Kuvendi miratoi rregullat dhe kushtet për kandidatët jomagjistratë të Inspektoratit të Drejtësisë, ja 3 fazat që duhet të kalojnë

0
429

Kuvendi i Shqipërisë me propozim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të zgjedhë Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, më pas drejtuesi do të zgjedhë një pjesë të inspektorëve. Në mbledhjen e ditës së djeshme të qeverisë, u miratuan rregullat se si do të zgjidhen inspektorët dhe filtrat që duhet të kalojnë më parë. Kandidatët jomagjistratë do të duhet të kalojnë në tre hapa kryesore: në verifikimin e pasurisë, verifikimi i integritetit dhe verifikimi i kushteve të tjera ligjore. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë do i dërgojë ILDKPKI listën e plotë të kandidatëve jomagjistratë, ku do i vendosen në dispozicion të gjitha të dhënat mbi deklarimet e pasurive. Por në rast se kandidatët nuk dorëzojnë brenda afatit formularin me plotësimin e deklarimeve të pasurisë, atëherë ILDKPKI vë në dijeni ILD-në për mungesë informacioni. Ndërsa kur kandidatët jomagjistrat dorëzojnë formularin e pasurisë, në përfundim të verifikimit të kryer sipas ligjit, ILDKPKI-ja i dërgon menjëherë Inspektorit raportin e kontrollit të plotë për pasuritë, interesat private dhe detyrimet financiare të kandidatit dhe të personave të lidhur. Ndërsa sa i përket verifikimit të integritetit, do të kryhet nga Prokuroria e Përgjithshme. Në varësi të rezultateve të kontrollit dhe të nevojave të verifikimit të mëtejshëm të integritetit të kandidatit, Inspektori mund të kërkojë edhe informacione shtesë nga institucionet përkatëse. Nëse nga gjetjet dhe përfundimet e raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, si edhe gjetjet e përfundimet e nxjerra nga të dhënat e dërguara nga institucionet e tjera të përmendura në këtë seksion, Inspektori vlerëson se nuk ka të dhëna që mund të sjellin ndalimin e kandidimit, procedon me përgatitjen e pjesës së relacionit përkatës mbi gjendjen e faktit dhe të ligjit të zbatueshëm për sa i përket verifikimit të integritetit të kandidatit jomagjistrat. Ndërsa për verifikimin e kushteve të tjera ligjore, Inspektori shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga kandidati jomagjistrat për të vlerësuar nëse, për efekt të verifikimit të kushteve dhe kritereve të tjera ligjore të kandidimit, të dhënat e deklaruara janë të plota, kanë përmbajtje të saktë dhe nuk gjenden elemente që sjellin dyshime për vërtetësinë e dokumentit apo të përmbajtjes së tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here