Nga Julia Vrapi
Filmime, xhirime personale dhe kujtime në film 35mm, 16mm apo fotonegativë pjesë e procesit të digjitalizimit, një shërbim që do të ofrohet falas në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit. Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit ka nisur një nismë për digjitalizimin falas të këtyre materialeve, ku përmes këtij shërbimi, çdo qytetar mund të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive, duke i kthyer kujtimet e çmuara në një trashëgimi të përjetshme. “Kujtimet tuaja janë thesar i çmuar! Keni filmime familjare, xhirime personale apo kujtime të çmuara në film 35mm, 16mm apo fotonegativë?
Sillini në arkivin tonë dhe do t’i digjitalizojmë me kujdes dhe dashuri, duke i kthyer në kujtime të përjetshme. Ky shërbim ofrohet falas! Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ju fton të kontribuoni në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive. Bashkë, ruajmë historinë që na lidh!”, thuhet nga Arkivi i Filmit në një njoftim të ndarë këto ditë. Sa i takon ruajtjes së materialeve gjithashtu vjet në muajin shtator AQSHF dhe Universiteti Politeknik i Tiranës nënshkruan një marrëveshje me në fokus digjitalizimin e materialeve. Mijëra filmime dhe foto, të cilat i përkasin Universitetit Politeknik të Tiranës, pjesë e trashëgimisë filmike shqiptare do të dalin për herë të parë në dritë pasi t’i nënshtrohen një procesi digjitalizimi.
Koleksioni në arkiv
Vetë Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit ka një koleksion të pasur me filma dhe materiale të tjera arkivore, ku dhe mirëmbajtja e tyre është e rëndësishme. AQSHF është kujdestari ligjor i prodhimit kinematografik shqiptar i filluar nga viti 1947 e në vazhdim, kryesisht i përbërë nga produksionet nga një njësi e vetme shtetërore, Kinostudio “Shqipëria e Re”, e cila filloi aktivitetin e saj në vitin 1952 dhe u mbyll në vitin 1992. Por prej disa vitesh Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF) ka nisur dhe procesin e restaurimit të filmave pjesë e koleksionit të tij në bashkëpunim edhe me studiot e huaja.
“Nëntori i dytë” me regji nga Viktor Gjika 1982; “Përrallë nga e kaluara” me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987; “Tomka dhe shokët e tij” me regji nga Xhanfise Keko prodhim i vitit 1977; dokumentari “Përjetësi” i vitit 1974 me regji nga Anagnosti; “Vitet e pritjes” me regji nga Esat Musliu prodhim i vitit 1989, “Vdekja e kalit” me regji nga Saimir Kumbaro prodhim i vitit 1992; filmi “Tana” me regji nga Kristaq Dhamo prodhim i vitit 1958, “Liri a vdekje” i vitit 1979 realizuar nga regjisorët Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro janë disa nga filmat që janë restauruar.










































