Nga Julia Vrapi
Pas më shumë se një dekade mungesë, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar rikthehet në Tiranë me edicionin e tij të 14-të. Festivali sjell sërish në vëmendje prodhimet e kinemasë shqiptare, duke mbledhur në të njëjtin program filma, krijues dhe profesionistë të fushës. Përgjatë dhjetë ditëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë filma të ndryshëm shqiptarë dhe të marrë pjesë në aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të festivalit. Edicioni i 14-të do të zhvillohet në Tiranë nga 3 deri më 12 shtator. Organizatorët shprehen për një ngjarje që prej vitesh bashkon krijuesit, artistët dhe publikun. “Disa histori nuk mbarojnë kurrë. Ato jetojnë në ekran, në kujtesë dhe në kulturën tonë. Me krenari rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, në edicionin e tij të 14-të, ngjarja që prej vitesh bashkon krijuesit, artistët dhe publikun në festën më të madhe të kinemasë shqiptare. Për dhjetë ditë, ekrani do të bëhet sërish vendi ku rrëfehen histori, lindin emocione dhe nderohen zërat që vazhdojnë të shkruajnë të ardhmen e filmit shqiptar”, thuhet në njoftimin rreth festivalit që këtë vit shënon edicionin e tij të 14-të. Përveç programit të përditshëm që do të prezantojë filma të gjatë artistikë, filma të shkurtër, dokumentarë dhe të animuar, në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, sallën BlackBox, kinema “Agimi” dhe Piramida Cinema, çdo mbrëmje do të ketë një identitet të veçantë artistik, e ndërtuar mbi një strukturë të kuruar me disa evente. Rikthimi i festivalit vjen në një periudhë kur prodhimi kinematografik shqiptar ka vijuar të pasurohet me filma të rinj. Në këtë edicion, veprat e përzgjedhura do të prezantohen në kuadër të një gare, ku filmat shqiptarë do të konkurrojnë për çmimet e festivalit, duke vënë përballë njëri-tjetrit krijime dhe autorë të ndryshëm të kinematografisë shqiptare.Vjet në dhjetor u bë me dije se nga bordi pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisënë kategorinë e “Ditë, Javë ose Festival Filmi” u shpall fitues projekti “Festivali i 14-të i Filmit Shqiptar” nga “Iceberg Communication”. Ndërsa këtë vit më herët u shpallën dhe aplikimet, ku shtëpitë prodhuese, producentët dhe regjisorët e filmave të financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) gjatë periudhës 2013-2026, mund të aplikonin për t’u bërë pjesë e këtij edicioni të Festivalit të Filmit Shqiptar .Ky festival që do të sjellë filma artistikë, dokumentarë dhe të animuar organizohet me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare tëKinematografisë dhe Bashkisë Tiranë. Festivali i fundit i filmit shqiptar është zhvilluar në vitin 2012, në edicionin e tij të 13-të, ku fitues u shpall filmi “Lindje, Perëndim, Lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit.
Festivali i parë
Festivali i Filmit Shqiptar i ka fillesat disa dekada më parë dhe ka qenë pjesë e jetës artistike e kulturore në vend. Edicioni i parë i festivalit të filmit është mbajtur në 1976 me emrin zyrtar “Festivali i Parë i Filmit Artistik, Dokumentar e të Animuar Shqiptar”. Sipas materialeve nga Arkivi i Filmit, në këtë konkurrim u shpall fitues dhe mori Kupën e Festivalit filmi artistik “Në fillim të verës” me regjisor Gëzim Erebarën, skenari Peçi Dado, kompozitor Kujtim Laro, ndërsa aktori Sandër Prosi me rol në këtë film u shpall Aktori më i mirë, gjithashtu fitues u shpall dhe filmi “Beni ecën vetë” regjisore Xhanfise Keko, skenari Kiço Blushi, kompozitor Limos Dizdari. Te animacioni u shpall fitues filmi i animuar “Zana dhe Miri” me autorë dhe piktorë Vlash Drobonikun dhe Tomi Vason, kompozitor Limos Dizdari, ndërsa te dokumentarët fitues u shpall filmi dokumentar “Asdreni, poeti i lulëkuqes dhe vegjëlisë” me regji nga Vitori Çeli dhe skenar të Kolec Traboinit.










































