Thomas Bërdariç po u tregonte për të kaluarën e tij si lojtar tre gazetarëve skocezë që ishin prezentë të mërkurën në konferencën për media në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, para ndeshjes Malisheva – Hibernian. “Kam luajtur në finale të Ligës së Kampionëve”, u tha trajneri i Malishevës gazetarëve skocezë. Bërdariç luajti kundër Zinedine Zidane në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2002 ndërmjet Bajer Leverkusenit dhe Real Madridit. Por kur nisi konferenca, Brdariq la prapa të kaluarën e tij, ndërsa foli për ndeshjen që Malisheva e luan kundër Hibernianit, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Është nivel dukshëm më të ulët se ai që Bërdariç e përjetoi si lojtar. Ndeshja ndërmjet Malishevës dhe ekipit nga Skocia, Hibernianit, luhet të enjten nga ora 16:30. “Është koha që të jemi të fokusuar në dy ndeshje, të parën në shtëpi, dhe duhet të jemi shumë mirë të përgatitur sepse kundërshtari është i fortë fizikisht, ka lojtarë të shpejtë. Por, ne do të mundohemi të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet të jemi inteligjentë pasi është vetëm ndeshja e parë, dhe duhet të jemi të mirë edhe në ndeshjen e dytë”, ka thënë Brdariç. Pas dy eliminimeve radhazi në raundin e parë, Bërdariç e ka udhëhequr Malishevën në fushatën tashmë më të mirë kualifikuese në Ligën e Konferencë. Malisheva ka mposhtur Vllazninë e Shkodrës me rezultatin e përgjithshëm 6:2, për të siguruar një vend në rundin e dytë kualifikues.
Por Bërdariç ka besim se Malisheva mund ta kalojë edhe raundin e dytë. “Kemi arritur rezultat historik duke e kaluar raundin e parë. Është e veçantë për Malishevën, që është klub me njerëz të cilët janë të uritur për sukses. Dhe të luajmë ndaj skuadrave profesionale na jep motivimin maksimal që të kërkojmë edhe më shumë”, është shprehur tekniku gjerman. Ish-futbollisti i Gjermanisë dhe disa klubeve gjermane, pranon se skocezët kanë ekip të mirë.







































