Shqipëria nuk do të ketë grup të lehtë në Ligën e Kombeve, por as të vështirë, ndaj dhe objektivat e saj janë të dalë e para e grupit dhe të ngjitet një ligë më lart. Ndërkohë, Bjellorusia do të jetë kundërshtari me të cilin Shqipëria do të hapë fushatën e Nations League, më 26 shtator, në Shqipëri. Kjo sfidë do të zhvillohet normalisht në stadium, me praninë e tifozëve kuqezi. Por situata do të ndryshojë në ndeshjen e kthimit, më 15 nëntor. Edhe pse Bjellorusia figuron si skuadra pritëse, ajo nuk do të mund ta presë Shqipërinë në territorin e saj.
Vendimi i UEFA-s, i marrë në mars 2022 pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe përfshirjes së territorit bjellorus në mbështetje të operacioneve ruse, mbetet ende në fuqi. Ekipet bjelloruse duhet t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në terren neutral dhe pa tifozë. Kështu, përballja e nëntorit do të luhet në Hungari, por me dyer të mbyllura. Një situatë që mund të konsiderohet si një avantazh i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi Bjellorusia humbet pikërisht dy elementët që zakonisht i japin forcë një skuadre vendase: fushën e saj dhe mbështetjen e publikut.
Pra, Shqipëria do ta nisë përballjen e dyfishtë në shtëpi, me tifozët kuqezi në shkallë, ndërsa në kthim Bjellorusia nuk do të ketë as stadiumin e saj dhe as tifozët për ta mbështetur. Në letër, kjo i jep Shqipërisë një avantazh të veçantë në ndeshjen e dytë, edhe pse përballja do të zhvillohet në një fushë neutrale dhe kushtet sportive mbeten të njëjta për të dyja skuadrat. Vendimi i UEFA-s, pra, nuk është një masë e harruar prej vitit 2022. Ai vazhdon të aplikohet edhe në Nations League 2026/27 dhe, për Shqipërinë, krijon një rrethanë jo të zakonshme: një kundërshtar që në ndeshjen e kthimit është “pritës” vetëm në letër.
Adri Mehmeti zgjedh të luajë për SHBA
Ndërkohë që kuqezinjtë po përgatiten për duelin e parë të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, një lojtar shumë i talentuar nuk pranon të veshë fanellën kuqezi, por ka zgjedhur atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmi tani është zyrtar pasi emri i tij figuron në listën e përfaqësueses së vendit të madh matanë Atlantikut.
Sipas mediave sportive në Shqipëri por edhe në SHBA, Adri Mehmeti është ftuar nga trajneri Mauricio Poçetino tek përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për 17-vjeçarin është një moment historik, ndërsa luan me Nju Jork Red Bull në MLS. Ndeshjet e shtatorit për Amerikën ndërkohë janë kundër Perus dhe Kilit. Mehmeti është me origjinë nga Saranda. Pavarësisht se Shqipëria ishte opsion, në fund Poçetino e afroi për ndeshje zyrtare tek Amerika. Bëhet fjalë për një nga talentet më të vlerësuar në botë për datëlindjen 2009. Kujtojmë se ka luajtur me Shqipërinë U-15, por më pas ishte Amerika që e bindi për të ndryshuar fanellën.
Ftesa tek ekipi A i shkon menjëherë pas kontributit me ekipin U-17 të Amerikës. Dhe për Shqipërinë shikohet si humbja më e madhe, duke qenë se në moshë të re ishte potencial për Kombëtaren A. Ai ka talent, por talentin e tij do ta shkrijë tash e tutje për përfaqësuesen amerikane.






































