Bilanci i tërmetit të 26 nëntorit është përkeqësuar ndjeshëm. Numri i viktimave që humbën jetën nga lëkundjet e forta ka shkuar në rreth 48. Rreth orës 8 të mëngjesit të djeshëm, Roza Meçja u nxor e pajetë nga gërmadhat e godinës 6 katëshe pranë Kryqit të Kuq. Në këto çaste dramatike ka qenë i pranishëm edhe bashkëshorti i saj Ajeti, i cili ka shpërthyer në lot sapo ka parë bashkëshorten e pajetë. Ajeti humbi edhe vajzën Dienën dhe mbesën 8 vjeçe Esiela, që ndërroi jetë nën rrënojë. Ndërsa rreth orës 16:00,u nxor trupi i pajetë i 41-vjeçarit, Sotiraq Misha, nga rrënojat e hotel Mira Mares. Dy trupat e fundit Almir dhe Stela Cara u nxorën nga rrënojat në Thumanë. Me nxjerrjen e tyre operacioni i kërkim shpëtimit u ndërpre, pasi personat që ishin shpallur të zhdukur u nxorën, disa prej tyre fatkeqësisht të vdekur, ndërsa dhjetëra të tjerë u shpëtuan. Në fund të operacionit, fiks 48 orë pas rënies së tërmetit specialistët nga trupat e ardhura nga Greqia dhe Kosova sëbashku me ata të Shqipërisë kanë shkrepur edhe një foto mbi rrënojat e Thumanës. Në Thumanë humbën jetën nga tërmeti 24 persona. Pas nxjerrjes së të gjithë trupave, në Thumanë mbërritën forcat e IKMT-së të cilat do të ndërhyjnë për të shembur pallatet që nuk janë shembur që më pas të nisë rindërtimi i banesave nga fillimi, siç ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama.
Shuhet familja Lala
Ramë Lala është i vetmi i mbijetuar nga familja Lala në Durrës, ku si pasojë e tërmetit vila e tyre në zonën e ish-kënetës u shemb duke zënë nën rrënoja 9 anëtarët e të njëjtës familje nga të cilët 7 janë nxjerrë të vdekur, një rezulton ende nën rrënoja dhe vetëm një është ende gjallë. Mësohet se 17-vjeçari është nisur për një ndihmë më të specializuar në Itali pasi gjendja e tij është e rëndë. Janë gjetur të pajetë nën rrënoja nëna dhe tre fëmijët në vilën Lala në zonën e ish-kënetës në Durrës. Nga vendngjarja raportohet se janë nxjerrë të pajetë Marjeta Lala së bashku me tre fëmijët, Emilio Lalën, 6 vjeç dhe dy binjakët Dionis dhe Dionisa Lala, më pak se 3 vjeç. E ndjera është gjetur e përqafuar me të tre fëmijët e saj nën rrënoja të banesës. Ajo kishte mbajtur të tërhequr pas vetes fëmijët e saj, por nuk ja dolën të mbijetonin dot nën rrënoja. Familja Lala është shuar e gjitha ndërkohë që nga rrënojat është nxjerrë dje e pajetë edhe vajza Amelia Lala 9 vjeçe, e cila është gjetur sëbashku me gjyshen, Sahdete Lala, e cila po ashtu është nxjerrë e pajetë. Po ashtu nga tërmeti ka ndërruar jetë Griselda Lala 22 vjeçe, (motra e Ramë Lalës), ndërkohë nën rrënoja është ende Ilir Lala xhaxhai i fëmijëve (i paralizuar). Ramë Lala, rreth 17 vjeç, pjesëtar i familjes Lala, ka arritur të shpëtojë. Ai u nxor dje nga rrënojat dhe ishte relativisht në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë babai i binjakëve, Albert Lala ka mbërritur nga Italia dhe ka ndjekur operacionin e shpëtim-kërkimit, por për fat të keq asnjë familjarë i tij nuk mbijetoi. Ndërkohë dy trupa janë identifikuar tek “Dy Gjelat”, në lagjen nr.6 dhe bëhet me dije nga burimet se ato janë Nafie Rexhepi rreth 70 vjeç dhe Xhuljeta Gjonaj rreth 53 vjec. Me nxjerrjen e 4 trupave të pajetë nga rrënojat e banesës së familjes Lala në zonën e ish-Kënetës në Durrës, numri i viktimave nga kjo tragjedi shkon në 47.
2 viktima pa identifikuar
Dy persona të paidentifikuar ndodhen në morg, viktima nga tërmeti katastrofik. Burime nga morgu i Durrësit bënë me dije se personat që kanë mbërritur nga Thumana, është një vajzë, rreth 20 vjeçe dhe një grua, rreth 50 vjeçe./Elisjeda Kiko