Shqipëria e ka bazuar pjesën dërrmuese të grupit të saj nga futbollistë të lindur e rritur jashtë vendit, pra nga një kontigjent lojtarësh që kanë origjinë shqiptare por janë formuar në klubet e mëdha të futbollit në vendet e ndryshme europiane. Mes vendeve të ndryshme një nga më prodhimtaret për përfaqësuesen tonë dhe atë të Kosovës ka qenë Zvicra. Atje luan një kontigjent shumë i madh lojtarësh shqiptarë, aq sa nuk ka klub zviceran në dy ligat kryesore të futbollit që të mos ketë të paktën një lojtar shqiptar në gjirin e vet.
Madje dhe përfaqësuesja zvicerane ka në përbërje disa shqiptarë, fenomen ky prej disa vitesh tashmë. Ndërkohë, Lutfi Dalipi është elementi i ri i radhës i dalë nga liga zvicerane. Sipas mediave tona sportive, e ardhmja ndërkombëtare e Lutfi Dalipit mbetet e paqartë, ndërsa gara mes Shqipërisë dhe Kosovës për ta bindur talentin 20-vjeçar po merr vëmendje gjithnjë e më të madhe. Fillimisht u raportua se Dalipi ishte pranë përfaqësueses së Shqipërisë, por së fundmi në Kosovë janë shfaqur bindje se futbollisti mund të zgjedhë fanellën dardane. Një sinjal që ka nxitur spekulimet është edhe pëlqimi i një postimi nga stërvitja e Kombëtares së Kosovës.
Federata e Futbollit e Kosovës raportohet se po bën përpjekje për ta bindur mesfushorin, i cili më herët ka vendosur të mos vazhdojë me Zvicrën U-21. Ndërkohë, Shqipëria rrezikon të humbasë një talent me perspektivë, nëse nuk arrin ta bindë për të përfaqësuar kuqezinjtë. Dalipi po kalon një sezon të shkëlqyer me Vaduzin në kampionatin zviceran. Në 13 paraqitje ka realizuar pesë gola dhe ka dhënë nëntë asistime. Edhe pse pozicioni i tij natyral është në mesfushën ofensive, te Vaduz po aktivizohet edhe si sulmues qendre.









































