Dalin në dritë të tjera detaje nga zhvillimet në Shqipërinë komuniste. Mediat britanike kanë shkruar me dhjetëra artikuj për situatën pas Çlirimit. Gazeta po publikon disa detaje nga këto shkrime, ku tregohet situata në vendin tonë dhe beteja SHBA-BRSS për të dominuar Ballkanin.
17 tetor 1945
Lufta e pushtetit në Ballkan
Konkurrenca diplomatike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara për influencë në Europën Lindore po intensifikohet në rajonin e Ballkanit ku priten zgjedhjet e para të pasluftës dhe fuqitë e mëdha përgatisin pozitat e tyre për rinisjen e bisedimeve të paqes. Është mësuar sot se Britania dhe SHBA po përgatiten të japin njohjen për qeverinë shqiptare të Enver Hoxhës edhe pse nuk është vendosur ende plotësisht për vendimin. Por kjo i përshtatet kuadrit të luftës politike për influencë në Ballkan. Disa kohë më parë Marshall Tito i Jugosllavisë ftoi Shqipërinë t’i bashkohet Federatës Jugosllave si provincë autonome. Karremi për këtë propozim të bërë privatisht përmes kanaleve diplomatike, ishte propozimi se nëse Shqipëria i bashkohej Jugosllavisë, do i jepej në administrim dhe territori i vjetër i vilajetit turk të Kosovës, i cili njihet në historinë serbe, por që tashmë banohet nga shumicë dërmuese shqiptare. Tito gjithashtu i ka dhënë mbështetje të plotë Shqipërisë në debatin me Greqinë. Hoxha duket se e ka refuzuar ofertën e Titos, siç thuhet pas inkurajimit të britanikëve e amerikanëve. Ai po mbron pavarësinë e vendit sipas kufijve të para pushtimit të vitit 1939. Amerikanët besojnë se Hoxha nuk është totalisht një kukull e Moskës por njëfarë socialisti francez dhe jo komunisti rus, prandaj do të pranonte ndihmën e Perëndimit si njëfarë balance kundër presionit sllav. Qoftë ky opinion i drejtë apo i gabuar, duket se është baza e vendimit për njohjen që pritet të jepet për Hoxhën. Në kabinetin e Hoxhës ka vetëm një komunist të trajnuar në Komintern, Sejfulla Malishova. Mund të jetë e rrezikshme të luhet me faktin se nëse jepet njohja Hoxha do të bëhet miku ynë. Por duket se ka një shpresë se Shqipëria, nga e cila mund të kontrollohet ngushtica e Otrantos për hyrjen në Adriatik, do të shikojë nga Perëndimi dhe se kjo mund të ndihmojë për përmirësimin e situatës me Greqinë. Ndërkohë Greqia do të kuptojë se njohja e Shqipërisë në kufijtë e paraluftës do të thotë se Aleatët nuk po mbështesin pretendimet e saj për territoret e Korçës e Gjirokastrës në jug të vendit. Ndërkohë në Jugosllavi si një lëvizje balancuese, Tito po përshkallëzon fushatën e propagandës kundër pretendimeve revizioniste të Greqisë ku ka gjithashtu dhe mbështetjen e heshtur të Moskës. Situata e brendshme për Titon është gjithnjë e më e paqëndrueshme. Presioni diplomatik perëndimor po shtohet në mbështetje të opozicionit brenda vendit. Ambasadori amerikan atje ka marrë mbështetjen e Uashingtonit për të luftuar për demokracinë pasi Amerika nuk do të japë ndihmat ekonomike për Titon pa u zbatuar katër reformat dhe po kërcënon të tërheqë njohjen. Por kjo e fundit nuk ka gjasa të vihet në zbatim ndaj Jugosllavisë. Opozita jugosllave mban lidhje të ngushta me ish-mbretin Peter dhe politikanët rreth tij përfshirë Vladimir Matçek, i cili është një politikan serb i kthyer në Jugosllavi pas marrëveshjes Tito-Subasiç. Kuptohet gjithashtu se nuk ka bashkëpunim mes komunistëve dhe partive të tjera të cilat janë një kamuflazh i pafuqishëm sa për të justifikuar demokracinë. Në Bullgarinë fqinje situata është bërë e nderë me afrimin e zgjedhjeve dhe partitë që mbështesin Perëndimin kanë refuzuar të marrin pjesë, duke krijuar një situatë të ngjashme me 26 gushtin kur paralajmërimet amerikane shkaktuan shtyrjen e zgjedhjeve dhe zhdukjen e ish-liderit komunist Georgi Dimitrof.
21 tetor 1945
Diplomati britanik deklaron se Shqipëria kontrollohet nga komunistët
Një diplomat i lartë britanik i sapo kthyer nga Shqipëria tha sot se vendi është nën një diktaturë ushtarake, e cila e mban veten në pushtet me anë të arrestimeve, ekzekutimeve dhe masave të tjera drastike policore. Ai tha se komunistët kontrollojnë postet kryesore në qeveri dhe janë e vetmja parti e ligjshme në vend. Shumë elementë dhe grupe të tjera jo-komuniste shqiptare e kanë kompromentuar veten me bashkëpunim me pushtuesit italianë ose gjermanë, ose me një qëndrim pasiv ndaj pushtuesve. Jo-komunistët në pushtet përfaqësohen nga Enver Hoxha dhe e quajnë veten “patriotë jo-partiakë”. Informatori që hetoi kushtet shqiptare në një post me përgjegjësi, tha se një anëtar i sigurimit shqiptar ishte caktuar me çdo ministër. Ai shtoi se gjykatat ushtarake trajtonin shumicën e çështjeve politike apo shkelje kundër regjimit. Informatori tha se Shqipëria duket se zotëron ushtrinë më të madhe në Europë me rreth 60 000 njerëz pra rreth 6 për qind të popullsisë edhe pse është nga më të paefektshmet. Njerëzit mbi 45 vjeç janë demobilizuar nga ushtria, e cila konsumon rreth gjysmën e buxhetit shqiptar. Sipas tij masa e ushtrisë vinte prej frikës nga Greqia, por dhe dëshirës për parandalimin e kryengritjeve të brendshme. Fermerët ankohen se shërbimi i detyruar ushtarak për bijtë e tyre ka shkaktuar probleme të krahut të punës në bujqësi.
15 nëntor 1945
Drejt dhënies së njohjes së Shqipërisë
Vendimi anglo-amerikan për të dhënë njohje zyrtare regjimit de facto në pushtet në Shqipëri, me kusht që të zhvillohen zgjedhje të lira demokratike, është një lëvizje e përshtatshme për kohën. Kjo i provon botës së demokracitë perëndimore mbrojnë popujt e vegjël dhe tregojnë se duke mbrojtur marrëveshjen e Jaltës, amerikanët dhe britanikët besojnë në demokracinë dhe jo në armiqësinë e popujve që shikojnë dhe nga Moska për udhëheqje, në vend të Londrës apo Uashingtonit. Shqiptarët e sotëm janë mbetje e një populli më parë madhështor, siç ishin iliro-maqedonasit e udhëhequr nga Aleksandri i Madh drejt pushtimit të botës. Pjesë shqiptare janë shpërndarë tashmë dhe në Kosovë të Jugosllavisë dhe në Greqi si Atika e Peloponez. Brenda Shqipërisë populli është i ndarë në dy grupe linguistike, gegët në veri dhe toskët në jug, të ndarë në tre besime fetare: myslimane, katolikë dhe grekë ortodoksë. Ata i kanë rezistuar me ashpërsi dhe shpeshherë pa sukses pushtuesve grekë e serbë. Vendi ka qenë gjithnjë miqësor ndaj SHBA. Në Masaçusets ka një koloni të konsiderueshme emigrantësh shqiptarë, që asnjëherë nuk kanë humbur interesin e tyre në vendin e origjinës. Metodistët amerikanë kanë punuar më parë në Shqipëri për demokratizimin e zonave pranë Korçës. Në periudhën mes dy luftërave amerikanët hapën një shkollë teknike në Tiranë, një shkollë bujqësore në Kavajë dhe një nga shkollat më të mira të vajzave në Ballkan. Kompanitë amerikane të naftës konkurronin për depozitat e vogla shqiptare të naftës. Fondacioni Rockfeller ka bërë një punë të shkëlqyer për të çrrënjosur epideminë e malaries në vend, ndërsa amerikani Harry C. Fultz shkoi në Shqipëri si punonjës i Kryqit të Kuq dhe më pas u zgjodh si ambasador në vend. Le të mos harrojmë se Shqipëria u çlirua nga pushtimi i fuqive të Aksit pa ndihmë të jashtme. Ushtaraku i ri Enver Hoxha kreu një fushatë të aftë luftimi duke bashkuar luftëtarët e ashpër malësorë. Por ka dhe arsye të tjera se përse Shqipërisë duhet t’i jepet njohja diplomatike, e cila do të ishte një parandalim për pretendimet e imperialistëve grekë për jugun e vendit, me justifikimin se “do të çlirojnë rreth 50 000 grekë”. Njohja do të thoshte se gjiri i Vlorës do të mbetej në duar të padëmshme në vend të atyre italiane apo jugosllave. Pengesa e vetme mbetet mbajtja e zgjedhjeve të lira e demokratike. Hoxha ka drejtuar revolucionin ekonomik e shoqëror kundër feudalëve, sipas modelit të Titos së Jugosllavisë. Armiqtë e Titos i referohen Hoxhës si “kukulla e kukullës”, që për mendimin tim është e padrejtë. Kur marshall Tito u përpoq të bindte Shqipërinë t’i bashkohej federatës jugosllave duke i ofruar Kosovën serbe, Hoxha refuzoi. Shumica e kabinetit të Hoxhës ashtu si dhe i Titos, janë komunistë radikalë. Por Hoxha nuk iu imponua vendit të tij me ndihmën e ushtarëve të huaj. Ai erdhi në pushtet spontanisht nga shqiptarët. Mbrojtësit e “demokracisë sovjetike” insistojnë se popujt e Ballkanit nuk janë ende të pjekur për demokraci të ndershme, por ato janë në fakt më të gatshme për Xhefersonianizëm sesa për kolektivizëm. Qytetari ballkanik është fshatar individualist që refuzon tiraninë si një komisari i partisë ashtu dhe nga feudali.
19 nëntor 1045
Greqia dënon Aleatët për njohjen e Shqipërisë
Më shumë se 100 000 grekë morën pjesë dje në një demonstratë në sheshin e Kushtetutës kundër Britanisë dhe SHBA-së që dhanë njohjen për qeverinë dhe shtetin e Shqipërisë, duke brohoritur “do të luftojmë për Vorio Epirin”. Peshkopi ortodoks grek i Gjirokastrës, Panteleimon, i tha turmave se njohja e Shqipërisë ishte “qesharake” dhe se nëse Aleatët nuk i japin Epirin e Veriut Greqisë me drejtësi, ajo do të veprojë me forcë për të. Ajo që Greqia quan Epiri i Veriut i përket Shqipërisë prej vitit 1914 dhe pretendohet se është marrë nga grekët gjatë luftës së tyre kundër italianëve. Rrugët që çonin drejt sheshit të Kushtetutës ishin mbushur me njerëz që thërrisnin slogane nacionaliste dhe akuzonin fuqitë Aleate se po shisnin Greqinë. Sapo folësit përmendnin udhëheqësin shqiptar Hoxha, demonstruesit brohorisnin “Poshtë Hoxha” “Vdekje Hoxhave” etj.
Kryeministri grek Kanelopulos ndoqi demonstratën nga ballkoni i hotelit të tij dhe komentoi: Ju e shihni popullatën e Athinës që po shpreh masivisht dinjitetin, modestinë dhe dhimbjen për vëllezërit e tyre në Epirin e Veriut. Të tjerë që iu bashkuan demonstratës nga ballkoni i kryeministrit ishin kreu i sindikatës së veteranëve grekë, L. Psionis dhe kreu i sindikatës së punës, Fotos Macris. Komiteti organizues i demonstratës deklaroi në një rezolutë se protestonte kundër njohjes së qeverisë së Shqipërisë pa u zgjidhur çështja e Epirit të Veriut. Aty shprehej gjithashtu se mbajtja e zgjedhjeve në Epirin e Veriut ishte e papranueshme.