Pesë celularë janë gjetur në orët e para të mëngjesit gjatë një kontrolli në sektorin B të burgut të Durrësit, ku qëndrojnë disa ish-zyrtarë, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Deri më tani nuk është përcaktuar se kujt i përkasin pajisjet dhe nuk ka të dhëna që i lidhin ato me ndonjë person të caktuar që ndodhet në këtë sektor.
Kontrolli është kryer nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ndërsa pas gjetjes së celularëve kanë nisur verifikimet për përdoruesit dhe mënyrën se si pajisjet kanë përfunduar brenda institucionit.
Sipas gazetares Anila Hoxha, pesë celularët i janë përcjellë SPAK-ut përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për t’iu nënshtruar këqyrjes në laboratorin e posaçëm të ekspertizës.
Ekspertiza pritet të përcaktojë se kush i ka përdorur pajisjet dhe nëse ato kanë qenë aktive gjatë kohës që ndodheshin në ambientet e burgut.
Hetimet vijojnë gjithashtu për të zbardhur mënyrën se si celularët janë futur në sektorin B të burgut të Durrësit.










































