Premiera teatrore, prezantime në festivale dhe shfaqje të tjera do të shënojnë fillimin e sezonit të ri artistik në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Gjatë muajit shtator teatri do të marrë pjesë në dy festivale, do të sjellë premierën e shfaqjes “Big Baby” dhe në projekte është dhe “1984”, që do të shfaqet në tetor. Detajet e programit të muajve të parë të sezonit të ri artistik që pritet të nisë pas disa javësh i bëri të ditura drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Gjergj Prevazi. Sipas tij me fillimin e sezonit të ri artistik, shfaqje të këtij teatri do të jenë në festivale që zhvillohen në Korçë dhe në Prishtinë në Kosovë.
“Në shtator fillojmë me prezantimin e shfaqjeve “Babai” në Kokofest (Korçë) dhe “Shadow-Euridika” në FemArt International Festival në Prishtinë. Ndërsa më 17 shtator do të kemi premierën e shfaqjes “BigBaby”, me regji të Endri Çelës, me aktorët Albana Perhati, Adriana Tolka dhe Kleard Gërmenji”, shprehet Prevazi në një reagim të tij. Në vijim të punës së teatrit, Prevazi tregon se ka nisur edhe përgatitja e një tjetër produksioni. “Ndërkohë kemi nisur punën me regjisorin Dino Mustafiç për realizimin e shfaqjes “1984” të George Orwell, dramatizuar nga Jeton Neziraj, premiera e së cilës do të jetë më 16 tetor”, shprehet Prevazi. Krahas premierave dhe pjesëmarrjeve në festivale, teatri po vijon edhe me përgatitjen e projekteve të tjera skenike që do të pasurojnë programin artistik të sezonit të ri. Bashkëpunimet me regjisorë vendas dhe të huaj, si dhe bashkëprodhimet me institucione të tjera teatrore, janë pjesë e punës së këtij institucioni për realizimin e produksioneve të reja.
Ndërkohë që vetëm disa ditë më parë Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, hapi thirrjen për audicion për aktor në shfaqjen “Zot”, me autor Ferdinand von Schirach me regjisor Norbert Rakowski. Ky projekt do të realizohet si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Shqipëri dhe Teatrit të Gjilanit në Kosovë.
Vepra me regji nga Dino Mustafiç
Bashkëpunimi i regjisorit Dino Mustafiç me Teatrin Kombëtar Eksperimental nuk është i ri. Më parënë skenën e këtij teatri u ngjit shfaqja “Hello, I am Mephisto”, e realizuar si një bashkëpunim ndërkombëtar. Regjisori Mustafiç ka vënë në skenë edhe shfaqjen “Equus” në Teatrin Kombëtar në Tiranë më parë, ndërsa në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup ka sjellë në skenë “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Po ashtu, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, ai ka sjellë shfaqjen “Rock’N’Roll”.










































