Kuqezinjtë që janë ende të pastabilizuar për sezonin e ri po presin ofertat më të mira në treg para se të marrin vendimin përzgjedhës përfundimtar. nga emrat më të lakuar janë Armando Broja, Kristjan Asllani dhe Ernest Muçi. Sipas mediave turke, e ardhmja e Ernest Muçit te Trabzonspor mund të rihapet si çështje në varësi të lëvizjeve të klubit në merkato. Situata e futbollistit shqiptar lidhet me limitin e lojtarëve të huaj në kampionatin turk. Trabzonspor po punon për transferimin e një mesfushori të huaj në pozicionin e “numrit 6”, por një lëvizje e tillë mund të krijojë probleme me kuotën e të huajve në skuadër. Në këtë skenar, drejtuesit e klubit mund të detyrohen të rishikojnë situatën e disa prej futbollistëve aktualë.
Mes emrave që mund të preken nga ky ndryshim është edhe Ernest Muçi. Sipas raportimeve nga Turqia, Trabzonspor mund të shqyrtojë ofertat që mund të mbërrijnë për futbollistin shqiptar, veçanërisht nëse bëhet fjalë për një propozim fi nanciar të konsiderueshëm. Në repartin ofensiv, klubi turk ka alternativa të tjera për pozicionin ku aktivizohet Muçi, me Ruslan Malinovski dhe Aral Shimshir që konsiderohen gjithashtu si opsione për trajnerin. Kjo situatë mund ta bëjë më të hapur mundësinë e një ndryshimi në përbërjen e skuadrës. Megjithatë, aktualisht nuk bëhet fjalë për një vendim të marrë për largimin e Muçit. E ardhmja e tij do të varet nga zhvillimet e merkatos, nevoja për të liruar një vend në kuotën e lojtarëve të huaj dhe, mbi të gjitha, nga oferta që mund të mbërrijë në adresë të Trabzonspor. Klubi turk pritet të shqyrtojë çdo propozim që përputhet me pritshmëritë e tij financiare, ndërsa një ofertë e konsiderueshme mund ta ndryshojë situatën e Muçit.
Nga ana sportive, Muçi vazhdon të ketë disa elementë që e bëjnë një alternativë të rëndësishme për skuadrën. Kështu, merkatoja e Trabzonspor dhe veçanërisht transferimi i mundshëm i një “numri 6” mund të përcaktojë edhe fatin e Ernest Muçit. Për momentin, shqiptari mbetet pjesë e skuadrës, por një ofertë e lartë dhe nevoja për të menaxhuar kuotën e lojtarëve të huaj mund ta vendosin të ardhmen e tij në diskutim.
Kumbulla një nga transferimet e bujshme të kuqezinjve
Marash Kumbulla është prezantuar fundjavën e shkuar si futbollisti më i ri i Rajo Vajekanos, pasi ka finalizuar huazimin nga radhët e Romës te klubi spanjoll. Ajo që është bërë publike deri tani, ishte se Rajo Vajekano kishte një opsion për blerjen në fund të sezonit të mbrojtësit të Kombëtares shqiptare dhe Fabricio Romano ka publikuar detajet e kësaj marrëveshje mes klubeve. Sipas tij, klubi spanjoll mund të blejë Kumbullën për 2,5 milionë euro në fund të sezonit nga Roma, ndërsa klubi italian do të zotërojë edhe 10% të një shitje të mundshme të tij në të ardhmen. Kjo është një shifër shumë më e ulët se ajo për të cilën Roma bleu lojtarin nga Verona në vitin 2020. Asokohe, Roma shpenzoi në total 29.5 milionë euro për futbollistin të cilin e huazoi fillimisht e pastaj bleu në fund kartonin e tij. Ai mbetet transferimi më i shtrenjtë i të gjitha kohëve për një futbollist të Kombëtares shqiptare të futbollit.







































