Google search engine
Home Politike Drejtesi 7 muaj në krye të SPAK, Braho atrofizon institucionin, asnjë arrestim politik

7 muaj në krye të SPAK, Braho atrofizon institucionin, asnjë arrestim politik

0
14

Pritshmëritë e mëdha që shoqëruan marrjen e drejtimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) nga Klodjan Braho në dhjetor të vitit 2025, të mbështetura nga një proces përzgjedhjeje me bekimin e partnerëve amerikanë dhe garancinë e Altin Dumanit, janë shndërruar në një zhgënjim të thellë publik. Në vend të vazhdimësisë së dinamikës së goditjeve ndaj korrupsionit, SPAK-u nën drejtimin e Brahos është zhytur në një stanjacion që po atrofizon vetë thelbin e institucionit.

Altin Dumani la pas një periudhë ku SPAK-u u konsiderua tmerri i politikës dhe krimit. Nën parimin se “përmbi ligjin nuk është askush”, gjatë tri viteve të mandatit të tij u sekuestruan miliona euro pasuri, u goditën grupe kriminale me shtrirje ndërkombëtare dhe u arrestuan figura të larta politike nga të dyja krahët. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Klodian Braho duket se ka zgjedhur rrugën e “gjumit” mbi dosjet më të nxehta.

Kjo ngadalësi po çon çështjet e njerëzve më të pushtetshëm drejt djegies së afateve procedurale, duke lënë krimet e mëdha ekonomike e politike të pandëshkuara. Në rastin e ish-ministres Belinda Balluku, ku dosja ishte përgatitur nga Dumani për marrjen e saj si e pandehur, nën drejtimin e Brahos hetimet vazhdojnë të shtyhen. Pavarësisht sekuestrimit të pajisjeve elektronike me prova për korrupsion dhe pastrim parash në tenderët e infrastrukturës, procesi është ngadalësuar. Ende nuk ka kërkesë të dytë në Parlament për heqjen e imunitetit , në mënyrë që të hapet rruga për arrestimin e Ballukut.

“McGonigal”, dosja që vijon të mbetet në vëmendje

Një prej çështjeve më të ndjeshme është ajo e njohur si “McGonigal”, e cila ka një dimension ndërkombëtar dhe ka ngritur prej kohësh pikëpyetje mbi marrëdhëniet politike dhe institucionale në Shqipëri. Edhe pse një pjesë e rëndësishme e çështjes është trajtuar nga autoritetet amerikane, në Shqipëri pritshmëria ka qenë që SPAK të sqarojë çdo rol, kontakt apo lidhje që mund të ketë pasur në territorin shqiptar. Dosja mbetet një nga çështjet që vë në provë aftësinë e SPAK për të hetuar deri në fund një çështje ku përfshihet vetë kryeministri Edi Rama. Kalimi i muajve pa një përfundim të plotë e mban këtë dosje në listën e çështjeve që vijojnë të presin përgjigje.

PPP-të në shëndetësi, hetime që vijojnë prej vitesh

Në tryezën e SPAK vijojnë gjithashtu çështjet që lidhen me koncesionet dhe partneritetet publike-private në sektorin e shëndetësisë. Laboratorët, check-up-i dhe hemodializa janë ndër kontratat që kanë prodhuar prej vitesh debate politike, raporte kritike dhe dyshime për mënyrën se si janë ndërtuar dhe zbatuar marrëveshjet me shtetin. Pavarësisht kohës së kaluar, këto çështje ende nuk kanë prodhuar një përfundim të plotë penal për të gjitha përgjegjësitë e mundshme. Pikërisht për këtë arsye, këto hetime mbeten një test për SPAK-un dhe për mënyrën se si institucioni trajton çështjet ku përballë tij janë interesa të mëdha ekonomike.

Frida Krifca dhe fondet për fermerët

Një tjetër hetim që vijon prej vitesh është ai ndaj ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. SPAK ka deklaruar se çështja ndodhet ende në fazën paraprake, ndërsa hetimi lidhet me dyshimet për abuzime me fondet e fermerëve. Në këtë çështje është përfshirë edhe kallëzimi i OLAF ndaj ish-drejtoreshës së AZHBR-së, ndërsa mënyra se si do të ecë përpara hetimi pritet të ketë rëndësi edhe në raport me procesin e integrimit europian dhe kapitullin për bujqësinë. Fakti që hetimi vijon pas disa vitesh e bën këtë një tjetër prej dosjeve që do të kërkojë një përgjigje konkrete nga SPAK.

Inceneratori i Tiranës, përgjegjësitë që ende kërkojnë përgjigje

Dosja e inceneratorit të Tiranës mbetet gjithashtu një prej çështjeve më të bujshme të drejtësisë shqiptare. Hetimi ka avancuar në disa drejtime, por ende mbetet pyetja se deri ku do të shkojë përgjegjësia dhe nëse përtej personave të përfshirë drejtpërdrejt në skemat financiare do të ketë përgjegjësi edhe në nivele të tjera politike dhe institucionale. Për vite me radhë, kjo çështje është kthyer në simbol të debatit mbi përdorimin e fondeve publike dhe mënyrën se si janë lidhur kontratat për menaxhimin e mbetjeve. Edhe sot, dosja mbetet larg një përgjigjeje që të mbyllë të gjitha pikëpyetjet e ngritura.

Dosjet e pronave të ushtrisë

Një tjetër bllok hetimesh lidhet me pronat e ushtrisë. SPAK ka vijuar hetimet për çështje që lidhen me pasuritë dhe procedurat për tjetërsimin apo përdorimin e pronave shtetërore. Bëhet fjalë për dosje që kërkojnë verifikime të shumta dokumentare, gjurmim të transaksioneve dhe përcaktim të përgjegjësive të zyrtarëve që kanë marrë vendime ndër vite. Edhe këto hetime vijojnë të jenë pjesë e dosjeve të hapura të SPAK dhe pritet të shihet nëse do të çojnë në masa konkrete ndaj personave përgjegjës.

“Pirgu” i dosjeve për Berishën

Përveç këtyre çështjeve, një pirg gjigant dosjesh që mbajnë emrin e Sali Berishës mbeten pa lëvizje në korridorin e SPAK-ut.Një nga këto dosje “letargjike” që ulëret për drejtësi është ajo e “21 Janarit”. Edhe pse Gjykata e Strasburgut ka lëshuar një verdikt dërrmues që detyron shtetin shqiptar të hetojë zinxhirin komandues dhe urdhëruesit e vrasjeve në bulevard, dosja në SPAK mbetet në një fazë fillestare.

Madje skandali është se sipas xhaxhati të AleksNikës një prej 4 të vrarëve nga armët e shtetit, kaseta  ku ndodhet gjithë materiali i komunikimit në radio në kanalin e Gardës së Republikës më 21 janar 2011 ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë qeverisjes Berisha duhet të dërgohej për ekspertizë  një vit më parë, por Braho e ka mbajtur në sirtar për shumë muaj.Po aq e heshtur është edhe dosja e vrasjeve në Tropojë, një sagë e përgjakshme eliminimesh politike dhe hakmarrjesh që ka lënë pas dhjetëra viktima, ku emri i Berishës është i gdhendur në çdo dëshmi e denoncim publik, por që për prokurorët e posaçëm ende nuk përbën një prioritet për t’u zgjuar nga arkivat e vjetra.

Gazeta “SOT”, ka raportuar më parë se SPAK hapi dosjen pas kallëzimit të AisheHaklajt, shoqëruar me 14 orë deklarime me data, vende, skenarë, kurthe, emra vrasësish e viktimash, bashkëpunëtorësh dhe emër urdhëruesi, financuesi e mbrojtësi, të vrasësve të vëllezërve të saj e të tjerëve. Madje u depozitua dhe një kallëzim i ri penal nga Shote Haklaj dhe Vjollca Haklaj ndaj Berishës dhe disa personave të tjerë. Kallëzimi penal paraqet një sërë provash, dokumentesh dhe materialesh filmike që sipas palës kallëzuese vërtetojnë përgjegjësinë ligjore të të akuzuarve. Ato lidhen me vrasjen e tre shtetasve të së njëjtës familje: Sokol Haklaj, ElezHaklaj dhe Cen Haklaj.

Dosjet e tjera

Ky “gjumë” i thellë i SPAK bëhet edhe më i dyshimtë kur analizohen aferat financiare dhe lobimet ndërkombëtare. Kontrata 6 milionë dollarëshe e lobimit në SHBA qëndron si një hije mbi financat e familjes Berisha, por SPAK ende nuk ka dhënë një përgjigje se nga rrodhën këto miliona dhe cilat ishin interesat që u blenë me to.  Nga ana tjetër, nuk ka asnjë zhvillim dhe për hetimet lidhur me aferat serbe të ish-kryeministrit dhe familjes së tij me biznesmenin serb Damir Fazlliç dhe Vojin Lazareviç.

 Sipas kallëzimit penal nga avokati IdajetBeqiri, grupi i strukturuar kriminal me në krye Sali Berishën u formësua dhe nisi veprimtarinë e tij për pastrimin e parave të pista të shtetasit serb Damir Fazlliç, duke përfituar në rrugë kriminale 1.1 milion euro, futet në veprim ish Kryeministri i cili në konflikt të hapur interesi, në bashkëpunim me ish ministrin e METE shtetasin Genc Ruli, kanë hartuar dhe kanë miratuar VKM nr 703 datë 23.04.2008 me anën e të cilit kanë zgjeruar parkun energjitik “Zhvillimi i integruar (në sinergji) i zonës energjitike dhe industriale të Porto Romanos, Durrës, Infrastruktura dhe konturet e saj”, duke futur brenda tij tokat e blera nga shtetasi serb Damir Fazlliçi, duke ja shumëfishuar atij vlerën e pronës në plotë 8 fish më shumë nga sa jua kishte blerë dhëndrit të Sali Berishës, shtetasit JamarbërMalltezi, Flutura Kola etj.

Në fakt Porto Romano është shpallur “Park energjitik” në vitin 2001 kur ishte Kryeministër Fatos Nano, por ish Kryeministri Sali Berisha, për llogari të shtetasit serb DamirFazlliç, i cili i kishte paguar dhëndrit të tij 1.1 milion euro më shumë nga sa ai e kishte blerë tokën te fshatarët, e favorizoi DamirFazlliçin duke e futur tokën e blerë prej tij, nga dhëndri i tij, me zgjerim kriminal, brenda perimetrit të Parkut Energjitik. Në dosje ndodhen edhe vendime të tjera korruptive të Sali Berishës që mund ta çojnë në burg, por deri më tani SPAK ka heshtur. SPAK po stërzgjat dhe hetimet për pasuritë e ish-kryeministrit. Procesi i verifikimit ka nisur që nga viti 1992, kur Berisha mori pushtetin si President i Republikës, dhe ka përfshirë të dhëna për pronat, transaksionet financiare dhe mënyrën si kanë ndryshuar pasuritë gjatë dekadave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here