Zbardhen procedurat e plota për ngritjen e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion. Pak ditë më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi një rregullore sa i takon punës së prokurorëve të posaçëm dhe prej datës 29 mars kjo rregullore ka hyrë në fuqi. Ajo është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe kjo do të thotë se tashmë nuk ka asnjë pengesë në përzgjedhjen e prokurorëve që do të hetojnë pushtetarët e lartë të korruptuar. Ajo që bie në sy është fakti se do të ndiqet një procedurë mjaft strikte, me qëllim përzgjedhjen e prokurorëve që janë të aftë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por dhe t’u bëjnë ballë presioneve politike. Vlerësimi i 27 kandidatëve që kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e SPAK do të bëhet me pikë nga një komision i posaçëm, i përbërë nga tre anëtarë prokurorë dhe dy anëtarë jo prokurorë. Fillimisht, do të ketë një vlerësim të anës profesionale, ku do të shihen aftësitë e treguara në hetim, përfshirë përdorimin e teknikave të posaçme të hetimit dhe qasjen proaktive të hetimit; në ndjekjen penale, përfshirë formulimin e akuzës dhe përfaqësimin në gjykatë dhe në konfiskimin e produkteve të veprës penale dhe të aseteve, sipas Kodit të Procedurës Penale ose ligjit antimafia. Po ashtu, do të shihet vendosmëria e treguar në përballimin e vështirësive, presioneve e rreziqeve dhe integriteti i posaçëm profesional, përfshi etikën profesionale, ndershmërinë, paanësinë, sigurinë dhe konfidencialitetin e treguar nga kandidati. Më pas do të ketë një vlerësim, ku do të përcaktohen shkallët e vlerësimit të kritereve të posaçme etike dhe profesionale të prokurorëve që garojnë për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Kështu vlerësimi do bëhet në tre shkallë, të cilat janë kualifikim i lartë, i cili vlerësohet nga tetë deri në dhjetë pikë; kualifikim i mesëm, i cili vlerësohet nga katër deri në shtatë pikë dhe kualifikimi i ulët, i cili vlerësohet nga një deri në tre pikë.
Aftësitë e treguara në hetim
Një tjetër element që do të merret në konsideratë për prokurorët, ka të bëjë me faktin se do të shihen aftësitë e treguara në hetim, në ndjekjen penale dhe në konfiskim, referuar këtu situatave të veçanta. Kështu, kandidati do të vlerësohet me kualifikim të lartë për këtë kriter, kur ai ka hetuar me sukses jo më pak se pesë çështje penale të ndërlikuara ligjërisht ose në fakte, përfshi përdorimin e metodave të avancuara të hetimit dhe qasjen proaktive. Po ashtu, kandidati do të vlerësohet me kualifikim të lartë, kur ka qenë drejtues grupi hetimor ose prokuror i vetëm ka përfaqësuar prokurorinë në nivel apeli/Gjykatë të Lartë, në jo më pak se pesë procese gjyqësore për të cilat është dhënë vendim dënimi për korrupsion, krim të organizuar, pastrim parash ose për çështje të tjera të ndërlikuara. Ndërkohë, një tjetër element që do të merret në konsideratë, duke vlerësuar kandidatin me vlerësim të lartë, është fakti nëse ai ka kërkuar me sukses konfiskimin e pasurive, të cilat janë produkte të veprës penale në jo më pak se pesë raste kur vlera e aseteve të konfiskuara ka qenë e lartë ose ka kërkuar me sukses konfiskimin e pasurive në zbatim të ligjit antimafia, në jo më pak se pesë raste kur vlera e aseteve të konfiskuara ka qenë e lartë.
Vendosmëria në përballimin e presioneve
Kandidatët prokurorë që garojnë për SPAK do të vlerësohen edhe duke parë vendosmërinë e treguar nga ta në përballimin e vështirësive, presioneve e rreziqeve dhe integriteti. Kështu, kandidatët do t’i paraqesin komisionit situatat, ku ata kanë kapërcyer vështirësi të spikatura ose i kanë bërë ballë presionit gjatë një hetimi ose ndjekjeje penale, duke bërë të mundur dërgimin e çështjes në gjyq. Në të njëjtën kohë, kandidati përshkruan qartë para komisionit vështirësitë dhe veprimet e kryera prej tij që kanë kontribuar në suksesin e hetimit ose ndjekjes penale. Nga ana tjetër, në rregulloren e KLP thuhet se kandidatët i paraqesin komisionit rrethanat ku ata kanë treguar etikë të lartë profesionale, duke ruajtur paanësinë, ndershmërinë dhe konfidencialitetin e të dhënave hetimore pavarësisht vështirësive të spikatura me të cilat janë përballur. Më pas, komisioni i vlerëson kandidatët me “Kualifikim të lartë”, “Kualifikim të mesëm” ose “Kualifikim të ulët” në varësi të sasisë dhe cilësisë së situatave që kanë vënë në provë vendosmërinë dhe integritetin e kandidatit.
Zyrtarizimi i SPAK
Sipas rregullores, KLP mblidhet për të vendosur krijimin e Prokurorisë së Posaçme sapo të arrihet numri i nevojshëm i prokurorëve të konfirmuar për ngritje në detyrë si prokuror të posaçëm, të cilët kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit. “Këshilli koordinon punën me Këshillin e Lartë Gjyqësor për të siguruar lehtësi në krijimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme. Pasi Prokuroria e Posaçme të jetë krijuar dhe kur prokurorë të tjerë, të konfirmuar për ngritje në detyre të kenë marrë konfirmimin nga procesi i rivlerësimit, Këshilli mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në rregullore. E gjithë procedura do monitorohet nga ekspertët e SHBA-BE. Ata madje do kenë rol që të bëjnë pyetje dhe të ndihmojnë në përzgjedhjen e emrave që do hetojnë pushtetarët./ Rigels Seliman