Trajneri i Kosovës, Franko Foda, e ka komentuar vendimin e Amir Rrahmanit javën e kaluar për t’u tërhequr nga ekipi përfaqësues i Kosovës. Foda ka thënë se ishte njoftuar personalisht nga Rrahmani për vendimin për t’u tërhequr nga Kosova “përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”. “Gjithçka është shumë emocionale në Kosovë. Fakti është se Amir Rrahamani ka dhënë dorëheqjen.
Ai më informoi personalisht për këtë. Por të gjithë lojtarët që janë në formë dhe që do t’i ftoj do të jenë atje të hënën dhe do të përgatiten për ndeshjet së bashku me mua”, ka thënë Foda në “CANAL+” gjatë ndeshjes së Ligës së Evropës ndërmjet Shturm Grazit dhe Renesit, shkruan të enjten mediumi i madh austriak, “Laola1”. Foda ka mohuar se rrugën e Rrahmanit do ta ndjekin edhe të tjerët. “Ka shumë dramë që po ekzagjerohet. Ideja se edhe më shumë lojtarë duan të bojkotojnë ekipin kombëtar nuk është e vërtetë”, ka theksuar Foda. Rrahmani te Kosova i ka 67 paraqitje e shtatë gola. Shumicën e paraqitjeve i kishte si kapiten. Ai në fakt bëri karrierë ndërkombëtare në nivelin senior edhe te Shqipëria. Në vitin 2016 iu bashkua përfundimisht Kosovës. Dhe ka kontribuuar shumë në sukseset që i kishte Kosova.
Rrahmani njoftoi tërheqjen e përkohshme të premten e kaluar. Para se mbrojtësi 32-vjeçar i Napolit të njoftonte për largimin nga Përfaqësuesja e Kosovës, zyra e avokatëve “Hodaj & Partners” njoftoi se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të futbollistit, “lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona kyçë dhe të lidhur brenda FFK-së”. Këtë zyrë e drejton Taulant Hodaj. Rrahmani ishte shprehur i pakënaqur me drejtuesit aktualë. “Pas 10 vjetëve në Kombëtare, nga të cilat shtatë si kapiten, ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës, përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”, kishte shkruar Rrahmani.






































