Tradita shqiptare dhe folklori popullor do të vijnë në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare përmes këngës, valles dhe ngjyrave të kostumeve tradicionale. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore nis një tur koncertesh gjatë muajit nëntor, duke përcjellë atmosferën e festave kombëtare dhe pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore pranë publikut brenda dhe jashtë vendit. Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën të ditur se turi i nëntorit synon të përcjellë atmosferën e festave kombëtare dhe të afrojë shqiptarët kudo që ndodhen përmes muzikës dhe traditës. “Këtë Nëntor, Ansambli Popullor shkon atje ku rreh zemra shqiptare! Në këtë muaj të veçantë për çdo shqiptar, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore udhëton për të sjellë atmosferën e festave kombëtare pranë bashkatdhetarëve tanë, brenda dhe jashtë kufijve.
Një udhëtim përmes traditës, kulturës dhe dashurisë për atdheun, që na bashkon kudo që jemi”, shprehet TKOBAP. Turi koncertor do të nisë më 22 nëntor me koncertin në Ditën e Alfabetit që do të zhvillohet në Manastir, Maqedonia e Veriut. Programi artistik vijon në 23 nëntor me shfaqjen etno-muzikore “Shqipëria në sytë e Bajronit” në Endinburg, Skoci. Po këtë datë një tjetër koncert “Nëntori shqiptar” do të jetë në Baku në Azerbajxhan nga artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në 24 nëntor vjen “Festat e Nëntorit”, një koncert në Kosovë, ndërsa artistët e Ansamblit Kombëtar do të jenë dhe në Pallatin e Brigadave në 25 nëntor. Një ditë më pas artistët e AKKVP vijojnë sërish me koncert në Pallatin e Brigadave, ndërsa më 28 nëntor do të jetë koncerti “Për ty, atdhe” në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, koncert që do të vijojë një ditë më pas në 29 nëntor në qytetin e Vlorës.
Ansambli në Skoci
Këtë nëntor pas disa ditësh Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të ngjitet në skenën e Edinburgh-ut, në Skoci me shfaqjen etno-muzikore “Shqipëria në sytë e Bajronit”. Teatri Kombëtar, i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bën me dije se për herë të parë në 70 vite histori ansambli udhëton drejt Skocisë për të përcjellë folklorin shqiptar. Nën titullin “Albania Through Byron’s Eyes”, kjo paraqitje artistike ndërthur trashëgiminë shqiptare me frymëzimin që Shqipëria dhe kultura e saj i dhanë poetit të madh Lord Byron. “Albania Through Byron’s Eyes” u prezantua më herët edhe në Londër, më 6 korrik 2026, në skenën e Shaw Theatre. Përmes këtyre koncerteve, Ansambli Kombëtar synon të prezantojë larminë e folklorit shqiptar në skena të ndryshme, duke e bërë traditën pjesë të festimeve të Nëntorit brenda dhe jashtë vendit. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori.











































