Me 84 vota pro, Kuvendi miratoi formulën e re për pagat e magjistratëve, por përplasja mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë vijon.
Projektligji i miratuar nga mazhoranca parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kjo shifër është kundërshtuar nga magjistratët, ndërsa KLGJ dhe KLP kanë mbështetur një kërkesë për rritje prej afro 80 mijë lekësh, pra rreth nëntë herë më të lartë.
Debati në Kuvend u shoqërua me polemika mazhorancë-opozitë, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për formulën e pagave.
Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama, duke iu referuar rolit të Gjykatës Kushtetuese, deklaroi se ajo ka të drejtë të rrëzojë një ligj nëse konstaton se bie ndesh me Kushtetutën, por nuk mund t’i diktojë Kuvendit formulën që duhet të miratojë.
“Gjykata Kushtetuese është arbitri. Ajo mund ta ndalojë lojën, mund të konstatojë shkeljen, mund ta anulojë golin, por nuk mund ta marrë topin dhe të thotë: ‘Topi është imi. Penalltinë do ta gjuaj unë’”, tha Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu shoqatat e gjyqtarëve dhe trupën gjyqësore, duke folur për atë që e cilësoi si lëvizje të koordinuara mes tyre.
“Të thuash që në atë datë lindi befas një pushtet tjetër, i cili përcaktoi atë që në fakt mund ta përcaktojë vetëm ligji, dhe nga ana tjetër të shohësh një ndërveprim shoqatash me trupën gjyqësore të Shqipërisë, të shohësh lëvizje të koordinuara, të shohësh këtë organizim është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjitha zhvillimet në këtë drejtim janë zhvillime që e dëmtojnë Republikën e Shqipërisë, nuk janë zhvillime që e ndihmojnë”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, opozita akuzoi mazhorancën se formula e miratuar nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike e cilësoi projektligjin “puç kushtetues” dhe votoi kundër tij.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit një afat katërmujor për zgjidhjen e çështjes, përpara se vendimi për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi.
“Gjykata Kushtetuese i dha Kuvendit katër muaj kohë që ta zgjidhte çështjen përpara se vendimi i saj për shfuqizimin e ligjit të pagave të hynte në fuqi. Pra, u tregua tërësisht e përgjegjshme, ndryshe nga ty dhe nga ky Kuvend që u tregua tërësisht i papërgjegjshëm”, deklaroi Bardhi.
Kriza për pagat e sistemit të drejtësisë u përshkallëzua pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Pas përfundimit të këtij afati, KLGJ dhe KLP vendosën që, nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi bazën e 222,425 lekëve, ndërsa parashikuan edhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin.
Megjithatë, Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.
Kështu, edhe pas miratimit të formulës së re me 84 vota, çështja e pagave të magjistratëve mbetet në qendër të përplasjes mes mazhorancës, institucioneve të drejtësisë dhe opozitës.






































