Fitorja 2-0 ndaj Finlandës nuk e ka larguar vëmendjen e trajnerit Rolando Maran nga problemet që Shqipëria duhet të korrigjojë. Pavarësisht tri pikëve dhe atmosferës festive në stadium, tekniku italian evidentoi disa momente të lojës ku kuqezinjtë humbën kontrollin, duke theksuar se skuadra nuk duhet të heqë dorë nga presioni ndaj kundërshtarit.
Maran u ndal veçanërisht te fundi i pjesës së parë, kur Shqipëria u tërhoq dhe lejoi Finlandën të merrte më shumë iniciativë. Sipas tij, ky është një nga elementët që duhet përmirësuar përpara sfidës së radhës.
“Ne nuk duhet të bëhemi ekip pasiv, sepse kur ndodh kjo, kundërshtarët fillojnë të bëjnë lëvizjet e tyre. Duhet të kemi presionin e duhur ndaj tyre. Lejojmë pak, por nëse e lëshojmë presionin, siç ndodhi në fund, e kemi parë që nuk jemi aty ku duhet”, u shpreh trajneri.
Përtej rezultatit, italiani vlerësoi mënyrën se si lojtarët po zbatojnë idetë e tij taktike, duke theksuar se futbolli modern nuk ndërtohet vetëm mbi individualitetet, por mbi pozicionimin, lëvizjen dhe presionin kolektiv.
Ai pranoi gjithashtu se skuadra ka ende hapësirë për përmirësim në tranzicionet nga mbrojtja në sulm, pavarësisht se arriti të krijojë praninë e nevojshme në zonën kundërshtare.
Një vlerësim i veçantë nga Maran mori edhe Ernest Muçi, autor i golit spektakolar ndaj Finlandës. Trajneri nuk u përqendrua vetëm te realizimi, por edhe te rëndësia që sulmuesi po fiton brenda grupit.
“Ka bërë një gol të madh. Me kontrollin dhe një goditje të tillë, e pres këtë nga ai dhe lojtarët e tjerë. Na ka treguar se mund të shënojë gola të tillë. Jam i bindur se ka numra të tillë në këmbët e tij. Muçi ndihet i rëndësishëm për këtë ekip, ashtu si të gjithë të tjerët. Unë nuk kam qenë këtu më parë. Ndoshta kishte nevojë për këtë, nuk e di”, deklaroi Maran.
Në fund, trajneri vlerësoi edhe paraqitjen e Laçit, duke e cilësuar një lojtar të rëndësishëm, ndërsa theksoi se zgjedhja e formacionit po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të konkurrencës në skuadër.
Festës për fitoren nuk pritet t’i lihet shumë kohë. Maran bëri të qartë se vëmendja duhet të zhvendoset menjëherë te përballja e së dielës me Bjellorusinë, ku Shqipëria synon të ruajë ritmin dhe të mos përsërisë momentet e rënies së presionit të shfaqura ndaj Finlandës.









































