Google search engine
Home Kulture Filmi shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” nga Hysen Hakani...

Filmi shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” nga Hysen Hakani në restaurim, vepër kinematografike e vitit 1957

0
87

Nga Julia Vrapi

Filmi shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj” me regji nga Hysen Hakani është në proces restaurimi. Puna për restaurimin digjital të filmit vepër kinematografike e vitit 1957 po vijon në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit në Tiranë. Për herë të parë në Shqipëri, sipas standardeve ndërkombëtare të FIAF, po kryhet në AQSHF nga specialisti Erand Meça restaurim filmi. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja një ditë më parë u shpreh për këtë proces restaurimi të kësaj vepre kinematografike në AQSHF, që po kryhet duke respektuar parimet profesionale. “Aktualisht po restaurohet për herë të parë filmi shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj” (1957), me regji dhe skenar nga Hysen Hakani.

Procesi i restaurimit përfshin skanimin digjital të materialit filmik origjinal, stabilizimin e imazhit, pastrimin e dëmtimeve fizike, korrigjimin e kontrastit dhe densitetit, si dhe rikuperimin e cilësisë vizuale sa më afër versionit origjinal, duke respektuar parimet profesionale të ruajtjes së autenticitetit të veprës”, shprehet ministri Gonxhja në një rrjete sociale. Ngjarjet e filmit zhvillohen në një fshat të izoluar malor, ku një qen i tërbuar kafshon djalin e Fatimes, Petritin. Gruaja duhet të vendosë se ku do ta dërgojë djalin e saj, te doktori apo te teze Remja, një plakë që praktikon rite supersticioze.

Në filmin e regjisorit Hysen Hakani, muzika është nga kompozitori Tish Daija. Premiera e filmit është shfaqur më 22 shkurt 1958, Tiranë. Sipas materialeve të AQSHF-së, në role janë Marie Logoreci, Xhemal Berisha, Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Bejtulla Turkeshi, Esma Agolli, Pjetër Gjoka, Vangjeli Pikuli, Marika Kallamata. Filmat janë dëshmi e kohës, shoqërisë dhe kulturës së një vendi dhe restaurimi i tyre ruan kujtimet dhe vlerat, që mund të humbasin për shkak të degradimit të materialit filmik. Gjithashtu restaurimi mundëson, që filma historikë të shfaqen në festivale, kinematë moderne, ose platforma digjitale, duke u bërë të aksesueshëm për studentë, studiues dhe publikun e gjerë.

Filmi i parë artistik me metrazh të shkurtër i prodhuar nga kinematografia shqiptare

“Fëmijët e saj” me skenar dhe regji nga Hysen Hakani, është filmi i parë artistik me metrazh të shkurtër i prodhuar nga kinematografia shqiptare. Është paraqitur nga regjisori Hakani si punë diplome në shkollën e lartë të Arteve në Pragë (Çekosllovaki).  Hysen Hakani lindi më 28 korrik të vitit 1932 në Berat dhe njihet si regjisori i filmit të parë artistik me metrazh të shkurtër. Në Akademinë e filmit në Pragë, ai mbrojti diplomën, bashkë me Kristaq Dhamon, të cilët më pas u kthyen në Shqipëri, për t’iu përkushtuar kinematografisë shqiptare, e cila në atë kohë sapo kishte hedhur hapat e parë.

Midis filmave të tij përmendim filmin “Debatiku”, (1961), të cilin e realizoi si bashkëregjisor me Gëzim Erebarën dhe ku pasqyrohet kontributi i fëmijëve të varfër në luftën Nacional-Çlirimtare, për të vazhduar më pas tek filmi “Toka jonë”, (1963), “Oshtimë në bregdet”, (1966), “Njësiti gueril, (1969), “Ndërgjegjja”(1972), “Cirku në fshat”,(1977), “Mysafiri”, (1979, “Plaku dhe hasmi” (1981),  “Lundrimi i parë” (1984). Regjisori Hysen Hakani u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2011.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here