Ekspozita “NOSTRATEMPUS” sjell një ndërthurje të historisë dhe kujtesës njerëzore, duke trajtuar marrëdhënien mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, përmes simboleve, shkrimeve të lashta, strukturave biologjike dhe elementeve mitologjike. Në krijimtarinë e tij, piktori Gazmend Leka ndërthur gjurmët e qytetërimeve, dijen dhe imagjinatën, duke krijuar një gjuhë artistike ku historia dhe bashkëkohësia ndërthuren në forma të reja shprehjeje. Ekspozita u hap në Tiranë, në praninë e piktorit të njohur Gazmend Leka, kuratorëve Ardian Isufi dhe Ardian Kapo, artistëve, artdashësve dhe të ftuarve të tjerë.
Kuratorët Ardian Isufi dhe Ardian Kapo e përshkruajnë “NOSTRATEMPUS” në Gallery of Contemporary Art Tirana si një hartë të kujtesës njerëzore, ku simbolet, shkrimet, strukturat biologjike dhe elementet mitologjike ndërthuren për të krijuar një gjuhë artistike që kapërcen kufijtë e kohës dhe të epokave. Në tekstin kuratorial, ata theksojnë se veprat e Gazmend Lekës vendosin në dialog elementet e lashta me ato bashkëkohore, duke krijuar mënyra të reja perceptimi.
“Arti nuk riprodhon botën”, shkruajnë kuratorët, duke iu referuar mendimit të Gilles Deleuze-it, por krijon mënyra të reja perceptimi dhe lidhje të reja midis elementeve që më parë dukeshin të palidhura. Një vend të veçantë në ekspozitë zë cikli “Dërrasat e Zeza – Axic Mundi”, ku ndërthuren dija dhe harresa, shenjat dhe fshirja, përmes kaligrafive të lashta, tipografive, simboleve dhe fragmenteve të shkrimit. Kuratorët Ardian Isufi dhe Ardian Kapo e përshkruajnë këtë cikël si një proces interpretimi dhe transformimi të kulturës, ku veprat marrin formën e gjurmëve të një qytetërimi të së kaluarës.
“Formula, simbole dhe fragmente shkrimi, ngjajnë me mbetjet e një qytetërimi që përpiqet të deshifrojë vetveten. E kaluara nuk rindërtohet si një rrëfim i përfunduar, por përmes fragmenteve që kanë mbijetuar përtej heshtjes”, shprehen kuratorët.
E zeza, e bardha dhe e kuqja
Në interpretimin kuratorial të Ardian Isufit dhe Ardian Kapos, përdorimi i së zezës, së bardhës dhe së kuqes në veprën e Gazmend Lekës paraqitet si një gjuhë simbolike, ku secila ngjyrë mbart një kuptim të veçantë. E zeza krijon thellësinë e së panjohurës, e bardha bëhet hapësirë e shenjave, e shkrimit dhe e diagramave, ndërsa e kuqja shfaqet si shenjë energjie, alarmi dhe gjurme biologjike.
Përmes këtij raporti kromatik, ngjyra nuk mbetet vetëm element pamor, por shndërrohet në një kod që lidh kujtesën, trashëgiminë dhe përvojën njerëzore. Kjo gjuhë simbolike shfaqet veçanërisht në ciklet “Geni ynë shkruar në kuq e zi” dhe “Dërrasat e zeza”, ku shkrimi, biologjia, mitologjia dhe simboli ndërthuren në një kërkim mes dijes dhe misterit.
“Në ciklet “Geni ynë shkruar në kuq e zi” dhe “Dërrasat e zeza”, shkrimet shquhen si skripte pamore që shndërrohet në një hartë të mendimit njerëzor, ku biologjia, mitologjia, numri dhe simboli përpiqen të komunikojnë. Këtu qëndron mundësia më interesante e Lekës që nuk e ndan dijen nga misteri. Përkundrazi, i vendos përballë njëra-tjetrës. Diagramet sugjerojnë se bota mund të deshifrohet dhe simbolet na kujtojnë se jo çdo gjë mund të reduktohet në shpjegim. Subjekti duket sikur ruan një sekret dhe shkrimi premton ta zbulojë pa e përfunduar kurrë procesin”, shprehen ata.
“Nostradamus”, mes historisë, profecisë dhe imagjinatës
Kuratorët Ardian Isufi dhe Ardian Kapo shprehen se cikli “Nostradamus” nuk duhet parë vetëm si një referencë ndaj figurës së profetit dhe parashikimeve të tij, por si një reflektim mbi marrëdhënien mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. “Nostradamus brenda NOSTRATEMPUS, shndërrohet kështu në një metaforë të vetë aktit artistik dhe mund të lexohet si një kërkim mbi kufirin e brishtë midis historisë, profecisë dhe imagjinatës. Ekspozita në këtë kuptim nuk i qaset vetëm një udhëtimi retrospektiv, por është thuajse një akt kritik ndaj mënyrës se si ndërtohet historia dhe se si shoqëria zgjedh të kujtojë ose të harrojë. Dërrasat e zeza bëhen arkiva të hapura të ndërgjegjes, ndërsa objektet e ciklit Nostradamus shndërrohen në relike dhe paralajmërime të një të ardhmeje të mundshme”, vijojnë kuratorët.
“Nostradamus”, 31 vepra dhe një datë që nuk ekziston
Gazmend Leka shprehet se krijimtaria e tij artistike nuk është kufizuar vetëm në pikturë dhe vizatim, por është zgjeruar edhe në forma të tjera të artit, si instalacionet, performancat, filmat e animuar dhe projektet hapësinore. Përmes tyre, ai ka kërkuar mënyra të reja komunikimi me publikun dhe eksplorimi artistik. Ekspozitën “Nostradamus” e konsideron gjithashtu pjesë të këtij kërkimi dhe të daljes përtej formave tradicionale të pikturës. “Në rrugën time, nuk kam qëndruar gjithmonë brenda “gardhit” të pikturës dhe vizatimit.
Herë pas here kam kërkuar mënyra të tjera marrëdhënie me publikun, me hapësirën, me mungesën dhe me praninë: …Projektet për dy muze kombëtarë, instalacioni “Flamuri Kombëtar”, dy filmat e animuar, performanca “Prezenca e mungesës”, performanca “Homazh Segal”, instalazioni “Fjala”, instalacioni “Kuq e Zi – geni i shqiptarëve”, e të tjera, kanë qenë pjesë e këtyre daljeve nga “e zakonshmja”. Edhe ekspozita “Nostradamus” ishte njëra ndër to”, shprehet prof. Leka. Gazmend Leka rrëfen se cikli “Nostradamus”, i ekspozuar për herë të parë në vitin 1999, rikthehet pas më shumë se dy dekadash në GOCAT. Ai tregon se krijoi 31 vepra, të vendosura në 31 kuti supermarketi, që përfaqësonin ditët e korrikut dhe formonin një kalendar në pritje të katastrofës.

Objektet e zhytura në materialin e zi simbolizonin mbetjet e një bote pas shkatërrimit, ndërsa data e sajuar, 32 korriku, përfaqësonte një element imagjinar të konceptit artistik të veprës. “Në vitin 1999 e ekspozova në Galerinë Kombëtare të Arteve. Sot, pas më shumë se dy dekadash, “Nostradamus” rikthehet dhe gjen strehë në galeri “GOCAT, por jo si një Déjà Vu. Më kujtohet se atëherë për një muaj të tërë, njerëzimi mbajti frymën pezull. Muaji i shtatë ishte dhe është Korriku. Ka tridhjetë e një ditë dhe unë bëra tridhjetë e një vepra të mbyllura në tridhjetë e një kuti supermarketi.
Një refren i përsëritur tridhjetë e një herë, sikur doja me patjetër që profecia të bëhej realitet. I mbusha ato me një material të zi, të dendur, si llava pas një zjarri, si mbetje e diçkaje që dikur kishte qenë e gjallë. Brenda tyre zhyta objekte, statuja, makina, anije, mikroçipe, vegla muzikore, lodra fëmijësh, një mikrobotë të tërë, si metaforë e botës së madhe. Të zhytur në materialin e zi, në llucë, duken si fosile pas një katastrofe. Çdo kuti kishte si titull një datë korriku. I vendosa në rend dhe krijova kalendarin. Por jo një kalendar që vetëm numëron ditët. Ishte një kalendar në pritje të katastrofës. Çdo datë ishte një shpallje e fundit të botës. Por unë nuk ndala aty. Shpika një datë tjetër, tridhjetë e dy korrikun.
Një datë që nuk ekziston, por që jetonte në zemrën time. Dhe pikërisht aty filloi vepra “Nostradamus””, thotë piktori Leka ndër të tjera. Ekspozita “NOSTRATEMPUS” e hapur në Tiranë, vjen si një tjetër dëshmi e rrugëtimit të pasur artistik të Gazmend Lekës dhe e kontributit të tij në artin bashkëkohor shqiptar. Ky aktivitet i shtohet një krijimtarie shumëvjeçare, përmes së cilës piktori ka ndërtuar një gjuhë të veçantë artistike, duke u bërë një nga emrat e spikatur të pikturës shqiptare. Rikthimi i tij me këtë ekspozitë në jetën artistike të Tiranës sjell një tjetër mundësi për publikun për t’u njohur më nga afër me veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij në artin pamor.










































