Lojtarët shqiptarë zgjedhin përgjithësisht të luajnë për Shqipërinë dhe Kosovën, por ka plot që kanë zgjedhur të luajnë me përfaqësueset e vendeve të tjera, sidomos disa lojtarë cilësorë në Zvicër, Gjermani, Suedi, Norvegji, Greqi e ndonjëherë edhe në Itali sikurse ndodhi me Luis Hasën, por ai u bë pishman dhe tani ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë. Nga largimet më të bujshme që kanë ndodhur më parë është ai i Adnan Januzajt, i cilësuar i talentuar që zgjodhi Belgjikën e jo Shqipërinë. Por ka një fakt të pamohueshëm. Të gjithë ata që refuzojnë Shqipërinë, ose Kosovën, e zgjedhin kombëtare të tjera, ftohen e grumbullohen nja dy-tri ndeshje dhe pastaj nxirren “të tepërt”, e kështu ka ndodhur me shumicën e këtyre futbollistëve. Januzaj që cilësohej si një nga më të talentuarit në botë, nuk luajti rregullisht në Belgjikë dhe në fillim përfundoi si rezervë në stol, më pas as nuk u ftua fare. Nëse do të ishte me Shqipërinë do të ishte titullar i padiskutuar. Kështu ka ndodhur edhe me disa lojtarë në Zvicër, më herët edhe në Greqi e Itali. E kundërta ndodh kur zgjedhin Shqipërinë ose Kosovën, ata marrin mbështetjen e publikut dhe shkëlqejnë me ngjyrat kuqezi.
Bajrami zgjedh Zvicrën
Federata zvicerane ka publikuar listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet në Ligën e Kombeve. Tre futbollistë shqiptarë janë pjesë e saj. Bëhet fjalë për Adrian Bajramin, Ardon Jasharin dhe Granit Xhakën. Bajrami e ka rikthim pasi nuk u konsiderua për Botërorin. Kujtojmë se një vit më parë mbrojtësi i shprehu trajnerit Silvinjo, që kishte vendosur për t’u tërhequr nga Shqipëria. Lajmi i mirë ndërkohë vjen nga Lorent Tolaj. Pavarësisht se u tha që ka refuzuar Shqipërinë dhe Kosovën për Zvicrën, nuk rezulton të jetë pjesë e emrave të ftuar nga Murat Jakin. 24-vjeçari ka spikatur me golat e tij në vitet e fundit me klube angleze. Aktualisht është pjesë e Bristol Siti në Championship.
Gruda zgjedh Gjermaninë
Tani është zyrtare, Brajan Gruda ka marrë ftesën e Jurgen Klopp për të qenë pjesë e kombëtares gjermane për një ndeshje zyrtare. Por futbollisti nuk do të mund të luajë menjëherë. Në një komunikatë për shtyp, Federata Gjermane e Futbollit bëri të ditur se trajneri i 4 herë kampionëve të botës dërgoi 44 ftesa dhe Gruda është një prej atyre që e kanë marrë atë teksa Gjermaninë e presin 4 ndeshje të Nations League me Holandën, Greqinë 2 herë dhe Serbinë. Qeveria e futbollit gjerman ka publikuar 2 lista; një me 24 futbollistë dhe një tjetër me 20 lojtarë dhe Gruda është pjesë e listës së dytë. Në njoftimin e saj, DFB thekson gjithashtu se për ndeshjet e shtatorit do të përfshihen 24 futbollisë, ndërsa më pas do të bashkohen edhe 20 lojtarë të tjerë mes tyre edhe Gruda, për ndeshjet e muajit tetor ndaj Serbisë dhe Greqisë.
Pas Grudës, Gjermania merr edhe Ibrahimoviçin shqiptar
Sa i përket Arijon Ibrahimoviç që po ashtu po bën mirë në Bundesligë, Kosovës i duhet të presë për momentin. Sulmuesi është ftuar nga ekipi U-21 i Gjermanisë. Kështu fokusi është tek Europiani U-21 i vitit të ardhshëm. 20-vjeçari po kontribuon aktualisht i huazuar nga Bajern Mynih tek Augsburg.






































