Qeveria ka ndryshuar rregullat për kalimin në pronësi të objekteve pa titull pronësie, trojeve funksionale dhe të ashtuquajturave “oborre në përdorim”, duke përcaktuar më qartë sipërfaqet që mund të përfitohen, mënyrën e evidentimit të posedimit dhe rastet kur prona mund të merret pa pagesë.
Vendimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave ndërhyn në VKM-në nr.827, datë 30 shtator 2020, dhe prek drejtpërdrejt procedurat që ndiqen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
Një prej ndryshimeve kryesore lidhet me përcaktimin e truallit funksional të një objekti pa titull. Sipas formulimit të ri, truall funksional konsiderohet sipërfaqja nën ndërtesë dhe ajo përreth saj, që posedohet efektivisht nga subjekti dhe është në funksion të objektit, brenda kufijve të përcaktuar nga vendimi.
Ndërkohë, për herë të parë përcaktohet shprehimisht se çfarë do të konsiderohet “posedim efektiv”. Ky do të jetë zotërimi faktik i truallit funksional ose oborrit në përdorim, në funksion të objektit, i evidentuar nëpërmjet rrethimit në terren.
Deri në 300 m² truall, pa pagesë kur toka është shtetërore
Ndryshimi më i rëndësishëm për qytetarët lidhet me sipërfaqen që mund të kalojë në pronësi.
Drejtoria vendore e ASHK-së do të mund të kalojë pronësinë për truallin funksional deri në 300 metra katrorë, me kusht që kjo sipërfaqe të posedohet efektivisht nga subjekti dhe kjo të provohet gjatë evidentimit në terren përmes rrethimit.
Për sipërfaqe deri në 300 m², dokumenti i pronësisë do të miratohet pa pagesë, kur trualli është pronë shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ekziston informacion për pronësinë.
Kjo zbatohet edhe nëse brenda kësaj sipërfaqeje ndodhen ndërtime pa leje që lidhen me vetë subjektin.
Nëse qytetari ka ndërkohë dokumentacion pronësie të regjistruar ose të regjistrueshëm për truallin, procedura sipas këtij mekanizmi do të zhvillohet vetëm për ndërtesën.
Çfarë ndodh kur toka është pronë e një personi tjetër?
Vendimi përcakton edhe mënyrën e trajtimit të rasteve kur objekti është ngritur mbi tokë që rezulton pronë private e të tretëve.
Edhe në këto raste mund të miratohet dokumenti i pronësisë për një sipërfaqe deri në 300 m², por ndryshe nga toka shtetërore, përfituesi duhet të paguajë vlerën e truallit.
Vlera do të përllogaritet sipas çmimit favorizues dhe do të zbatohen të njëjtat lehtësi pagese të parashikuara nga neni 22 i ligjit nr.20/2020.
Në rastet kur trualli funksional shtrihet pjesërisht mbi pronë shtetërore dhe pjesërisht mbi pronë private, ASHK mund të miratojë pronësinë edhe për një sipërfaqe më të vogël se 300 m², duke shmangur cenimin e pronës private të personave të tretë, kur një ndarje e tillë është fizikisht e mundur në terren.
Të njëjtat rregulla edhe për “oborret në përdorim”
Kufiri prej 300 m² vendoset edhe për oborret në përdorim.
ASHK do të kalojë pronësinë e oborrit deri në këtë sipërfaqe, nëse ai posedohet efektivisht dhe rrethimi konstatohet gjatë verifikimit në terren.
Edhe këtu kalimi bëhet pa pagesë kur toka është shtetërore, ka pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion për pronësinë. Nëse toka rezulton private, përfituesi duhet ta paguajë sipas çmimit favorizues dhe lehtësive të parashikuara në ligj.
Vendimi zgjeron gjithashtu rastet që mund të trajtohen si “oborr në përdorim”. Objekt i kalimit në pronësi mund të jetë edhe një oborr që ndodhet në pronësi private të të tretëve ose që i është transferuar një njësie të vetëqeverisjes vendore, por për këto raste do të zbatohen mekanizmat specifikë të ligjit nr.20/2020.
ASHK mund ta nisë vetë procedurën
Dokumenti parashikon forcimin e procedurave të nisura kryesisht nga vetë Kadastra, pa qenë domosdoshmërisht qytetari ai që paraqet fillimisht kërkesën.
ASHK mund t’i evidentojë këto pasuri gjatë regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale ose verifikimeve në terren. Për këtë qëllim futet koncepti i ri i “planveprimit”, një dokument zyrtar i drejtorisë vendore të ASHK-së që përcakton blloqet kadastrale ku do të zhvillohen procedurat.
Kur ASHK e nis vetë procedurën, gjatë verifikimit në terren qytetarit do t’i vihet në dispozicion formulari për deklarimin e të dhënave.
Kjo krijon mundësinë që një pjesë e proceseve të pronësisë të trajtohen në mënyrë të organizuar sipas zonave dhe jo vetëm përmes aplikimeve individuale.
10 mijë lekë tarifa kur aplikon vetë qytetari
Kur procedura nis me kërkesën e subjektit, aplikimi duhet të bëhet online përmes platformës e-Albania.
Tarifa për procedurën administrative të miratimit të dokumentit të pronësisë përcaktohet në 10 mijë lekë. Ajo paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për kalimin e pronësisë dhe nuk kthehet edhe nëse ASHK e rrëzon kërkesën.
Por vendimi parashikon një përjashtim të rëndësishëm: kur procedura nis kryesisht nga ASHK, sipas rasteve të parashikuara në vendim, nuk aplikohet tarifa standarde për objektet me funksion banimi.
30 ditë publikim kur nuk gjendet poseduesi
Rregulla të reja vendosen edhe për pasuritë ku punonjësit e Kadastrës, gjatë verifikimit në terren, nuk arrijnë të identifikojnë personin që i posedon.
ASHK duhet të publikojë informacionin për këto raste në ambientet e njësisë administrative, në drejtorinë vendore të Kadastrës dhe në faqen zyrtare të institucionit për një periudhë 30-ditore.
Nëse gjatë këtij afati paraqitet personi që pretendon pronën dhe evidentohet posedimi i tij në terren, ASHK vijon procedurën administrative në emër të tij.
Nëse qytetari paraqitet pasi ka përfunduar afati 30-ditor, ai nuk e humbet mundësinë për ta kërkuar pronën, por duhet të aplikojë përmes e-Albania.
Ndryshimet do të prekin edhe dosjet ekzistuese. Qeveria ka përcaktuar se kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të vendimit, për të cilat procedura administrative nuk ka përfunduar, do të trajtohen sipas rregullave të reja.








































