Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se Elia Kaprile u pajis me pasaportë shqiptare me objektivin për të luajtur me Shqipërinë. Vetë portieri italian e mohoi diçka të tillë, ndërsa kështu bën edhe Rolando Maran duke folur për Kombëtaren në Itali. Intervista u publikua sot nga “La Gazzetta dello Sport”.
Maran shprehet se nuk është folur për këtë çështje. Fakt deri tani është se FSHF interesohet, ndërsa vetë Kaprile dhe së fundmi Maran aktualisht janë shmangur.
ÇFARË DEKLARON ROLANDO MARAN SË FUNDI:
A do të luajë Kaprile me Shqipërinë? “Elia e ka marrë pasaportën shqiptare për arsye familjare, ende nuk e ka përfunduar procedurën dhe për këtë arsye nuk kemi folur për këtë çështje. Megjithatë, nëse do të ishte i gatshëm, sigurisht që do të na bënte punë”.
ÇFARË DEKLAROI ARMAND DUKA:
“Ka diçka të vërtetë. Tashmë Kaprile është pajisur me pasaportë shqiptare, me objektivin për të qenë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar. Kjo është procedurë, e cila duhet të ndiqet nga ne. Nëse do më pyesni, nga kualiteti sportiv besoj se ka shumë kualitet për ta ndihmuar Kombëtaren shqiptare.
Është moshë relativisht e re, nëse llogarisim edhe për sa vite luajnë portierët. Nuk është një rrufe në qiell të hapur. Ka një lloj lidhje me Shqipërinë. Nuk është se e ka marrë këtë pasaportë kot.
Të shohim në vazhdim. Nëse do e kemi në ekipin kombëtar, do të jetë vlerë e shtuar. Nuk është një gjë që mund të ndodhë sot”.
ÇFARË DEKLAROI ELIA KAPRILE NË ITALI PAS ARMAND DUKËS:
Pasaporta shqiptare? “Për shkak të origjinës së Emilit, partneres sime. Nëse nga kjo mund të lindë diçka, nuk e di. Deri më sot, askush nga federata nuk ka trokitur në derën time. Nëse do ta bëjë, do ta vlerësoj”.








































