Zbardhet vendimi për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës Ndini Tavani, njëkohësisht dhe kandidat për SPAK. Tavani u hetua për të tre kriteret e rivlerësimit. Komisioni konstatoi diferenca negative në pasuri, DSIK ngriti pikëpyetje për shpërdorim detyre gjatë hetimit të një skeme mashtrimi me TVSH-në si dhe dy hetime të pushuara. Ndryshe nga konstatimi i KPK-së, ILDKP ka dorëzuar një raport pozitiv për të. Për pasurinë apartament të blerë në vlerën e 4.5 milionë lekëve dhe për të cilin ka paguar 3 milionë lekë, Tavani ka deklaruar burim krijimi pagën e tij dhe të bashkëshortes si dhe të kursimet nga puna si avokat para se të fillonte karrierën si prokuror, KPK konstatoi përputhje të deklarimeve, por ngriti pikëpyetje mbi ligjshmërinë e të gjithë shumës prej 2.5 milionë lekë, burim krijimi për këtë shumë, paga nga avokatia, por Tavani ka dokumentuar me pagesë të detyrimeve tatimore shumën 1.6 milionë lekë dhe jo 2.5 milionë lekë. Për këtë çështje, KPK ka marrë qëndrime nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve Berat dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve lidhur me fashën e të ardhurave. E para ka argumentuar se të ardhurat nga puna si avokat i përkasin fashës mbi 2 milionë lekë, ndërsa e dyta se nuk janë mbi këtë fashë. Lidhur me kriterin e figurës, DSIK ka dorëzuar pranë KPK-së dy raporte për Tavanin, duke konstatuar në të dytin papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. DSIK ka ngritur dyshime për “shpërdorim detyre” në lidhje me një çështje për hetimin e disa personave për krijim të skemave mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Sipas KPK-së, prokurori kishte hetuar çështjen në vitin 2015 dhe kishte kërkuar dënimin e të proceduarve, duke shtuar më tej se në vitin 2015 ishte kryer në Prokurorinë e Durrësit një kallëzim penal ndaj Tavanit, por ishte vendosur mosfillimi dhe se ky vendim nuk ishte ankimuar. Lidhur me raportin e dytë të DSIK-së, Tavani ka kundërshtuar, duke e konsideruar këtë si tejkalim të kompetencave dhe se kjo gjë ishte bërë për rëndimin e pozitave të tij. Për kriterin e profesionalizmit, KPK ka konstatuar probleme në dy prej pesë dosjeve të shortuara. Ndërkohë, në emër të Tavanit pranë KPK-së janë regjistruar 31 denoncime nga publiku, nga të cilat 16 kanë rezultuar pa probleme, 6 janë kryer nga i njëjti person dhe tre të tjera nga i njëjti kallëzues.