Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të krijojë Regjistrin e Gjyqtarëve. Regjistri do të jetë një një bazë unike e të dhënave profesionale dhe personale të gjyqtarëve, që plotësohet mbi bazën e dosjes personale të çdo gjyqtari. Në Regjistrin e Gjyqtarëve administrohen të dhënat e mëposhtme: emri, mbiemri; datëlindja; vendlindja; vendbanimi; arsimimi; kualifikimet dhe trajnimet; pjesëmarrja në aktivitete shkencore; përvoja profesionale; data e emërimit dhe lëvizjet brenda dhe jashtë sistemit gjyqësor; vlerësimet e etikës dhe veprimtarisë profesionale; masat disiplinore. Në vendimin e KLGJ është sqaruar se kur krijohet dosja personale për një gjyqtar. “Dosja personale e gjyqtarit merr një numër identifikimi të veçantë dhe krijohet që nga momenti i emërimit. Për gjyqtarët që vijnë nga Shkolla e Magjistraturës, dosja personale krijohet mbi bazën e dosjes së përcjellë prej saj. Për gjyqtarët e tjerë, dosja personale krijohet mbi bazën e dosjes së emërimit. Dosja personale e gjyqtarit administrohet dhe përditësohet në mënyrë të vazhdueshme, në format shkresor dhe elektronik, nga njësia përgjegjëse e burimeve njerëzore në Këshillin e Lartë Gjyqësor”, thuhet në vendim. Dosja personale e gjyqtarit duhet të përmbajë të dhënat personale: emrin dhe mbiemrin; atësinë; datëlindjen; vendlindjen; gjininë; adresën e vendbanimit; gjendjen civile; gjendjen gjyqësore; fotografi; jetëshkrimin. Po ashtu, në të duhet të përfshihen emri dhe mbiemri i bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es; atësia e bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es; profesioni i bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es; emri e mbiemri i fëmijëve; profesioni i fëmijëve. Pjesë e dosjes personale duhet të jenë edhe të dhënat për arsimin e lartë, studimet pasuniversitare, aktivitetin mësimdhënës e shkencor apo edhe të dhënat për formimin fillestar dhe formimin vazhdues: studimet në Shkollën e Magjistraturës; kryerjen e stazhit profesional; pjesëmarrjen në trajnimet e kryera në kuadrin e formimit vazhdues. Gjithashtu, në të duhet të jenë edhe të dhënat për përvojën profesionale dhe zhvillimin e karrierës. “Gjyqtari duhet të njoftojë Këshillin e Lartë Gjyqësor për çdo ndryshim të të dhënave që janë pjesë e dosjes së tij personale”, thuhet në vendim. Dosjet personale të gjyqtarëve do të ruhen në ambiente të veçanta me kamera sigurie.