Një ish-agjent i shërbimit sekret izraelit Mossad, i cili ka marrë shtetësinë amerikane, dyshohet se ka ndihmuar senatorin brazilian Flavio Bolsonaro, djalin e ish-presidentit Jair Bolsonaro, të largohej nga Brazili, në kundërshtim me një vendim gjykate që i ndalonte daljen nga vendi. Operacioni u zbulua të premten nga CNN Brazil, duke iu referuar të dhënave të një hetimi të zhvilluar nga një agjenci sigurie në Brazil. Sipas raportimit, largimi ishte planifikuar përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe në të përfshiheshin persona nga Argjentina dhe Shtetet e Bashkuara. Sipas hetimeve, ish-agjenti izraelit, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, mbërriti në Brazil më 19 tetor, gjashtë ditë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Ai shoqëroi Bolsonaron nga kryeqyteti Brasilia drejt kufirit me Argjentinën dhe qëndroi në të njëjtën makinë me të gjatë kalimit të kufirit. Hetuesit brazilianë identifikuan përmes kamerave të sigurisë dy furgonë që kaluan të martën urën Tancredo Neves, e cila lidh qytetin brazilian Foz do Iguaçu me Puerto Iguazú në Argjentinë. Në njërin prej automjeteve udhëtonin Bolsonaro dhe ish-agjenti i Mossad-it, ndërsa në furgonin tjetër ndodheshin bashkëshortja dhe dy vajzat e tij. Drejtuesit e dy automjeteve u identifikuan si një ish-anëtar i këshillit bashkiak të Foz do Iguaçu dhe djali i tij. Pas kalimit të kufirit, familja hipi në një avion privat të tipit Gulfstream G400, që operohej nga kompania ajrore argjentinase Baires Fly.
Avioni u nis drejt Shteteve të Bashkuara, bëri një ndalesë për furnizim me karburant në Guayaquil të Ekuadorit dhe mbërriti të mërkurën në mëngjes në aeroportin ekzekutiv Opa-locka, pranë Miamit. Sipas një raportimi të The New York Times, Jason Miller, strateg politik dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit amerikan Donald Trump, ndihmoi në organizimin e avionit privat.








































