Regjistrimi i mjeteve të reja dhe rinovimi i flotës së automjeteve ka shënuar rritje gjatë periudhës janar-tetor 2026. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vend janë regjistruar për herë të parë 81 mijë e 761 mjete, ku pjesën më të madhe e zënë autoveturat me rreth 79.3% të totalit.
Ndërkohë, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit janë regjistruar 8 mijë e 891 mjete plotësisht elektrike, duke shënuar një rritje prej 93% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas DPSHTRR-së, përdorimi i këtyre automjeteve përkthehet edhe në përfitime mjedisore, me një reduktim të përllogaritur prej mbi 11.7 milionë kilogramësh dioksid karboni në vit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një prirje drejt mjeteve më të reja. Në periudhën janar-tetor janë regjistruar mbi 21 mijë e 500 automjete të moshës nga zero deri në katër vjeç, ose 31% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, 83.3% e autoveturave të regjistruara plotësojnë standardin mjedisor Euro 5 e lart.
Edhe tek automjetet me zero kilometër vihet re një orientim drejt teknologjive alternative, pasi 73.1% e tyre janë elektrike, hibride ose Plug-in Hybrid.
Paralelisht me regjistrimet e reja, vijon edhe largimi nga qarkullimi i mjeteve të vjetra. Gjatë kësaj periudhe janë çregjistruar përfundimisht 8 mijë e 570 mjete, me një moshë mesatare prej 22 vitesh. Ky tregues është rritur me 21.2% krahasuar me vitin 2025.
Sa i përket origjinës së automjeteve të regjistruara, kryeson Koreja e Jugut me 26.3% e ndjekur nga Kina me 16.2%. Në vendet kryesore të origjinës renditen gjithashtu Gjermania me 12%, Italia me 11.4% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8.1% ndëra Zvicra përfaqëson 6.9% të totalit.
Shifrat e dhjetëmujorit pasqyrojnë një tendencë në rritje të regjistrimeve të automjeteve të reja, zgjerimin e flotës elektrike dhe largimin gradual të mjeteve të vjetra nga qarkullimi.








































