“Petite Messe Solennelle”, një nga veprat e kompozitorit Gioachino Rossini, u soll premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një mbrëmje muzikore në sezonin e kaluar artistik, ku sakralja, bukuria e muzikës dhe ndjeshmëria artistike u ndërthurën në një përvojë të thellë emocionale.
Kompozitori italian Gioachino Rossini krijoi një numër të madh veprash gjatë jetës së tij, ku në janar të këtij viti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në sezonin artistik ishte “Petite Messe Solennelle”. Në këtë interpretim morën pjesë solistët e njohur Svetlana Aksenova, Enkeleida Shkoza, Klodjan Kaçani dhe Rubén Amoretti. Një bashkëpunim mes Korit të Filarmonisë së Kosovës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentëve të korit Hajrullah Syla dhe Dritan Lumshi, së bashku me Orkestrën Simfonike të TKOB-së, nën drejtimin e maestro Facundo Agudin.
Nga TKOB thuhet se ishte një mbrëmje ku muzika e Rossinit solli në skenë një dialog të fuqishëm mes artit, shpirtërores dhe emocionit. Vepra u soll premierë si pjesë e sezonit artistik 2025-2026 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Maestro Facundo Agudin që drejtoi këtë koncert në Tiranë, ka një karrierë të shquar ndërkombëtare. Maestro Facundo Agudin është dirigjent zvicerano-argjentinas. I formuar në Argjentinë dhe Zvicër, ai ka bashkëpunuar me institucionet dhe orkestra evropiane, duke debutuar në festivale të rëndësishme si Enescu dhe Maggio Musicale Fiorentino. Gioachino Rossini (1792-1868) ishte një kompozitor italian i njohur kryesisht për operat e tij, sidomos operat komike.
Ai ishte shumë produktiv dhe krijoi një numër të madh veprash gjatë jetës së tij, duke përfshirë opera, kantata dhe muzikë instrumentale. “Petite Messe Solennelle” mbetet një nga veprat e rëndësishme të Rossinit dhe vazhdon të interpretohet në skena të ndryshme ndërkombëtare.










































