Epo, Shqipëria është kthyer në një çmendinë, ku në krye të institucionit të Shëndetësisë me “meritë”, dhe për herë të parë kemi një paciente ministre. Dje, në Parlament, me piskama dhe me shkumë në gojë, kjo ministre u jepte zemër bashkëpunëtorëve të saj se sa të jetë ajo aty, le të firmosin, se nuk do të përfundojnë si ata të Ilir Beqajt.
Erdhi në krye të këtij institucioni si propozim i cepave më të errët të Durrësit, me një arrogancë të paparë ndonjëherë dhe me vendosmërinë për të qenë, brenda një kohe rekord, klientja-paciente e SPAK-ut. Projektet që nuk i firmosi Evis Sala, tashmë i ka marrë në dorë Klodiana Spahiu dhe, si Ermal “raketa”, do të hapë gropën tjetër në buxhetin e shtetit, duke krijuar KAYO-n e Shëndetësisë, si dhe monopolizimin e mëtejshëm të tregut të farmaceutikës dhe të pajisjeve mjekësore.
Kështu, një institucion që duhet të mbrojë shëndetin e qytetarëve po kthehet në arenë pazaresh dhe interesash, ku fjala “shëndet” shqiptohet vetëm sa për protokoll, ndërsa nën tavolinë luhen tenderat e koncesionet. Dhe si çdo cirk i mirë, spektakli vazhdon ndërkohë, faturat e barnave dhe të pajisjeve mjekësore rriten, buxheti i shtetit zvogëlohet, dhe qytetari ai i vërteti, ai që s’mban as mikrofon as mandat paguan heshtazi biletën e këtij teatri. Sepse në Shqipërinë e shëndetësisë, “shërimi” më i sigurt është: mos u sëmurë. Në fund, mbetet vetëm pyetja e madhe, ajo që s’e bëri dot as piskama as shkuma në gojë: kush e mban këtë sistem mjekësor për qytetarin, apo thjesht për veten? Përgjigja, si gjithmonë, do të dalë… në një dosje të SPAK-ut.






































