Kampionati shqiptar provohet më mirë në ballafaqimet ndërkombëtare, pra në garat e UEFA-s. Skuadrat tona nuk arrijnë të shkojnë deri në fazën e grupeve, madje shumica eliminohen që në raundin e parë paraeliminator, duke treguar dobësi, duke mos pasur nivel rivaliteti edhe me vendet e vogla europiane. Vllaznia e Shkodrës e dëshmoi këtë mbrëmë, pasi u eliminua nga një skuadër e Kosovës. Një eliminim që djeg për shkodranët, duke menduar ambicien e tyre në kampionatin shqiptar, por shumë larg nivelit europian.
Kështu, nënkampionia e Kosovës, Malisheva, ka zhvilluar një ndeshje të madhe këtë të mërkurë, duke e rikthyer rezultatin në mënyrë të ‘çmendur’ ndaj Vllaznisë së Shkodrës. Në ndeshjen e luajtur në “Kampin Nacional” në Hajvali, skuadra e drejtuar nga Thomas Brdariç mori një fitore të madhe, prej 5-0 ndaj shqiptarëve të Vllaznisë. Kjo ndeshje u luajt në kuadër të fazës së parë kualifikuese të Ligës së Konferencës, me Malishevën që ka kaluar në turin e dytë kualifikues.
Malisheva e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen e sotme, duke rrezikuar disa herë portën e shkodranëve, derisa më në fund shënoi në minutën e 24-të. Kreshnik Uka shënoi për 1-0, me asistimin e Arlind Veliut, për të barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2, pasi ndeshja e parë në Shkodër kishte përfunduar 2-1 në të mirë të Vllaznisë. Në minutën e 47-të të pjesës së parë, Xhemajl Ibishi shënoi për 2-0, me asistimin e Vusal Isgandarli.
Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, derisa Malisheva e nisi furishëm edhe pjesën e dytë. Kreshnik Uka shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Malishevën, në minutën e 52-të të takimit. Pesë minuta më vonë, Arlind Veliu shënoi për golin e katërt të ndeshjes dhe për të siguruar kualifikimin në raundin tjetër. Në minutën e 90-të, Malisheva e kompletoi “pesëshen”, me golin e shënuar nga Krenar Dulaj. Me ndeshjen që përfundoi 5-0, Malisheva kaloi në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës. Në raundin tjetër, Malisheva do të luajë ndaj skocezëve të Hibernian.
Bërdariç elozhe Malishevës për fitoren
Trajneri Tomas Brdariç foli pas fitores historike të Malishevës ndaj Vllaznisë. Nënkampionët e Kosovës fituan 5 me 0 duke siguruar kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Brdariç nuk u përmbajt me festën. Një moment që do të mbahet mend gjatë te Malisheva. “Ne kemi punuar shumë që të kalonim këtë raund. E dinim përpara që do ishte shumë e vështirë të luanim kundër Vllaznisë. Jam shumë krenar për djemtë e mi dhe sa sakrificë bëmë. Performancë në maksimum ishte 100%. Nuk mund të them asgjë tjetër.
Jam shumë falenderues për djemtë e mi. Fillimisht do festojmë sot që kaluam raundin. Nga nesër do mendoj për Hibernian. Çfarë presidenti, njerëzit dhe anëtarët ndërtuan në 10 vitet e fundit është e mrekullueshme. Kur më kërkuan që të vi këtu, u ndeza direkt. Të zhvilloj këtë skuadër në një nivel tjetër, e vlerësoj që m’u krijua mundësia. Si një trajner jam falënderues që drejtoj këtë skuadër të mrekullueshme”, u shpreh Brdariç për “RTK”.






































