Kupa e Shqipërisë ka mësuar emrat e 16 skuadrave që do të vazhdojnë garën më tej deri në trofeu i këtij aktiviteti. Dje u luajtën ndeshjet e xhiros së 1/16 të finales, ku pati pak befasi, pasi shumica e skuadrave të mëdha të Superiores e siguruan kalimin për më tej. Këtu është fjala për Laçin dhe Skënderbeun, pasi shumica e skuadrave që zbritën në fushë në këtë raund u përkisnin klubeve të Kategorisë së Parë. Kështu, pas Laçit dhe Skënderbeut, Kupa e Shqipërisë ka përcaktuar edhe 6 skuadrat e tjera që kualifikohen për në raundin e tretë të këtij kompeticioni.
Ajo që bie në sy në sfidat e zhvilluara këtë të mërkurë është numri i madh i golave të shënuar nga disa prej skuadrave që do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në kompeticionin e dytë për nga rëndësia në vend. Kështu, u kualifikua për në raundin e tretë të Kupës së Shqipërisë, Besa e Kavajës që iu imponua Korabit me rezultatin 4-1. Një fitore akoma më të thellë shënoi Flamurtari që shkatërroi totalisht Butrintin me rezultatin tenistik 6-1. Pogradeci i tha një leksion të mirë Kukësit të cilin e mundi me manita, 5-1 duke shkruar edhe ai emrin mes skuadrave që do të luajnë në raundin tjetër të Kupës së Shqipërisë.
Fitore me manita shënoi edhe Iliria që iu imponua me shumë autoritet Luftëtarit duke e mundur 5-0. Bylisi eliminoi Besëlidhjen pasi e mundi me rezultatin 2-0, ndërsa Kastrioti u mjaftua me rezultatin minimal 1-0 për t’u kualifikuar për në raundin tretë të kompeticionit. Kujtojmë se në turin pasardhës të Kupës së Shqipërisë do të hyjnë në lojë edhe skuadrat e Kategorisë Superiore të pozicionuara nga vendi i parë tek i teti në përfundim të sezonit të kaluar.
Formula e vazhdimit
Në raundin e 1/8-ve, garës i bashkohen edhe tetë ekipet e renditura nga vendi i parë deri në vendin e tetë në kampionatin “Abissnet Superiore” për sezonin 2025-2026, të cilat e nisin rrugëtimin në Kupë pikërisht nga kjo fazë. Për përcaktimin e çifteve çerekfinaliste dhe gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë. Ndeshjet e këtyre dy fazave do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, me nga dy takime për çdo çift. Kujtojmë që Kupa është një shans i artë për skuadrat që dëshirojnë jo thjesht të fitojnë trofe sezonal por edhe të marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s.
Madje, duke nisur nga fiti i ardhshëm, sipas përllogaritjeve të UEFA-s, fituesja e Kupës së Shqipërisë do të marrë pjesë direkt nga raundi i dytë. Për skuadrat që nuk arrijnë të shkojnë te titulli për shkak të rivalitetit, kupa është një mundësi. Dy vitet e fundit kupën e ka fituar Dinamo Siti, një skuadër që ia ka dalë të bëjë edhe paraqitje të mira në Europë. Këtë edicion, Partizani e Tirana që nuk shfaqen pretendentë për titull në Superiore, do ta vlerësojnë kupën si mundësi për të kapur Europën.
Rezultatet e ndeshjeve të raundit të 1/16-ve të Kupës së Shqipërisë:
Kastrioti-Eagle FA 5-2
Besa-Korabi 4-1
Iliria-Luftëtari 5-0
Pogradeci-Kukësi 5-1
Skënderbeu-Apolonia 2-1
Laçi-Shiroka 3-0
Flamurtari-Butrinti 6-1
Bylis-Besëlidhja 2-0
Në bazë të përcaktimit të çifteve, ndeshjet e raundit të 1/8-ve do të jenë:
Egnatia – Kastrioti
AF Elbasani – Besa
Vllaznia – Iliria
Dinamo City – Pogradeci
Partizani – Skënderbeu
Tirana – Laçi
Vora – Flamurtari
Teuta – Bylis








































