Google search engine
Home Sport Mediat turke zbulojnë shkallën e dëmtimit të Muçit, Merkaj në “radarin” e...

Mediat turke zbulojnë shkallën e dëmtimit të Muçit, Merkaj në “radarin” e shumë klubeve të Serisë B italiane

0
22

Lojtarët shqiptarë që luajnë në kampionatin turk kanë cilësi dhe vitet e fundit janë shtuar shumë në numër, duke qenë një nga kontigjentet më të mëdha të futbollistëve të huaj në kampionatin elitar të futbollit turk, duke u renditur menjëherë pas brazilianëve. Aty luajnë edhe disa lojtarë titullarë të përfaqësueses tonë, që kanë peshë në objektivat e skuadrës kombëtare dhe trajnerit Maran. Një nga emrat më të përfolur është sulmuesi Ernest Muçi, i Trabzonsporit, ecuria e të cilit ndiqet nga shumë klube në Turqi dhe në Europë.

Në fakt, Ernest Muçi ka humbur startin e sezonit me fanellën e Trabzonspor për shkak të një dëmtimi që ka pësuar pak ditë para se të nisnin aktivitetet zyrtare për skuadrën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare kishte qenë protagonist në të gjitha ndeshjet miqësore që zhvilloi klubi turk, por pak ditë para startit të kampionatit, ai pësoi një dëmtim që e la jashtë fushave të lojës. Sipas mediave turke, fillimisht u fol për 2-3 javë pushim për lojtarin. Por tashmë mësohet se rikuperimi i tij ka ecur me ritme më të shpejta se sa mendohet. “61saat” shpjegon se futbollisti do të mungojë edhe në ndeshjen e mesjavës që Trabzonspor luan në play-off të Ligës së Europës ndaj Ferencvarosh. Por ai pritet që të jetë i gatshëm për duelin e fundjavës ndaj Bashakshehir në kampionat. Nëse Muçi nuk do ia dalë që të luajë nga fillimi, do të jetë të paktën në stol si alternativë për trajnerin Teke në atë sfidë.

Merkaj në “radarin” e shumë klubeve italiane

Një nga emrat më të kërkuar në merkaton e futbollistëve në ditët e fundit të gushtit në Serinë B është padyshim Silvio Merkaj. Sulmuesi shqiptar ka një kontratë me Sudtirol deri në verën e vitit të ardhshëm dhe pas formës që ka treguar në edicionin e kaluar, duket se ka tërhequr vëmendjen e emrave më të njohur. Sipas mediave italiane janë skuadrat e Viçencës, Pizës, Mantovës, Veronës, Padovës dhe Beneventos të cilat kanë shfaqur interes konkret për të dhe kanë nisur negociatat si me futbollistin, ashtu edhe me vetë klubin që zotëron kartonin. Sudtirol raportohet se i ka vendosur çmimin 1 milion euro kartonit të tij, për ta lënë të largohet në ditët e fundit të merkatos nëse gjendet akordi me cilindo nga pretendentët për të siguruar shërbimet e Merkajt. Ky i fundit, disa vite më parë mund të përfundonte edhe në Superiore, pasi kishte spikatur me fanellën e Virtus Entelës në Serinë C.

Partizani i pat bërë një ofertë sulmuesit, por në fund ai e refuzoi duke qëndruar në Itali. Në fakt, në Itali luan një kontigjent i madh dhe i rëndësishëmi lojtarëve shqiptarë, të cilët janë angazhuar mirë dhe me efikasitet në radhët e disa klubeve të njohura. Së fundmi, një emër kuqezi që iu bashkua kampionatit italian është edhe mbrojtësi Mario Mitaj që luante më parë me një klub saudit. Mbetet të shihet e ardhmja e Merkajt, por në “ajër” mbetet edhe mesfushori Kristjan Asllani, për të cilin nuk ka një vendim përfundimtar nga Interi, edhe pse vetë trajneri Kivu e ka shprehur se nuk e ka në planet e tij mesfushorin teknik shqiptar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here