Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se ekzistojnë mundësi për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë, duke theksuar se kontaktet me Kievin dhe administratën amerikane po vijojnë. Deklaratat u bënë gjatë fjalës së tij në sesionin plenar të Forumit Ekonomik Lindor, që po zhvillohet në Vladivostok. “Ka mundësi për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë? Sipas mendimit tim po, ka”, deklaroi Putin.
Sipas presidentit rus, dialogu me palën ukrainase nuk është ndërprerë, ndërsa Moska po mban kontakte edhe me përfaqësues të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. “Kontaktet me Ukrainën po vazhdojnë. Janë në zhvillim kontaktet me përfaqësuesit e administratës amerikane të emëruar nga Trump për dialogun me Rusinë”, tha Putin, duke shtuar se ky komunikim “po funksionon”.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur luftimet dhe sulmet me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë të jenë intensive, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mbeten pa një marrëveshje konkrete. Kreu i Kremlinit reagoi edhe ndaj deklaratave të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për sulmet me dronë ndaj Rusisë.Putin tha se kërcënimi i Zelenskyt për ta bërë hapësirën ajrore ruse “totalisht të pasigurt” për fluturimet civile përmes sulmeve me dronë e vështirëson mundësinë e zhvillimit të negociatave të paqes.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë “një akt terrorizmi shtetëror”, ndërsa kritikoi edhe vendet perëndimore që mbështesin Ukrainën. “Cilët heshtin, që nuk i kushtojnë vëmendje kësaj, bëhen bashkëpunëtorë të terrorizmit ndërkombëtar”, deklaroi Putin, duke sqaruar se e kishte fjalën “në radhë të parë për aleatët perëndimorë të Ukrainës”.







































