Google search engine
Home Sport Spiro Leka shkruan histori në basketbollin italian A2

Spiro Leka shkruan histori në basketbollin italian A2

0
97

Të paktë janë teknikët shqiptarë që kanë korrur sukses në nivele të larta të basketbollit, siç ka ndodhur me Spiro Lekën, i cili prej vitesh ka ndërtuar një karrierë profesioniste në Itali, duke qenë edhe brenda vetë Italisë një nga trajnerët me licencën më të lartë të trajnimit. Aktualisht ai drejton skuadrën Victoria Libertas Pesaro, skuadër që militon në ligën A2 të basketbollit në Itali. Leka e mori drejtimin e kësaj skuadre në vendet e fundit të tabelës dhe tani e ka ngjitur në krye, duke qenë pranë një suksesi të madh.

Nuk ka qenë e lehtë, por kur mendon profesionalizmin e Lekës kuptohet edhe suksesi i skuadrës së Pesaros. Shtypi sportiv italian është mrekulluar nga kjo ecuri e klubit dhe Leka ndodhet përditë në faqet e para të shtypit dhe ballinat e medieve. Gazeta “SOT” përfitoi për të marrë një intervistë me këtë personalitet të basketbollit, i dalë nga Instituti i Fizkulturës në Tiranë, 7-herë kampion në Shqipëri, vlerësuar edhe me “Mjeshtër Sporti”, shto afro 11 vjet kualifikime për të qenë trajner i nivelit të kombëtares italiane.

Ai me njohuritë e tij dhe me sakrificat e tij ia ka dalë të jetë sot një top-trajner në elitën e basketbollit europian e më gjerë. Në këtë intervistë mësojmë për punën e bërë këta muajt e fundit për të ringritur Pesaron, për harmonizimin e grupit, për futjen e një rryme të re të lojës që i ka befasuar shumë edhe rivalët dhe krejt specialistët e koshit në Itali. Nuk mungojnë në këtë intervistë edhe mendimet e tij për basketbollin në Shqipëri.

– Shtypi dhe media italiane në tërësi po shkruan për ju këto ditë. A mund të na thoni si u gjendët në krye të skuadrës së Pesaros, me të cilën po korrni sukses?

– Unë ndodhesha në Amerikë kur më thërriti Pesaro. Në tetor e gjeta skuadrën nga vendet e fundit, pa shumë optimizëm dhe gati të pashpresë. E mora për ta shpëtuar nga rënia, por tani që flasim ne ndodhemi në krye të renditjes në A2 italiane, që është një nga kategoritë më të forta të basketbollit në Itali dhe në Europë. Siç e dini, në A2 luajnë klube të njohura të basketbollit nga qytete të mëdha të Italisë. E mora ekipin në situatë të dobët por me punë të madhe dhe duke harmonizuar grupin, duke kompletuar stafin dhe skuadrën me lojtarë ia dolëm që të merrnin rezultatet e duhura dhe tani jemi një skuadër pretendente në ligë. Fitorja e fundit, ajo ndaj Brindizit, të premten, ndeshje e transmetuar edhe në RAI Sport SAT, tregon se ne jemi në rrugë të mirë, kemi bërë përparime dhe jam optimist për pritshmëritë e skuadrës nga ky edicion.

– Ju po flisni për një ekip që ka kapur kapacitetin e vet maksimal. Deri ku mund të mbërrijë kjo skuadër? Jeni për titull, besoj, apo jo?

– Vështirë të thuhet, përpara kemi 3 ndeshje të rëndësishme por me rivalë të vështirë. Gjërat duhen parë si pjesët e një procesi. Momentalisht jemi në merkato, pasi na është dëmtuar një lojtar amerikan që ishte i rëndësishëm për ne. Po tentojmë zëvendësimin me një lojtar cilësor. Gjithsesi, ecuria e një skuadre varet nga cilësia e së tërës. Ndaj, jemi në pozita të mira, por përpara na presin vështirësi të mëdha.

– Zakonisht, për nivelin tuaj të trajnimit, si një nga teknikët me licencën më të lartë, marrin prioritet elementët teknikë. Çfarë mund të thoni për këtë, çfarë e bën të veçantë basketbollin që praktikoni ju?

– Të gjithë elementët që lidhen me skuadrën dhe me lojën e saj kanë peshën e tyre të rëndësishme. Çdo javë gjejmë elementë të rinj të lojës që i praktikojmë dhe futja e një rryme të re loje duket se ka ngjallur interes edhe në radhët e tifozëve të cilët, nisur dhe nga rezultatet tona në ngjitje, po vijnë masivisht të na ndjekin. Basketbolli që bëjmë ne si skuadër të ekzalton. Ne kemi mbrojtje dhe sulm të lartë. Në shumë parametra ne zëmë vend të parë në ligë. Jemi një skuadër që krijon situata loje. Në realizimin e dypikëshave jemi në vend të parë, shquhemi gjithashtu në “vjedhjen e topave”. Që të mos zgjatem, të gjitha statistikat na japin të drejtë për të merituar atë që në shtyp skuadra jonë cilësohet sensacion. Megjithatë, insistoj që grupi varet nga cilësia e lojtarëve. Sa më cilësorë t’i kesh lojtarët aq më mirë ecën skuadra në renditje. Kjo është diçka që ka domethënien e vet.

– Cili është raporti që ju si trajner keni me grupin?

– Raport special, padiskutim. Natyrisht, unë jam trajneri dhe vendos rregullat, instaloj disiplinën, por është puna ime dhe detyra ime që lojtarët ta ndjejnë veten të rëndësishëm në këtë skuadër. Le të themi se një skuadër arrin shumë kur lojtari në pozicionin e vet e ndjen veten mbret. Për mua janë të gjithë njësoj, por kuptohet jo të gjithë janë njësoj në aspektin e asaj si shpërndahen detyrat dhe përgjegjësinë që merret në fushë. Unë komunikoj me kapitenin, e kështu dhe me të tjerët. Ajo që dua të them përmbledhur është se duhet respektuar roli i lojtarit në fushë. Unë bëj trajnerin, lojtari duhet të bëjë lojtarin. Mos harrojmë se në fund i rëndësishëm është objektivi i ekipit. Mënyra se si luajmë do punë dhe unë mund t’ju them se kemi punuar intensivisht dy muaj që të arrijmë këtu, të arrijmë në këtë nivel sa sot 5 mijë vetë vijnë na ndjekin në pallatin e sportit. Ka patur dhe ndeshje me 8500 spektatorë.

– Cili është objektivi juaj si skuadër këtë sezon?

– Të rritemi sa më shumë, të fitojmë sa më shumë. Të bëhemi akoma më të mirë në lojën tonë.

– A ka vendosur klubi ndonjë kusht rreth objektivave tuaja, fjala vjen titullin kampion…?

– Jo nuk ka kushte të tilla. Natyrisht, kur unë mora skuadrën mu bë e qartë se duhej që këtë ekip ta shpëtoja nga rënia. Janë investuar 3 mln euro për këtë skuadër. Para se të shkohet te titulli luhen “play-off”-et, dhe nuk është e lehtë. Finalja e madhe e titullit luhet më 24 qershor. Ne shpresojmë të bëjmë më të mirën deri në fund. Por e thashë, objektiv parësor kishim të mos lëmë skuadrën të bjerë një ligë më poshtë. Me ecurinë e deritanishme këtë objektiv duket se po e përmbushim si duhet.

– Ju folët me superlativa për tifozët. Duket se ata janë një mbështetje e madhe për ju, apo jo?

– Po, sigurisht. Ne jemi skuadra e dytë më e mbështetur në ligë. Më mirë se ne është vetëm Fortitudo Bologna, e cila krahasohet me klubet më të ndjekur të basketbollit edhe në elitën kryesore italiane si Milano e Bolonja. Pra edhe në këtë aspekt po konkurrojmë me më të mirët.

– Çfarë ka shprehur kritika italiane e basketbollit për ecurinë tuaj në këtë edicion?

– Kemi marrë vlerësime të mira dhe më bëhet qejfi që skuadra dhe unë si trajner kemi qenë këto ditë në qendër të vëmendjes së medias. Pothuajse çdo ditë jap nga tri intervista. Dua të them jemi mjaft të kërkuar. Në fillim nuk na llogaritnin dhe ekipi “kuotohej” për të rënë, por me punë e kemi përmbysur këtë qëndrim dhe kemi fituar simpati. Ka qenë vetë shtypi italian, e konkretisht revista e njohur “Superbasket”, që më ka zgjedhur në listën e 100 personaliteteve të basketbollit për sezonin 2025-2026. Kjo më jep krenari. Është hera e parë që në këtë listë ka 2 shqiptarë, pasi është edhe një vajzë basketbolliste, Lorela Cubaj, që luan për Italinë. Arritjet janë të rëndësishme këto vitet e fundit, për më tepër unë mbaj licencën më të lartë për trajner basketbolli në Itali. Shumë pak veta e kanë atë.

– A ju ka penguar të qenit shqiptar të arrini në nivele të larta?

– Jo, aspak, në Itali vlerësohet e respektohet profesionalizmi. Jo vetëm për ne, por unë ju kujtoj se një pjesë e madhe e trajnerëve janë të huaj. Basketbolli në Itali ka 8-9 kategori. Janë pothuajse 40 mijë trajnerë basketbolli në të gjithë Italinë. Konkurrenca pra është shumë e madhe. E megjithatë, asnjë shqiptar tjetër, si trajner flas, nuk ka arritur në këto nivele. Për më tepër, unë isha në SHBA si këshilltar në një nga klubet e mëdha amerikane, aty ku nuk kishte asnjë europian.

– A ke menduar ndonjëherë që ndonjë basketbollist të ri nga Shqipëria ta angazhoni në kampionatin italian, pse jo me klubin tuaj?

– Ka disa lojtarë shqiptarë që luajnë në Itali. Mund të them se më të mirët e kampingut që unë bëj në Durrës, te kompleksi i Goga Basket, kanë ardhur në Itali. Gleid Mema nga Dinamo ka kaluar te Peruxhia. Më herët kam ndihmuar Kuqon të arrinte nivele të larta dhe sot Kuqo ka arritur shumë lart edhe në Amerikë.

– A kanë kualitet shqiptarët?

– Dyert janë të hapura, po ke cilësi e zotësi mund të çash. Lojtarët që kanë pasur cilësi kanë ecur dhe kanë mundur të shkojnë në A2. Por të arrish nivele të tilla duhet kualitet dhe punë shumë e madhe.

– Unë ju kam pyetur edhe në një intervistë të mëparshme për nivelin e basketbollit shqiptar. Nuk e di sa e ndiqni, por le t’i kthehemi kësaj çështjeje. Ç’mendim keni për kampionatin shqiptar të basketbollit?

– Basketbolli shqiptar është pothuajse amator. Ka vetëm një kub që investon 200-300 mijë euro (Besëlidhja) dhe të tjerët janë dobët. Në Shqipëri pallatet e sportit janë si ne “Koncert në vitin 36”. Sallat pa ngrohje, e kjo nuk kuptohet dot në basketbollin elitar europian. Sidomos gjendja e infrastrukturës është jo pozitive. Për më tepër mungon organizimi i duhur. E megjithatë, pasion ka, interes ka. Një pjesë mundohen të bëjnë më të mirën e tyre, por ndoshta kjo nuk mjafton. Në Shqipëri basketbolli ecën, por këtu vrapon. Edhe Kosova ka probleme (si kudo, probleme ka dhe këtu), por ama Kosova ka një nivel më të lartë, investon më shumë. Kosova ka 2-3 mln euro buxhet për federatën e basketbollit, kurse Shqipëria në basketboll ka një buxhet qesharak.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here