve muzikore evropiane
Artisti Denis Bizhga thekson se pjesëmarrja në këtë aktivitet krijon mundësi të reja bashkëpunimi për artistët shqiptarë në nivel evropian. Ai ndalet gjithashtu te roli i projektit SYNAMP në këtë drejtim. “Pjesëmarrja në këtë aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e prezencës së Shqipërisë në rrjetet kulturore evropiane dhe zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit për artistët shqiptarë.
Ky angazhim merr një dimension të ri edhe përmes SYNAMP – Synergy Amplified: Innovating the Classical Music Ecosystem, projekt i mbështetur nga programi Creative Europe, ku Albania International Guitar Festival është partner, duke kontribuar në zhvillimin e sinergjive të reja, inovacionit dhe qëndrueshmërisë së ekosistemit të muzikës klasike”, shprehet Bizha. “Albania International Guitar Festival” nisi në Shqipëri si një iniciativë e dedikuar kitarës klasike. Këtë vit festivali shënoi edicionin e tij të dhjetë, duke sjellë në Shqipëri artistë të njohur nga skena ndërkombëtare. Përmes këtij festivali, Bizhga vijon angazhimin për promovimin e kitarës klasike, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes artistëve shqiptarë dhe skenës muzikore evropiane.









































