Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka zbardhur detaje të reja në “Radar” rreth takimit misterioz në ishullin e Arubës, duke treguar se si autoritetet belge ranë në gjurmët e një skeme gjigante që synonte pastrimin e parave të krimit përmes investimeve në turizëm dhe ndërtim në Shqipëri. Hoxha ishte thirrur për të dëshmuar në Belgjikë për çështjen “Toyota Yaris” që përfshinte krimin e organizuar dhe politikën dhe atje një nga oficerët hetues i dha informacion për një takim që kishte ndodhur në ishullin e Arubës.
“Unë këtë gjë e kam marrë vesh nga hetimet e prokurorisë belge. Isha thirrur për të dëshmuar në Prokurorinë Federale Belge për “Toyota Yaris”, një çështje ku përfshihet krimi i organizuar dhe politika. Mbas saj unë, herën e parë kam dëshmuar gjashtë orë atje dhe herën e dytë pastaj, duke folur me oficerët federalë, hetuesit, se Policia Gjyqësore Federale më mori në pyetje dhe njëri nga ata më dha informacion për këtë gjë. Dhe ai ma dha me idenë që ai i njeh këta persona. Tani çfarë është në vetvete rasti Aruba.
Rasti Aruba është një takim i cili është zgjedhur të bëhet në një ishull argëtimi, sepse personazhet që janë takuar aty janë personazhe që pëlqejnë, ose janë pronarë të lojërave të fatit, pra të kazinove etj, ose janë frekuentues të këtyre lloj resorteve. Dhe meqenëse një pjesë, pra ata të Europës, nuk mund të shkonin dot në Shtetet e Bashkuara se kishin një ngarkesë penale, u gjet që ata të Amerikës dhe këta të Europës të takoheshin në një vend të ndërmjetëm. Dhe ky vend i ndërmjetëm të kishte edhe këtë aksesin tjetër, të kishte edhe kazino dhe ata të argëtoheshin, kalonin kohën.
Kanë qëndruar një javë ata dhe ata nuk e kanë ditur që autoritetet belge po përgjonin, po ndiqnin këta që erdhën nga Europa, dhe prandaj u zbulua takimi, se ndryshe ne s’do ta dinim kurrë. Dhe takimi në Aruba, edhe pse në Shqipëri, por edhe në media europiane, është shfrytëzuar dhe është përshkruar si takimet që bënte Karteli i Medelinit. Aty nuk ka qenë një takim ku është bërë një marrëveshje për narkotrafikun. Aty ka qenë një takim ku është biseduar për të bërë biznes dhe për të investuar në projekte të mëdha biznesi në Republikën e Shqipërisë, kryesisht në turizëm dhe në ndërtim, sepse njëri nga personat që ishte aty ishte Artur Sheu, i cili ka shumë sipërfaqe toke në atë vend. Pra, siç tregoi rasti i Zvërnecit.
Kjo ka qenë para Zvërnecit. Madje disa nga personat që kanë shkuar nga Europa kanë kërkuar në atë kohë të ndërtonin një hotel me një vlerë diku te 35-40 milionë euro në Zvërnec. Dhe zoti Sheu ka thënë që: “Unë kam një projekt goxha më të madh”, sepse nuk ka lindur brenda ditës, është goxha në kohë, dhe ka thënë që: “Nuk kam interes për këtë lloj investimi sepse më prish projektin e madh, por kur të fillojë projekti i madh, nëse doni të përfshiheni në atë si investim, ju mund të futeni”. Sepse projekti fillestar aty ka pasur në plan të ndërtohen 12.000 apartamente, pastaj janë dy mole, aeroporti është vetëm 10 minuta larg”, tha Hoxha ndër të tjera.
Pastrimi i parave
Në vijim, gazetari investigativ Artan Hoxha ofron një pasqyrë të qartë dhe mjaft kritike mbi realitetin e industrisë së ndërtimit në Shqipëri, ku gërshetohen zhvillimi urban, paraja informale dhe veprimet e drejtësisë së re. Përmes kësaj analize, ai zbërthen rrugëtimin e kapitaleve të dyshimta — nga korrupsioni shtetëror deri te narkotrafiku ndërkombëtar — dhe mënyrën se si këto para u shndërruan në lëndë djegëse për “boom-in” e betonit kur bankat e nivelit të dytë vështirësuan kreditimin. “Pyetja është: a pastrohen para në ndërtim? Patjetër që do të pastrohen para, është një formë që ka ndodhur në gjithë botën. Edhe sikur të ishim suedezë, me këtë ritëm të rritjes së vlerës së pronës, do të pastroheshin.
Paraja informale ka dy burime kryesore: korrupsioni (para që u grabitet shqiptarëve) dhe narkotrafiku (para që u merret qytetarëve evropianë dhe investohet në Shqipëri). Por nuk duhet t’i ngatërrojmë të gjithë; ka investitorë që kanë 35 vjet në treg. Lidhur me veprimet e fundit të SPAK-ut, unë kam thënë se SPAK mund të sekuestrojë një kullë, por aty ka pronarë toke e emigrantë që kanë hedhur kursimet e jetës. Kur jepet lajmi “kemi sekuestruar 500 milionë euro”, kjo krijon traumë te qytetarët e thjeshtë.,
Biznesmenët po i transferojnë investimet jashtë, në Greqi, Guatemalë apo Republikën Dominikane, sepse nuk kanë garanci nga kjo “mjegull”. Ne duhet të kemi një strategji, mos ta djegim bashkë me të njomin edhe të thatin., Në vitin 2016 komunikoja me një personazh që sot është shqiptari më i famshëm në botë (Gramoz Rexhepi), i cili ishte në burg në Quito, në Ekuador. Ai më tha: “Mos u merr me ne, shiko një kompani ndërtimi që do fuqizohet për dy vitet e ardhshme.” Më doli profecia e tij; pas dy vitesh ajo ishte kompania më e madhe me 500 kamionë e betoniera.
Ai e dinte ku do shkonin paratë e krimit. Grupet e krimit u bënë të rëndësishëm kur bankat e nivelit të dytë vështirësuan kreditë për ndërtuesit. Krimi erdhi si financues: në fillim blenë apartamente, pastaj dhanë para me fajde, pastaj u futën aksionerë e në fund u bënë pronarë., Por s’mund t’i godasësh të gjithë njëlloj. Për Ilir Shtufin dhe “Ferrobetonin”, ai ka 30 vjet në treg. Shtufi ka lidhje me të gjithë kryeministrat e Shqipërisë, sepse ai është betonues, është aktor i rëndësishëm i tregut.
Nëse godet kompanitë pa e ndarë “shapin nga sheqeri”, blerësit tradicionalë largohen dhe krimi i organizuar i çon paratë jashtë. BE e mbështet SPAK-un sepse ata po ndjekin paranë që u merret qytetarëve evropianë e sillet në Shqipëri. Por po vazhduam kështu, këtu do mbetet vetëm “Firma Parmenda”. Në SHBA nuk arrestohet Zuckerberg apo Jeff Bezos, por u vihet gjobë 2 miliardë dollarë. Nuk vritet lopa që mban me qumësht. Nëse biznesi ka bërë gabime, penalizoje me para që shkojnë në buxhet, mos i fut në burg e të shpërbësh kompaninë. SPAK ka kapur kriptomonedha që vlenin 14.5 milionë dollarë, mbas gjashtë muajsh mund të bëjnë zero., Çfarë do bëjë SPAK me to?”, tha ndër të tjera Hoxha.









































