Gara për çmimet BEYOND Developments GLOBE SOCCER Awards 2026 hyn zyrtarisht në fazën vendimtare. Këto çmime u kushtohen futbollistëve, trajnerëve dhe klubeve më të mira të sezonit 2025/26. Votimi online tashmë është hapur, duke u dhënë mundësinë tifozëve nga e gjithë bota të zgjedhin të preferuarit e tyre. Raundi i parë i votimeve do të jetë i hapur deri më 30 nëntor, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 28 dhjetor në Dubai. Në të njëjtën mbrëmje do të ndahen edhe çmimet LALIGA Awards 2025/26, që vlerësojnë protagonistët më të spikatur të futbollit spanjoll.
Në kategorinë Best Men’s Player spikat Ousmane Dembélé, i cili do të përpiqet të mbrojë titullin e fituar në edicionin e kaluar. Mes 26 kandidatëve janë edhe disa prej shokëve të tij të skuadrës te PSG-ja, si Desire Doue, Akraf Hakimi, Khviça Kvaratskhelia, Nuno Mendes, Zhao Neves, Vitinja dhe Fabian Ruiz. Në garë janë gjithashtu yjet e futbollit spanjoll Pau Kubarsi, Rodri dhe Lamine Jamal, si dhe Kilian Mbape, Herri Kejn, Majkëll Olise, Erling Haland, Jude Belingham dhe Lionel Mesi.
Serie A përfaqësohet nga Interi dhe dy futbollistët zikaltër Lautaro Martinez e Federiko Dimarko, ndërsa Premier League ka në listën e kandidatëve emra të njohur si Deklan Rice, Bukayo Saka, Uilliam Saliba, Dominik Szoboszlai dhe Bruno Fernandes. Përveç kandidaturës për çmimin e lojtarit më të mirë, Mesi është në garë edhe për çmimin Best Forward (sulmuesi më i mirë), ku do të përballet me rivalë si Mbape, Haland, Kane dhe Lautaro Martinez. Në kategorinë e mesfushorëve spikasin Belingham, Valverde, Pedri, Odegard, Çerki, E.Fernandez dhe Paz. Interes të veçantë paraqet edhe kategoria Best Defender (mbrojtësi më i mirë), ku përfshihen disa prej protagonistëve të PSG-së, si dhe Kubarsoi, Saliba, Magalhaes, Upamecano dhe Dimarco.
Ndërkohë, për çmimin e portierit më të mirë pritet të përsëritet dueli mes Unai Simon dhe Emiliano Martinez. Në futbollin e femrave, Aleksia Putellas, Eaa Pajor dhe Melçie Dumornay janë ndër kandidatet për çmimin Best Women’s Player (lojtarja më e mirë). Barcelona e femrave është sërish në garë për çmimin e klubit më të mirë. Sa i përket çmimit për trajnerin më të mirë, në mesin e kandidatëve spikasin Luis Enrike, Luis de la Fuente, Mikel Arteta, Unai Emery, Kristian Kivu dhe Cesk Fabregas. Vëmendje e veçantë u kushtohet edhe talenteve të rinj, me çmimin Emerging Player (talenti i ri më premtues), për të cilin do të garojnë 14 futbollistë të perspektivës.








































